Pritët që së shpejti të japë dorëheqje nga vendi i deputetit në Parlamentin malazez Nik Gjeloshaj, i cili do të kthehet përsëri në funksionin e drejtorit të Drejtorisë për Arsim të përfaqësuesve të popullit pakicë në Mal të Zi, transmeton portali Ul-info.
Deputeti i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj në këtë detyrë në Qeverinë e Malit të Zi ishte deri në fillim të marsit të vitit të kaluar, kur mori postin e deputetit nga Fatmir Gjeka i Partisë Demokratike.
Sipas marrëveshjes së koalicionit (PD-ASh-LDnëMZ), Gjeloshajn në Parlament do ta zëvendësojë lideri i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi Mehmet Bardhi.
Deri te rotacioni i deputetëve, para dy muajsh duhej të kishte ardhur edhe në koalicionin tjetër shqiptar, në mes të Genci Nimanbegut nga Forca dhe Vasel Sinishtaj nga Iniciativa Qytetare, megjithatë deri me tani rotacioni nuk ka ndodhur në asnjërin koalicion, përveç akuzave të Bardhit dhe Sinishtajt ndaj partnerëve të tyre të cilët, sipas tyre nuk po respektojnë marrëveshjen e koalicioneve. /MALESIA.ORG/