Në një takim historik, qeveritë e dy shteteve shqiptare në Ballkan janë ulur sot përballë njëra tjetrës në mbledhjen e tyre të përbashkët. Pritësi i takimit dypalësh, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ulur përballë homologut të tij Edi Rama çeli dhe mbledhjen e qeverive, duke e vlerësuar këtë takim një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin.
“Jam shumë i privilegjuar për këtë takim të përbashkët. Nuk ka dyshim që qytetarët e Kosovës dhe Shqipërsië janë shumë të lumtur për takimin tonë të përbashkët, pasi ky takim do sjellë vendime të rëndësishme që do ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre. Dua tu përgëzoj për punën tuaj që po bëni, për frymën e re dhe politikat novatore dhe shpreh bindjen se ato do japin rezultate shumë shpejt. Jam i bindur që ekipi juaj do ja dalë me sukses në kapërcimin e vështirësive që keni përpara. Kjo mbledhje në këtë vend të shenjtë është një shenjë se mundi dhe gjaku i tyre do respektohet. Këto momente kanë qenë dhe janë përpjekjet për liri dhe pavarësi. Prej Lidhjes së Prizrenit historia ka qenë e mbushur me vuajtje, bastisje, luftra.Shpreh krenarinë për homologun tim Edi Rama që ishte ndër të parët intelektualë që iu kundërvu regjimit komunist. Ata kanë luajtur rol kyç në nxjerrjen e vendit nga izolimi. Por ne jemi sot këtu për të punuar për të ardhmen, nuk ka asnjë dyshim se shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe përfundimi i mbikqyrjes ndërkombëtare përbën një nga arritjet më të mëdha për dy shtetet shqiptare. Ky takim shënon një kapitull të ri për Kosovën, Shqipërinë dhe rajonin” tha ai.
Duke vlerësuar se ekziston vullnet i bollshëm politik mes palëve që marrëdhëniet mes dy shteteve tona të jenë shembull për rajonin, Thaçi tha se ekspertët e dy qeverive do punojnë bashkarisht për shqyrtimin e marrëveshjeve dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy qeverive.
“Ka vullnet politik si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë që marrëdhëniet tona të jenë shembull për të gjithë rajonin. Ndonëse jemi në një familje nuk do të thotë që lidhjet të mos kultivohen prandaj është momenti që të kultivohen dhe nevojiten moment të tilla për të çementuar këto marrëdhënie. Unë besoj se ekspertët tanë do të punojnë bashkarisht për shqyrtimin e marrëveshjeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit tonë. Qëllimi i këtij takimi ka qenë zbatimi i marrëveshjeve të mëparshme dhe forcimi i marrëdhënieve tona”, u shpreh Thaçi.
Thaçi theksoi gjithashtu se rruga e Kombit duhet të jetë më efikase për kalimin e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve.
“Rruga e Kombit duhet të rezultojë me një qarkullim më masiv të njerëzve. Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit duhet të përkthehet në një investim më të madh për dy shtetet, dhe do plotësojnë njëra tjetrën” tha Kryeministri kosovar.
Nga ana tjetër kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që në nisje të fjalës së tij ka qetësuar fqinjët se mbledhja e perbashket nuk cenon kufijte, duke theksuar se kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës është shumë i qartë dhe i patjetërsueshëm.
“Pikënisje e një forcimi dhe modernizimit të shteteve tona, pasurimit të jetës sonë kulturore. Është e vërtetë që jemi më shumë se qytetarë të dy shteteve fqinje, i takojnë një kombi me një gjuhë kulturë të përbashkët, por nëse mbledhja e përbashkët bëhet arsye trembjeje apo inkurajimi për këdo që ka shqetësime në lidhje me vijat kufitare dua të them se kufiri mes Shqipërisë e Kosovës është shumë i qartë e i patjetërsueshëm”tha ai.
Rama vlerësoi se kjo nismë është pikënisja e një rrugëtimi të përbashkët institucional për zhvillimin e Shqipërisë dhe Kosovës, forcimin e ekonomisë, thellimin e bashkëpunimit, pasurimin e jetës kulturore të dy vendeve.
“Rruga e re e bashkëpunimit që inaugurojmë sot duhet të zgjatet përtej mandateve tona. Perspektiva të reja dhe të ndryshme duhet të jenë për dy vendet. Janë 15 perspektiva konkrete bashkëpunimi, hapat e para të të cilave do të hidhen në këtë mbledhje historike. Rëndësi e posaçme do t’i jepet të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve tanë zyrtare. Kjo mbledhje përfshin një gjest të mirëpritur, në mbështetje të shqiptarëve të Preshevës. Kjo përpjekje tregon mbështetjen e dy qeverive shqiptare për pakicat shqiptare jashtë kufijve tanë”, tha Rama. /Express/MALESIA.ORG/