Partitë shqiptare përçanë elektoratin

subjekte politike shqiptare ne mal te ziFormimi i shumë partive politike nga radhët e shqiptarëve në Mal të Zi, ka shkaktuar pakënaqësi dhe reagime të shumta në opinionin publik.
Analistët vlerësojnë se këto parti, që veprojnë të ndara dhe të përçara e kanë çorientuar elektoratin shqiptar, transmeton Zëri i Amerikës.  Ata nuk e përjashtojnë mundësinë që në një të ardhme, kjo shpërndarje e votës nëpër disa parti, të rrezikojë përfaqësimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Te shqiptarët në Mal të Zi veprojnë 12 parti politike që paraqet një numër rekord në raport me numër të vogël të popullatës shqiptare në këtë vend.

“Rezultatet janë dëshmuese se ka sjellur vetëm dobësi në funksionimin e subjekteve politike shqiptare, dhe në anën tjetër te elektorati ka pësuar një ndryshim negativ. Ka rrezik që shqiptarët të mbesin pa përfaqësim në parlamentin e Malit të Zi, për faktin që pikërisht këta kanë bërë, gjë për të cilën nuk ka faj populli”, ka thënë analisti Shaban Peraj.

Ai tha se faji dihet si i kujt është dhe për çfarë e bëjnë duke theksuar se gjëndja e shqiptarëve  është urgjente.

Ndërsa analisti Gjekë Gjonaj tha se përçarja e faktorit politik shqiptar, ndjeshëm ka ndikuar në një pjesë të madhe të trupit votues që të humbasin besimin tek liderët e tyre politik, një sjellje e tillë që mund të sjellin në humbjen edhe të pushteti qendrorë.

“Liderët tanë politik, nuk kanë arrit as pas 25 vite pluralizëm, që të bëjnë unifikimin e votuesve shqiptarë, përkundrazi, në masë të madhe dhe kanë ndikuar në ndarjen e votave shqiptare, dhe në përçarjen e elektoratit shqiptarë. Bashkimi i faktort politik shqiptar është i mundur vetëm nëse liderët politik tonë i tejkalojnë inatet e tyre personale sepse vetëm kështu ata mund të hapin rrugë për një bashkëpunim në mes subjekteve politike shqiptare”,  ka thënë analisti Gjekë Gjonaj.

Edhe subjektet politike e shohin si problem veprimin e shumë subjekteve politike shqiptare.
Kryetari i partisë më të madhe shqiptare, Forca e Re Demokratike, Nazif Cungu është i vetëdijshëm se kjo ndarje shkakton një dëm të madh tek elektorati.

“Besoj se të gjithë e kemi të qartë se përçarja askujt nuk i shkon në favor. Përçamjet e mëtutjeshme mund të bien edhe deri në zvogëlimin e përfaqësuesve shqiptare në nivelin lokal por dhe në atë parlamentarë, gjë e cila ka dëshmuar edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, ku kishim mundësi të fitonim 3 deputet, por fituam dy.
Një platformë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve do të na mundësoj që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që të dalim ndoshta me një listë ose më së shumti me dy lista”, ka thënë Nazif Cungu. /MALESIA.ORG/