Camaj: Nëse ne këtu nuk jemi të gatshëm në asnjë sakrificë, atëherë edhe sakrificat e diasporës janë të kota

Nikolle CamajNGA VIZITA NË SHBA – Nikollë Camaj

Prilli-muaji i Malësisë, këtu e në diapsorë

I ftuar nga Qendra Shpirtërore e Kulturore Shqiptare “Shën Pali” në Michigan dhe nga Shoqata patriotike “Malësia e Madhe”, në fillim të këtij prilli qendrova në një vizitë të shkurtër në SHBA. Edhe pse ftesa ishte për të marrë pjesë në disa aktivitete të cilat në këtë fillim-prilli i organozoi diaspora jonë: festimi i Kryengritjes së Malësisë dhe protesta në Washington, ishte ky një rast i volitshëm edhe për të njoftuar diasporën me rrjedhat politike në Malësi, të cilat, falë mjeteve të komunikimit publik, nuk janë aq të panjohura për ta. Përndryshe, prilli është muaji i Malësisë, këtu e në diasporë, sepse për respekt ndaj sakrificave të të parëve tonë, të prillit të vitit 1911, organizohen manifestime të ndryshme. Kështu prilli na përkujton se për të mirën e përgjithshme vlen dhe duhet bërë sakrifica. Pra, në këtë drejtim, udhëtimi në SHBA ishte një rast i mirë per t’u takuar e shkembyer mendime me aktivistë të atjeshëm, mbi atë se çfar do të duhej ndërmarrë në kohën qe vjen, me qëllim të përmirësimit të statusit të Malësisë, sidomos pas kërkesave që dualën nga protesta në Washington. Në ndërkohë edhe në Malësi e Plavë kishin ndodhur protestat. Kështu, edhe para vizitës së kryeministrit malazez SHBA-ve, për administratën amerikane ishte ndezur butoni i kuq, përsa i përket statusit të shqiptarëve në këtë shtet. Natyrisht se u mundova që të jap edhe kontributin tim në “skuqjen” e këtij butoni, pasi që bisedat, si në manifestimin e Kryengritjes, si në takime me grupet ne diasporë, Detroit e New York, si në takim me Eliot Engel, ashtu edhe në protestë, para Shtëpisë së Bardhë dhe para Ambasadës malazeze, ishin në drejtim të alarmimit të situatës, në rend të parë mbi pozitën e palakmueshme të Tuzit si komunë urbane, por edhe mbi papranueshmërinë e eksperimentit të ri për statusin e Malësisë. Gjithësesi protestat i dhanë një dimension të ri angazhimit për përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi, në përgjithësi, por potencuan edhe nevojën e një angazhimi më të kordinuar të spektrit politk shqiptar në vendlindje. Është interesant se në ndërkohë, si duket, si pasojë e këtyre aktiviteteve, ka ndryshuar retorika edhe në Malësi, sepse disa nga nënshkruesit e kërkesës për eksperimentin-komunë e kryeqytetit, e vlerësojnë atë si projektë të imponuar, me të cilin as ata nuk janë të kënaqur. Por retorika nuk mjafton pasiqë ata edhe tutje përkrahin propozimin dhe akoma nuk gjejnë forcë të duhur për t’a flakur atë si të papranueshëm, apo së paku, të sillen si të painteresuar për fatin e tij. Kjo nga fakti se, kaluar apo pa kaluar projektligji i ri, zgjedhjet e 25 majit do të bëhen për kuvendin e komunës urbane, prandaj kjo përkrahje nuk ka kuptim! Mbetet e paqartë nëse kjo përkrahje vje më tepër për interes të “lëvizjes nga vendi” e që megjithatë nuk do të ndodhë, apo për interes të ruajtjes së pozicioneve politike të PDS-së. Shtrohet pyetja, pse vallë të përkrahet një ekpseriment i cili i sjellë leverdi vetem partisë në pushtet!? Unë nuk besoj se ne mund të hecim përpara duke qajtur fatin politik te subjektit i cili eshtë meritor për situatën tonë të pazgjidhur, para se të qahemi për fatin tonë. Duhet ditur se vetem me dobesimin e dominimit te PDS-së në Malësi, ne kemi rastin që të ngjeshim radhët e subjekteve nacionale. Përndryshe, derisa ata të gëzojnë përkrahjen e subjekteve nacionale, të cilat sikur janë në garë se cila do të fitojë pozicionin pranë saj, e jo ta luftojnë për ta hellur atë në opozitë, zor se mund te llogarisim në angazhim të sinqert për ndryshim të statusit të Malesisë. Asnjëherë nuk guxojmë të harrojmë se kemi të bëjmë me një mashtrues dhe manipulues të dorës së parë, i cili di të përdorë mashtë, për të mos djegur duartë e veta.

Por t’i kthehem edhe një herë rastit që kësaj radhe më çoi në SHBA; së pari manifestimit që diaspora organizoi për nderë të 6 Prillit. Sivjet, ky manifestim ishte nën hijen e dy ngjarjeve tragjike, dy humbjeve të mëdha për Malësinë, njëna këtu në Malësi e tjetra në SHBA, prandaj shfrytëzoj rastin që edhe përmes këtij shkrimi të shprehi dhimbjen, duke bashkëndie me familjet Gjokaj e Junçaj. Manifestimi në Detroit me të vërtet ishte në atë nivel që u ka hije malësorëve që bashkëndjenjë me dhimbjen e tjetrit; (pa muzikë argëtuese; vetëm hymnet, vallet e fëmijëve dhe dy rapsodi, që te ne janë kënduar edhe në raste vaji). Në mesin e qindra shqiptarëve kishte edhe majft mysafirë, zyrtarë amerikanë, ndër ta edhe miku i Malësisë kryebashkiaku i Rochester Hills, kandidati për Kongres, z. Bryan Barnet. Përpos pjesëmarrjes në këtë eveniment tradicional, falenderoj rastin që më mundësoi të gjindesha prezent në mesin e më se një mijë shqiptarëve në protestë në Washington. Vërtet duhet shpreh respekt për një organizim të shkëlqyer dhe për pjesëmarrje në atë numër. Duhet pasur parasyshë se nga qendrat ku jetojnë shqiptarët, e deri në Washington duhet udhëtuar prej 6 deri në 11 orë, në një drejtim. E gjithë kjo, me të vetmin qëllim: ushtrimi i trysnisë mbi faktorin amerikan për të ndikuar në përmirësimin e statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse veprimi i dikujt matet me sakrifica, atëherë kjo ishte një sakrificë e diasporës sonë, donëse rezultatet tek duhet t’i presim. Por ato nuk varen vetëm nga sakrificat në diapsorë, por edhe nga sakrificat këtu. Nëse ne këtu nuk jemi të gatshëm në asnjë sakrificë, apo jemi të kënaqur, atëhere edhe sakrificat e diasporës janë të kota. Unë dua të shpresoj se nuk do t’u shkojë mundi bosh. Dua të shpresoj se sakrificat e tyre, njëlloj si edhe sakrificat e të parëve tonë, do t’i kuptojmë si amanet që edhe ne t’i dalim zot vetes, t’i dalim zot Malësisë sonë!