Ajo është një shqiptare që ka jetuar në katër anët e botës, por së fundi, bashkë me familjen e saj ka përzgjedhur Londrën si vendqëndrim, vend i cili dalëngadalë po ia bën edhe ëndrrën realitet. Themeluese e Galerisë “Balkan Artist Guild”, Kristale Ivezaj Rama ka për qëllim promovimin e artistëve ballkanik në një ndër vendet më me ndikim në Botë, Londër. Në një intervistë për KultPlus Kristalja ka shpjeguar se qëllim i Galerisë është jo vetëm promovimi i artistëve të mëdhenj, por edhe të atyre që pak kush i njeh, por që i bind me talentin e tyre. Edhe Viti 2015 tashmë është projektuar në kokën e Kristales, por si fillim i ka vënë vetës qëllim lansimin e uebit të kësaj Galerie ku synohet prezantimi i punime të ndryshme artistike, por edhe shitja e tyre
Ardianë Pajaziti
KultPlus: Jeni themeluese e “Balkan Artist Guild”, në Londër, që ka për qëllim promovimin e artistëve ballkanik, në një metropol sikur është Londra, çfarë ju inspiroi që të themeloni këtë qendër?
Kristale Ivezaj Rama: Arti është tema që ripërsëritet në jetën time, më përcjell dhe është me mua, jam artiste në zemër, jam kolektore e artit dhe jetoj në një qytet i cili është qendër e Botës së kulturës. Me më se 249 muze dhe galeri, Londra e do artin. Çka vërej më shumë në Londër, në krahasim me qytetet tjera ku kam jetuar, punuar ose që kam vizituar, është vlerësimi dhe respekti ndaj artit. Është vend perfekt për të krijuar një platformë për Ballkanin në tregun e artit, që nuk ka ekzistuar më parë, ose ka qenë i zymtë. Shenjat kanë qenë të gjitha që një galeri si BAG duhet të ekzistojë. BAG nuk është vetëm platformë, është dialog i domosdoshëm. Ëndrra ime përfundimtare është që nga artistët tanë të Ballkanit të krijojmë emra familjar, dhe ndiej që Londra është vend perfekt për realizimin e misionit të artistit dhe galerisë BAG.
KultPlus: Kultura londineze dhe ajo ballkanike, në çfarë pike të përbashkët e sheh kulturën në mes Ballkanit dhe Anglisë?
Kristale Ivezaj Rama: Anglia, sikurse shtetet e Ballkanit, është e ngjashme në mënyrë që cdo kush graviton drejt kryeqytetit, për punë, edukim dhe mundësi – oportunitete. Llojllojshmëria ekziston në të dy hapësirat, si në Ballkan dhe Angli, mirëpo Londra është tjetër për arsye se ka edhe më shumë llojllojshmëri – diversitet, e poashtu është qytet i fuqishëm ekonomikisht. Ura që i bashkon këto dy regjione, dëshiroj të them se është Balkan Artists’ Guild.
KultPlus: Nëse flasim për artistët që kanë promovuar punën e tyre në qendrën Balkan Artists’ Guild, cilit krijim i jepni përparësi, krijimeve postmoderne, apo edhe atë që artistët mund të shpalosin rrënjët e tyre, prej vendeve edhe nga vijnë?
Kristale Ivezaj Rama: Nuk ka preferencë të stilit, përveç që identifikojmë talent dhe punë origjinale. BAG kërkon të gjeje dhe të promovojë talente ende të pazbuluar nëpër të gjithë rajonin, pa marr parasysh moshën, edukimin, apo historinë e artistit, për të edhe thirremi Balkan Artists’ Guild. Guild do të thotë asociacion i personave me veprimtari të njëjtë, ose në kërkim të një gjëje të njëjtë. Është fjalë e vjetër angleze që do të thotë një grup i fuqishëm i njerëzve krijues, dhe kjo është ajo që ne duam të jemi. Secili artist kontribuon në mënyrë të veçantë për Galerinë tonë, dhe në Botë. Ne nuk e favorizojmë një stil në krahasim me tjetrin, arti është subjektiv, çdo kush ka mendime të ndryshme, mirëpo është një e përbashkët me artin që BAG prezanton, ashtu që është unik dhe komunikon në mënyrë efektive. Si kurator të artit ne duhet të jemi të aftë të tregojmë për punën tonë. Talenti, aftësia, tregimi prapa punës, që të gjitha janë faktor kontribuues në procesin e vendimmarrjes, se a mundemi apo jo të punojmë me artistin dhe të promovojmë punën e tyre. A ndihemi krenar të ndajmë diçka me Londrën dhe Boten. Pra, nuk është personi, por është krijimtaria e tyre dhe se si ajo ndikon tek të tjerët.
KultPlus: Tash së fundi keni paralajmëruar se artistja shqiptare, Alketa Xhafa Mripa do të prezantohet në marsin e vitit të ardhshëm në “Balkan Artist Guild”, nëse do të guxojmë të hyjmë më thellë në këtë prezantim, çfarë do të prezantohet nëpërmjet kësaj ekspozite?
Kristale Ivezaj Rama: Ndihemi shumë fatlum të kemi edhe Alketën si pjesë te BAG. Ajo është artiste e njohur që ka ekspozuar nëpër shumë vende të Botës, dhe kërkohet shume shpesh. Në vitin 2008, si pjese e re.act feminism në Berlin, filmi i saj “Dad and Me”, është paraqitur pas punës së Yoko Onos, kjo tregon respektin dhe kalibrin që komuniteti i artit ka për punën e Alketës. Ka arsye për këtë, ajo është e patrembur dhe e zhytur në mendime të thella. Në vitin 2005 ka fituar çmimin prestigjioz Young British Artists Award në Londër. Punët e saj janë të ekspozuara në Muzeun Chaville në Francë. Historiani i artit nga Kosova, Shkelzen Maliqi, e përshkruan punën e saj me një frazë shumë të famshme ‘’In the beginning’’ – që do të thotë “Në fillim” , dhe mendoj se kjo është mënyra më e mirë për ta përshkruar punën e Alketës. Ajo fillon nga burimi dhe është shumë e tërthortë në prezantimin e mesazhit. Puna e saj është provokative në atë sens ku i shtyn njerëzit të flasin. Në të kaluarën punët e saj shumë shpesh janë parë me vëmendje, kompleksitet dhe dinamikë të sfidave gjinore, nuanca zakonisht është e njëjtë, ashtu që ajo dëshiron të zbulojë temat të cilat zakonisht shmangen. Tash që ajo është e tre fëmijëve të mrekullueshëm, puna e saj ka evoluar në nivel tjetër, prej perspektivës të artistit dhe të nënës. Kjo ekspozitë do të jetë nga kjo pikë e jetës së saj, si dhe pozitën e femrës në familje, të cilat janë të konsideruara si të papërshtatshme për diskutim. Alketa ekzaminon një numër të madh të këtyre sfidave të ndërlidhura në një mënyrë shumë të thellë emocionale. Jam fanse e madhe e punëve të cilat i ka krijuar deri më tani Alketa, mirëpo posaçërisht jam e eksituar për punët që do të paraqiten në këtë ekspozite, sepse besoj që janë më të fuqishmet deri më tani.
KultPlus: Personalisht ju, njihni vetëm artistët që qarkullojnë nëpërmjet qendrës suaj, apo keni prekur edhe krijimtari më të gjerë të artistëve shqiptarë, qoftë në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi…?
Kristale Ivezaj Rama: Vij nga një familje artistesh nga të dy anët, babai i burrit dhe prindërit e mi. Jemi rritur të rrethuar nga artistët. Babai i burrit, i ndjeri Kadrush Rama, është referuar si Monet i Ballkanit. Pra po, para kësaj kam qenë e familjarizuar me artistë nga regjioni, mirëpo kërkimet vazhdojnë. Artisti gjenial gjendet në rrugë, në fshatra, duke përfunduar universitetin, artistët mund të dalin në çdo kohë dhe nga çdo vend . Jemi në kërkim konstant për këta njerëz, nuk ka rëndësi se a janë duke jetuar dhe vepruar në Ballkan, apo janë pjese e diasporës në vende të ndryshme të Botes. Rrjeti ynë është i gjere.
KultPlus: Nëse e krahasojmë me periudhën e shkuar, mund të themi se janë ditë më të mira për artistët shqiptarë që po kanë mundësi që të depërtojnë në shtete të ndryshme të Botës, cili është perceptimi i juaj?
Kristale Ivezaj Rama: Po definitivisht. Me mediat sociale artistët kanë më shumë ekspozim, ka shumë më shume platforma, komunikimi është më i lehtë. Njerëzit mund të flasin dhe ndajnë krijimtarinë e tyre shumë më shpesh se që kanë mundur të bëjnë në të kaluarën. Edhe me portalin KultPlus , artistet mund të marrin lajmet se kush çfarë bën dhe ku bën. Njerëzit mund të gjejnë informata për organizata dhe Galerinë BAG, nëpërmjet internetit. Pra mediat sociale e bëjnë jetën shumë më të lehtë për artistët serioz të cilët krijojnë për të jetuar.
KultPlus: Nëse do të bëje një analizë në krijimtarinë e artistëve ballkanik, mendoni se kanë kapërcyer epitetin e një kulture ballkanike, apo edhe më mund të dallohen se janë artistë prej një vendi që vijnë nga poshtë?
Kristale Ivezaj Rama: Gjithsesi, Ballkani ka një histori shumë të pasur dhe komplekse. Kjo e efekton kulturën e çdo grupi, të çdo familje dhe të secilit individ. Edukimi, shoqëria, historia, gjuha, të gjitha këto janë parametra që efektojnë mënyrën se si ne mendojmë dhe ndihemi në nivelin e ndërdijës tonë. Kurrë nuk e dimë saktësisht se si kjo listë e gjatë e parametrave e efekton mendjen e njeriut dhe mundësinë e krijimit. Ajo se çka artistët nga Ballkani kanë për të kontribuar në dialogun artistik dhe në Botën e artit nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Shoh edhe shume kopjues, dhe mendoj se për shkak të historisë së re turbulente dhe kaosit ekonomik në Rajonin e Ballkanit ka mungesë konfidence. Nuk është se duhet të jemi si artistët e perëndimit apo dikush tjetër, duhet të gjejmë vetveten dhe vendin tonë unik. Njerëzit mendojnë se duhet të pasqyrojnë artistët tjerë në mënyrë që të merren seriozisht. BAG është për të zbuluar talent të jashtëzakonshëm dhe për ti shpërblyer, pra jo kopjues. Ne, me aktivitetet tona duam që të ngrisim konfidencen në regjion. Arti është po aq serioz sa është i kënaqshëm.
KultPlus: Dhe për fund, pos paralajmërimit të ekspozitës së Xhafa Mripës, çfarë janë projektet tjera që do të prezantohen në “Balkan Artist Guild”,përgjatë vitit 2015?
Kristale Ivezaj Rama: Lansimi i ueb faqes tonë. Jemi duke punuar në Galerinë e cila do të jetë online, dhe do të prezantojë punimet e artit të një grupi të selektuar artistësh, disa që janë të panjohur dhe të tjerë që janë tani të themeluar në tregun e artit. Do të jetë një Galeri online për të parë dhe për të blere artin. Ideja është që të ketë mundësi aksesi tek artistet dhe krijimtarinë e artisteve të Ballkanit nga i gjithë rruzulli tokësor. Ne jemi Galeri në lëvizje. Ne vitin 2015 kemi edhe dy ekspozita tjera. Për momentin nuk kam mundësi të ndaj më shumë hollësi, mirëpo parashikojmë të kemi 2 ose 3 ekspozita gjate secilit vit me artistë nga Ballkani dhe me mysafirë si mediat, pronarë të Galerive dhe blerës dhe kolektor të artit. Ueb faqja është edhe një projekt i madh prej të cilit artistët do të perfitojnë drejtëpërsëdrejti. Jemi shumë të eksituar për këtë projekt./KultPlus.com