Deputeti në Parlamentin malazez Genci Nimanbegu deklaroi se letra e hapur të cilën kësaj parti dhe atij personalisht ia ka drejtuar kryetari i Iniciativës qytetare Vasel Sinishtaj është “nën çdo nivel”.
“Çdo kush ka të drejtë të vendos si do të reagojë, ndërsa ai e bëri këtë gjë nën çdo nivel. Për këtë do ti përgjigjem me letër të hapur”, tha Nimanbegu për gazetën “Pobjeda”.
Ai gjithashtu foli edhe për marrëveshjen e koalicionit që kanë me DPS-në e të cilën e vlerëson se duhet të rishqyrtohet, sepse, siç tha ai, gati asgjë nga kërkesat politike të shqiptarëve nuk janë realizuar.
Duhët të bisedohet për bashkëpunim e ardhshëm ose për shkëputjen e atij bashkëpunimi, tha ai.
“Çka është me kufirin e të mirave detare, ai vazhdon të jetë kufi diskriminues prej disa kilometrash, që nuk është rast, për shembull, në Budvë dhe Tivar. Kemi dy komuna të reja, ndërsa nuk e kemi komunën e Tuzit”, tha Nimanbegu.
Ai tha se gjithnjë ekziston distancë e madhe etnike ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.