Sipas elaboratit, komuna ekonomikisht e paqëndrueshme

Elaborati për fitimin e Komunës Tuz/Malësi, i cili u prezantua dje në KU Tuz, u refuzua nga ana e Komisionit i formuar për këtë çështje, ku u kërkua rishikim urgjent i studimit.
Sipas këtij elaborati, të ardhurat e komunës së ardhshme së Malësisë, do të ishin gati katër herë më të vogla nga ajo që tani merr nga Podgorica.

Kryetari i Kuvendit të KU Tuz, Fadil Kajoshaj (UDSH), ka akuzuar kryetarin e Komunës së Podgoricës, Miomir Mugosa, se po përpiqet të paraqesin Komunën e Malësisë si ekonomikisht të paqëndrueshme, shkruan gazeta “Vijesti”.

Në takimin e Komisionit për punimin e elaboratit të qëndrueshmërisë për Komunën e Malësisë, Kajoshaj tha se elaborati është punuar sipas porosisë së Miomir Mugosa, që Malësia të paraqitet si një vend i cili nuk mund të jetojnë pa Podgoricën.

Sipas informatave të malesia.org, sipas këtij elaborati, Komuna e ardhshme e Malësisë do të kishte një buxhet rreth 470 mijë euro. Kurse buxheti aktual, që KU Tuzi merr nga kryeqyteti është 1,9 milion euro.

Kryetari i KU Tuz, Fran Lulgjuraj, tha se versioni final i studimit të fizibilitetit ende nuk është punuar dhe se është ende herët të flitet për të, shkruan “Vijesti”.

Tenderin për punimin e elaboratit e ka fitua firma “Inestment and consulting DOO”. Sipas informatave të malesia.org, versioni i elaboratit i cili u prezantua dje, është joserioz dhe ka mungesa të dukshme.

Në këtë punim nuk përfshihen burime potenciale financiare për komunën e ardhshme të Malësisë. Aty nuk përfshihen kompani të mëdha siç janë “Plantaze” (vreshtat), “Roksped”, “Europact” por as tregu (pjaca) i madh në Tuz.

Sipas informatave të cilat posedojmë, ky elaborat ngjanë në studim me qëllim të arsyetojnë paqëndrueshmëri.

Elaborati të cilin e kishin dorëzuar gati dy vite më parë, deputetët Genci Nimanbegu dhe Vasel Sinishtaj, parashikonte që buxheti i ardhshëm i Komunës së Malësisë do të ishte 2,24 milion euro në vit.
Sipas atij studimi, komuna do të ishte ekonomikisht e qëndrueshme.  Ky elaborat është në procedurë në Parlamentin malazez dhe ka marrë vlerësim pozitiv nga Këshilli i ekonomisë. /MALESIA.ORG/