Ndahet nga jeta ish trajneri i kombëtares Josip Kuze

Kuzhe ishte një njeri simbol për futbollin kroat, pasojë e rezultateve të arritura me Dinamon e Zagrebit por dhe e faktit që ishte tekniku I skuadrës në ndeshjen e famshme të 1990 me Cervena Zvezden, nga ku pati zanafillën dhe konflikti mes Serbisë dhe Kroacisë.

Josip Kuzhe nuk është më. Ish-trajneri i kombëtares u nda nga jeta në moshën 61 vjecare, pas një sëmundje të rëndë, të cilën nuk arriti ta mposhte. Tekniku karizmatik, që drejtoi Shqipërinë për dy vjet, nga 2009 deri në 2011, këtë herë nuk arriti të dilte fitimtarë. Ai vuante nga leucemia që prej muajit Shkurt të këtij viti. Kuzhe ishte një njeri simbol për futbollin kroat, pasojë e rezultateve të arritura me Dinamon e Zagrebit por dhe e faktit që ishte tekniku I skuadrës në ndeshjen e famshme të 1990 me Cervena Zvezden, nga ku pati zanafillën dhe konflikti mes Serbisë dhe Kroacisë.

Për ne shqiptarët ai u bë i njohur kur mori drejtimin e Shqipërisë. Me kuqezinjtë ai regjistroi dhe fitoren më të thellë në historinë e futbollit tonë, 6-1 ndaj Qipros në “Qemal Stafa”, ndërsa në total pati një bilanc pozitiv me shtatë fitore, gjashtë barazime dhe katër humbje. Shprehja simbol e tij dhe që e katapultoi lartë në zemrat e tifozëve ishte, se Kuzhe ndihej një prej nesh. Dhe në Shqipëri, në shtator të vitit 2010, Kuzhe kaloi një sëmundje të rëndë në vendin tonë, të cilën për fat arriti ta kalojë me sukses duke pasur dhe mbështetjen e tifozëve dhe të gjithë njerëzve të sportit. Ai punoi duke dhënë gjithcka për këtë kombëtare, pavarsisht se pas largimit, emri i tij u përfol jo pak nga njerëzit e medias për të kaluarën e tij. Gjithsesi Josip Kuzhe do të mbetet gjithmonë një prej nesh, një shqiptar I vërtetë në zemër. Lamtumirë Kuzhe! /YPress/ /MALESIA.ORG/

Në maj të 2010 në drejtimin e Kuzhes, Shqipëria fitoi Malin e Zi në Podgoricë, pastaj dhe në Shkodër.

Pas fitorës, tifozat e kombëtares nga Malësia së bashku me tifozat nga të gjitha trojet etnike, festuan në Tuz.

Kishim nderin që në festim na shoqëroi edhe skuadra e kombëtares në krye me trajnerin Kuzhe.

Josip Kuzhe në Tuz (Maj 2010)
Josip Kuzhe në Tuz (Maj 2010)