Stafi i Portalit Malesia.Org vizitoi z. Agim Gecaj, i cili kohëve të fundit i është përkushtuar punës artistike, konkretisht pikturës, duke paraqitur me mjeshtrin e lapsit, vijave dhe ngjyrës vlera të traditës dhe lashtësisë sonë.
Agim Gecaj me profesion është profesor i Gjuhës Angleze dhe këtë profesion e ushtroi më se 20 vite, në shkollën fillore në Skorraq. Familja është me origjinë nga Gjakova, por ai vet është i lindur dhe i rritur në Tuz të Malësisë së Madhe. Ka kohë që ka mbetur pa punë dhe kohën e lirë e plotëson duke u marrë me artin që e ka adhuruar tërë jetën, madje e ka ëndërruar që nga fëmijëria, siç deklarohet ai vet.
Në pikturat e tij gjejmë portrete të mrekullueshme si të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, Dedë Gjo Lulin, nobelistes nënë Terezës, pastaj pamje nga Malësia dhe imazhe nga jeta e malësorëve, si malësorët me faculetë, malësorin me lahutë, malësori dhe malësorja me çakshirë dhe xhubletë, etj.
Gecaj pohon se punimet i ka në shitje dhe se bënë edhe punime sipas porosisë së qytetarëve me idetë e tyre. Kryesisht këto punime bëhen me ngjyra dhe vaj akrilik në pëlhurë, si dhe me lapsin sephia.
Albert Camaj