Pas të shtënave me armë zjarri në Skenderaj, afër xhamisë, është vrarë kandidati i AAK-së për Asamble Komunale të Skenderajt, Bekim Birinxhiku, rreth moshës 37 vjeçare.
Sipas burimeve të ORAinfo, në Birinxhikun është shtënë deri më tash nga persona të panjohur, derisa viktima ishte në veturë.
Ngjarja ka ndodhur sot pasdite rreth orës 16:15. Sipas burimeve të Kosovapressit, nga një veturë në lëvizje, dikush ka shtënë me armë në drejtim të viktimës, derisa ai ishte duke folur me telefon, ndërsa viktima është dërguar në QKMF-në e Skenderajt, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Kosovapressi ka provuar të kontaktoj me zëdhënësin rajonal të policisë në Mitrovicë, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Ndërkaq, sipas informacioneve që po vijnë në redaksinë e Zërit, autori dyshohet se është një polic. Edhe burimet e ORAinfo e konfirmojnë të njëjtën, se Birinxhiu është vrarë nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës me revole zyrtare.
Vrasjen e tij e konfirmon edhe AAK. Sipas një kumtese të kësaj partie, “AAK, duke u rezervuar nga kualifikimi i këtij rasti të rëndë dhe kriminal mbi jetën e Bekim Birinxhikut, fton organet e rendit dhe të drejtësisë që sa më parë ta zbardhin rastin”.
“Edhe pse nuk dihen motivet, fakti që vrasja është kryer një ditë para zgjedhjeve lokale në Kosovë, duhet t’i shtyjë organet e rendit dhe prokurorinë që ta zbardhin sa më parë këtë krim”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ua përcjellë ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve të Bekimit dhe të familjes Birinxhiku, veprimtarëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të AAK-së në Skenderaj dhe në mbarë vendin.
“Në vitet e luftës Birinxhiku ka qenë epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një prej luftëtarëve më të dalluar në Zonën Operative të Dukagjinit. Pas vitit 1999 njihet me kontributin e tij në ngritjen e strukturave TMK-së, pas transformimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës. Kujtimi për jetën dhe veprën e Bekim Birinxhikut do të jetë gjithmonë i pastër, ashtu siç ishte edhe vetë kontributi i tij, në luftën për lirinë e Kosovës, dhe pas saj, thuhet në telegramin ngushëllues të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj”, thuhet në kumtesë.
Zëdhënësi për informim i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, e ka konfirmuar për Zëri faktin se kandidati i AAK-së, Bekim Birinxhiku, është vrarë nga një pjesëtarë i policisë së Kosovës.
“Po është e vërtet që viktima është vrarë nga një pjesëtarë i Policisë së Kosovës mirëpo i cili ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe nuk ka të bëjë asgjë lidhur me ndonjë konflikt pune. Për tash kjo është e tëra që mund të them”, ka thënë Sadriu. /Zëri/ORAinfo/Kosovapress/