Berisha: Vendimi për shtetësinë tërboi albanofobët

Kryeministri në detyrë, Sali Berisha shkruan sot në “Facebook” se vendimi për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare është kushtetues dhe tërboi albanofobët.

Kryeministri ende në detyrë, Sali Berisha ka zgjedhur t’u përgjigjet ndjekësve në Facebook, rreth pyetjeve që ata i adresojnë në këtë rrjet social. Kësaj radhe interesi ishte lidhur me vendimin e qeverisë Berisha për shtetësinë që pritet të fillojë zbatimi 10 ditëshin e fundit të muajit korrik.

Që në fillim Berisha shkruan se vendimi për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare dhe të gjitha vendimet e kësaj qeverie janë plotësisht kushtetuese.

“Vendimi për dhënien ose fitimin e shtetësisë shqiptare është një vendim i bazuar plotësisht në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në standardet rajonale ndërkombëtare. Zbatimi i këtij vendimi do të fillojë gjatë dhjetë ditëshit të fundit të muajit korrik”.

Nuk është i tillë ky vendim, sipas Berishës, vetëm për ata të cilët revanshi i bën qesharakë, madje i çon larg e më larg deri në Bangladesh.

“Vendimi i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë shqiptare dhe të gjitha vendimet e kësaj qeverie janë plotësisht kushtetuese përveçse për ata të cilët revanshi i bën qesharak, madje i çon larg e më larg deri në Bangladesh dhe besojnë se nuk janë zgjedhur për një mandat 4 vjeçar, siç sanksionon Kushtetuta e Shqipërisë, por 4 vjet dhe tre muaj?! Kjo është punë e tyre.

Sipas Berishës, vendimi për dhënien e shtetësisë shkaktoi tërbim vetëm tek albanofobët.

“Vendimi për dhënien dhe fitimin e shtetësisë është vlerësuar lart nga shqiptarët kudo në botë, por dhe siç dihet ai është pritur me tërbim të vërtetë nga albanofobët jo shqiptarë dhe shqiptarë. Këta të fundit të denatyruar nga çdo ndjenjë kombëtare kanë tmerr ndaj çdo hapi që i afron e bashkon shqiptarët njëri me tjetrin. Ata në çdo rast janë të gatshëm të bëjnë kauzë të përbashkët me albanofobët jo shqiptarë në mbështetje të këtyre të fundit. Kështu në rastin e rrugës së Kombit albanofobët jo shqiptarë përdorën të gjitha mekanizmat kombëtare dhe ndërkombëtare që kontrollonin për të mos e lejuar ndërtimin e saj, e cila sipas tyre do të dëmtonte thellë gjeopeshën e porteve të vendeve të rajonit. Në mbështetje të tyre shqiptarë apatridë bënin çdo gj për ta bllokuar rrugën dhe e shpallën atë si rruga e asgjëkundit. Por rruga u ndërtua, albanofobia dhe albanofobët nuk kanë t ardhme. Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien ose fitimin e shtetësisë është aq kushtetuese sa ç’është shqiptare Kushtetuta e Shqipërisë, e cila përcakton qartë detyrimet e shtetit shqiptar ndaj shqiptarëve kudo në botë”.

Duke vijuar akuzat për albanofobinë, Berisha theksoi se vendimi për shtetësinë ishte tepër i vonuar madje dhe se duhej miratuar më parë nga qeveria shqiptare.

“Mirëpo albanofobët njohin vetëm një Kushtetutë, atë të fobisë dhe urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe midis tyre si për të më rikujtuar një proverb latin që thotë se çobani i bagëtive të egra shtë më i egër se vetë ato më të egrit, me zelltarët janë shqiptarët apatrid. Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për dhënien apo fitimin e shtetësisë fatkeqësisht është tejet i vonuar. Një vendim të këtij lloji për pakicat dhe bashkëkombasit e tyre e kanë marrë vite më parë pa përjashtim të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë, si: Greqia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi, etj. Madje Greqia, e ndofta ndonjë vend tjetër, paguan pensione të moshuarve me origjinë greke në Shqipëri. Mirëpo, në këto vende nuk ka ose ka fare pak njerëz me fobira ndaj kombit të tyre si tek ne. Prandaj dhe askush nuk ka protestuar, në të kundërt kanë mbështetur unanimisht brenda dhe jashtë vendit vendime të tilla”.

Kryeministri tha se vendimi i qeverisë shqiptare nuk mund të shtrijë kurrsesi veprimet në Republikën e Kosovës ku jetojnë pjesa tjetër e shqiptarëve.

“Ju rikujtoj këtu se me dekretin e 17 korrikut te vitit 1992 unë si President Republike dekretova njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë qytetarët me origjinë shqiptare kudo që jetonin përfshirë këtu edhe qytetarët Kosovs, e cila asokohe ishte pushtuar nga serbët. Presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova ishte plotësisht dakort me atë dekret. Sot ky vendim nuk mund të shtrij efektin në Kosovë, jo sepse jugosllavistët albanofob vazhdojnë t’i bien fyellit të tyre të vjetër të padronëve të tyre të kombit kosovar, pra të dy kombeve shqiptare. Këtë tezë në Kosovë, por as në rajon dhe më gjerë, nuk e beson njeri. Por vendim i qeverisë shqiptare në kushtet e sotme, kur Kosova është vend i pavarur me mbi 94% të qytetarëve të saj shqiptarë nuk mund të shtrijë kurrsesi veprimin e tij në Republikën e Kosovës dhe në qytetarët e saj me banim në Kosovë. Kjo detyrimisht kërkon një marrëveshje të veçantë midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës për këtë çështje”, shpreh Berisha në Facebook./Telegrafi/ /MALESIA.ORG/