Në një intervistë dhënë Radio Kosovës, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-malazeze, vlerësoi se ato janë shembull për vendet tjera të rajonit.
Në pyetjen e gazetarit se çfarë bën Shqipëria, konkretisht dhe çfarë kushtëzon nëse mund të shprehet ashtu, që territoret të banuara etnikisht nga shqiptarët të mos jenë në të njëjtat rrethana siç kanë qenë gjatë 100 vjetëve të fundit, duke theksuar edhe çështjen e Komunës së Tuzit , Bushati tha se mbështesin pikëpamjet që duhet të njihet statusi i komunës.
“Në lidhje me Malin e Zi. Mund të thuhet pa mëdyshje se marrëdhëniet shqiptaro malazeze janë marrëdhënie model, që duhet të ndiqen edhe nga vende të tjera të rajonit. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë apo se nuk ka asnjë çështje për t’u trajtuar në bisedimet shqiptaro-malazeze.
Ju përmendët rastin e Tuzit. Ne kemi mbështetur pikëpamjet që duhet të njihet statusi i komunës, sepse konfiguracioni aktual i përfaqësimit politik në Malin e Zi nuk reflekton në mënyrë proporcionale komunitetet e ndryshme që jetojnë në Malin e Zi. Besojmë se komuniteti shqiptar në Malin e Zi do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti në këtë Republikë sikundër ishte faktorit përcaktues për mëvetësinë e Malit të Zi. Edhe sa i përket Malit të Zi, jemi në kontakte të vazhdueshme me faktorin shqiptar atje.
Nxisim një qëndrim sa më koherent dhe sa më të unifikuar kur vjen puna për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e lirive të të drejtave legjitime të popullsisë shqiptare në Malin e Zi. Dhe, nga ana tjetër niveli i bashkëpunimit politik dhe ekonomik me këtë Republikë do të thosha që është një model për t’u marrë shembull edhe nga vende të tjera”, tha Bushati.
Konkretisht ? Ashtu si në Qeverinë e kaluar shqiptare edhe në këtë aktuale, marrëdhëniet shqiptaro-malazeze ishin/janë “MODEL”. /MALESIA.ORG/