Pas një muaj fushatë elektorale, në t cilën të gjitha partitë politike janë munduar t’i bindin qytetarët për t’i votuar, sot filloi heshtja parazgjedhore për zgjedhjet lokale që mbahen nesër, e diel, 3 nëntor. Për të votuar në këto zgjedhje janë të regjistruar 1 milion e 779 mijë e 357 votues të ndarë në 38 komuna. Votimet mbahen në 798 qendra votuese.
Gara më e rreptë është zhvilluar për Prishtinën dhe fitoren në kryeqytet pothuaj e kanë proklamuar të gjithë garuesit për kryetar të Komunës. .
Në garë për kryetar komune e asamblistë janë mbi 100 subjekte politike. Sivjet, për herë të parë pas luftës, në zgjedhje marrin pjesë edhe serbët e veriut të cilët janë përkrahur edhe nga Beogradi zyrtar i cili i ka bërë fushatë e antifushatë nëpër Kosovë. Për këtë qëllim edhe dje në vendin tonë kanë qëndruar zëvendëskryeministri i Serbisë Aleksandër Vucic dhe dy ministra të tjerë, Aleksandër Vulin dhe Nikola Selakovic. Ata, nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës dhe me lejet verbale marrë nga Qeveria e vendit, kanë ftuar për votime në “mënyrë që Kosova të kthehet në Serbi”.
Votimet e të dielës monitorohen nga mijëra vëzhgues të huaj e vendorë.
Prania ndërkombëtare në Kosovë ka apeluar për zgjedhje të drejta e fer, për mos vjedhje e dhe për mos shitje të votave.
Mbarëvajtja ose jo e votimeve, thanë ndërkombëtar e vendorë, janë test për demokraci në vend dhe hap më afër integrimeve evropiane. /Koha Ditore/