Lëvizja Vetëvendosje në mbështetje të shqiptarëve të Martinajve

Lëvizja Vetëvendosje reagon ndaj provokimeve që po u bëhen shqiptarëve në fshatin Martinaj të Plavë Gucisë.

Ngjarjet që ndodhën më dje më 25 maj në fshatin Martinaj të Plavë Gucisë e kanë zanafillën në përpjekjen më të re për shpërnguljen me forcë të shqiptarëve të kësaj zone. Spastrime pastaj kolonizime kanë ndodhur në Malësinë e Tuzit e të Plavë e Gucisë. Këto muaj shqiptarët në Martinaj kanë qenë nën presionin edhe të Policisë malazeze edhe të ekstremistëve që nëpërmjet arsyetimit e rremë për rindërtimin të objekteve të kultit nxisin përplasje e tension, fillon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje.

Versioni ku themelet e një kishe, hapur dhunshëm në prona të shqiptarëve, në fillim të shekullit të kaluar, bëhen pretekst për citimin e saj si zonë historike e shpirtërorë e kolonizatorëve janë tashmë të njohura mirë për shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Kosovë, e Luginë.

Rezistenca e banorëve shqiptarë gjatë këtyre muajve, si dhe protestat në kundërshtim të kësaj farse që synon tjetërsimin e të vërtetës, sollën në arrestimet e dhunshme dje nga Policia malazeze. Arrestimet kanë ndodhur pasi banorët e Martinajt kanë kundërshtuar fillimin e punimeve. Forcat speciale të Policisë malazeze nuk hezituan që t’i arrestonin 23 shqiptarë të Martinajt të cilët, në fakt ishin duke mbrojtur pronat e tyre dhe mbi të gjitha të drejtat e tyre legjitime. Ata u liruan në pasdite pasi që Gjykata i dënoi me gjobë.

Autoritetet malazeze dhe pushteti atje ka kohë që punon për të krijuar raste dhe kushte të rënda e me synim shpërnguljen përfundimtare të shqiptarëve nga Plava e Gucia dhe jo vetëm. Në këtë vazhdë edhe ngritja e deponisë më të madhe të mbeturinave buzë fshatit Martinaj ka për qëllim përzënien në afatgjatë të banorëve, pasi që kushtet e jetesës të vështirësohen. Ndërkohë që reagimi i zyrtarëve shqiptarëve, në Mal të Zi, në Kosovë, në Shqipëri është gjithnjë e më i vakët, hezitues dhe aspak në përputhje me gjendjen dhe vështirësitë që kanë popullata shqiptare në Mali të Zi.

I bëjmë thirrje Tiranës e Prishtinës zyrtare që të marrin masa urgjente për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Plavë e Guci, duke kërkuar nga Qeveria Malazeze përgjegjësi për çfarë po ndodh.

Po ashtu dhe autoritetet përgjegjëse në BE, si Komisioni Evropian, Komisioneri për të drejtat e njeriut, raportuesit për Ballkanin perëndimor duhet të kenë në vëmendje kur negociojnë me Qeverinë dhe institucionet e Malit të Zi, se në këtë shtet të drejtat politike e shoqërore të shqiptarëve janë të mohuara, dhe vetë shqiptarët janë të nëpërkëmbur e të nën presionin e përzënies dhe kolonizimit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbështet protestën e drejtë të banorëve të Martinajt dhe është në krah të tyre për organizim në mbrojtje të çdo të drejte që i afirmon politikisht e ekonomikisht shqiptarët në Mal të Zi.

/MALESIA.ORG/