( Vështrim lidhur me zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi )
Të Dielën e ardhshme, me 7 Prill 2013 do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Dy kandidatët kryesorë në këtë garë janë, kandidati i partisë në pushtet (PDS),Filip Vujanoviq i cili konsiderohet dora e djathtë e kryeministrit të Malit të Zi,Millo Gjukanoviq dhe kandidati i dytë është Miodrag Lekiq i cili në zgjedhjet e kaluara ishte kandidat i Frontit Demokratik dhe që kësaj rradhe do të paraqitet si kandidat i pavarur,por që njëkohësisht ka përkrahjen e partisë më të madhe opozitare, të Partisë Popullore Socialiste (SNP).
Derisa në njërën anë z. Lekiq shihet si kandidat me orientime pro serbe dhe si i tillë vështirë se do të mbledh votat e shqiptarëve,në anën tjetër z. Vujanoviq (me ndihmën e partisë në pushtet) shpenzoi shuma të mëdha financiare në fushatën parazgjedhore ,duke përfshirë fushatën edhe në trevat shqiptare.Gjatë kësaj fushate ai u mundua që të portretizojë vetëvehten si “pro europian” , apo si “mbrojtës” i të drejtave të popujve pakicë dhe sa i përket kësaj,z.Vujanoviq ka arritur të bind një pjesë të elektoratit shqiptar,falë ndihmës dhe përkrahjes që i kanë dhënë,edhe disa subjekte politike shqiptare,qofshin ata pjesë e koalicionit qeveritar apo të opozitës. Kjo u vërejt haptas posaçërisht gjatë tubimeve promovuese që u mbajtën muajin e kaluar në Ulqin, Katërkollë(Anë të Malit) dhe Ostros ( Krajë).
Por,cili është angazhimi i z.Vujanoviq për të drejtat e shqiptarëve ,nëse mund të flitet për angazhim?Filip Vujanoviq,i cili tashmë një kohë të gjatë gjindet në skenën politike malazeze,herë si kryetar dhe herë si kryeministër i Malit të Zi,ka pasur mundësi dhe kapacitet që në cilësin e pozitave të tija të larta , të bëj më shumë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve,por përkundrazi,gjatë gjithë kësaj kohe ka demonstruar mosgatishmëri dhe vullnet jo të mirë për zgjidhjen e çështjeve kontestuese të shqiptarëve në republikë.Z.Vujanoviq, gjatë fushatave të ndryshme zgjedhore,veçanërisht kur viziton trevat shqiptare ,trumbeton me një retorikë të ngjajshme për realizimin dhe arritjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve.Por,veprimet dhe sjelljet e tia, flasin të kundërtën.
Gjatë mandatit të tij presidencial u aprovuan disa ligje tepër diskriminuese ndaj shqipatrëve, u shëmb ekonomia e vendbanimeve shqiptare e cila si pasojë e kësaj, erdhi deri te papunësia e lartë dhe paperspektiva e banorëve të këtyre vendbanimeve. Gjithashtu, gjatë gjithë mandatit të tij presidencial, vazhdoi dhe gjitnjë deri më sot vazhdon të zvarritet realizimi i komunës me të drejta të plota të Tuzit.Kurse,në raport me Kosovën, Vujanoviq vazhdimisht ka kushtëzuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, me zgjidhjen e statusit kushtetues të pakicës malazeze në këtë shtet. A do të ishte e drejtë dhe e logjikshme,që përpara se të kërkohet zgjidhja e statusit të pakicës malazeze në Kosovë, më parë të zgjidhet statusi i shqiptarëve në Mal të zi,megjithëse krahasimi i dy entiteteve është i pavend.
Poashtu, gjatë kohës së tij si president,në Mal të Zi vazhdoi të lulëzoi korrupcioni politik dhe ai ekonomik, dhe sot Mal i ZI njihet si ndër shtetet më të korruptuara të Europës.
Shqiptarët në këto zgjedhje nuk kanë opcione të arsyeshme apo ndonjë opcion që do të favorizonte çështjen e tyre,kështu që nga ky vështrim, ata mund ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare të apstenimit apo mosvotimit për asnjërin kandidat.Nëse ,votuesit shqiptar zgjedhin që të mosvotojnë në zgjedhjet presidenciale të 7 Prillit,atëherë kjo do të ishte një mesazh i fuqishëm ndaj politikës qendrore në Mal të Zi në aspektin e shprehjes së pakënaqësisë së tyre lidhur me trajtimin inferior nga ana pushtetit malazez karshi kërkesave të tyre të vazhdueshme për përmirësimin e statusit të tyre politik dhe shoqëror.
Ndërsa, ata që kanë vendosur që të votojnë në këto zgjedhje presidenciale,pa marrë parasysh se për të cilin kandidat, një gjë është më së e qartë,se vota e tyre do të jetë votë për status quo-n e shqiptarëve në Mal të Zi, do të jetë votë ndaj mandatit të vazhdimësisë së kurrupcionit politik shtetëror dhe si e tillë do të jetë votë kundër dinjitetit të tyre qytetar dhe kombëtar.
Xheladin Zeneli