Banorët e vendbanimit të ashtuquajtur Karabushko Pole, vendbanim i cili gjendet Dhe të Zi të Grudës, në veri të Tuzit, kërkojnë formimin e Bashkësisë Lokale, shkruan gazeta Dan.
Siç sqaron anëtari i Këshillit për formimin e Bashkësisë lokale, Hidajet Kalac, banorët e këtij vendbanimi kanë dërguar iniciativën për formimin e BL që nga viti 2007 dhe se ende nuk kanë fituar “dritën e gjelbërt” nga institucionet kompetente, edhe pse para zgjedhjeve kishin premtime.
Kalac shpjegon se banorët e këtij vendbanimi deri me tani nuk janë të kënaqur me trajtimin e problemeve të tyre nga ana e Komunës urbane të Tuzit, dhe se nuk pritet përmirësime as në të ardhmen, duke theksuar se në planin zhvillimor të KU Tuz për 5 vitet e ardhshme nuk ka asnjë objekt i cili parashikohet të ndërtohet në vendbanimin e tyre. Prandaj, kërkojnë siç sqaron Kalac, krijimin e Bashkësisë lokale që banorët të marrin obligimet e detyrat për krijimin e kushteve për një jetë më të mirë.
Pakënaqësinë e tyre e shprehen edhe Samira Purovic, Irfan Berbat, Fahrudin Licina, Azem Softic, të cilët ankohen se në Karabushko nuk kanë shkollë fillore, çerdhe për fëmijë, kafene, objekt kulturor dhe asnjë objekt sportiv. Ata ankohen se duhet paguar autobus çdo ditë që fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë në Tuz dhe se kohën e lirë nuk kanë ku ta kalojnë.
– Për ta pirë një kafe në kohë të lirë nuk kemi ku, dhe duhet shkuar në Podgoricë, por jo të gjithë kanë automjet, thotë Irfan Berbat.
Do të ndërtojnë shkollën
Nga mungesa e shkollës fillore, nga ky vendbanim mësimin në shkollën fillore “Mahmut Lekiq” në Tuz e vijojnë rreth 400 nxënës, të cilët janë të detyruar të udhëtojnë çdo ditë në Tuz.
Vendasit sqarojnë se para zgjedhjeve lokale e shtetërore kishin fituar premtime për ndërtimin e shkollës fillore por kjo asnjëherë nuk u realizua. Pasi që premtimet asnjëherë nuk u realizuan, banorët morën iniciativën vet dhe me para të veta blenë 3.200 mera katror tokë ku do të ndërtohet shkolla. Ata sqaruan se para një muaji gjetën edhe donatorin i cili do të paguaj punimin e projektit dhe shërbimet komunale.
Karabushko sot ka rreth 3000 banorë, dhe janë të etnisë malazezo-boshnjake. Të ardhur kryesisht nga veriu i Malit të Zi e të vendosur në zonën e Grudës të quajtur Dheu i Zi.
Pjesë e madhe e Dheut të Zi në të kaluarën është konfiskuar nga shteti ku sot gjendet një pjesë e madhe e vneshtave Planaze. /MALESIA.ORG/