Komuna e Ulqinit ka shpallur qytetarë nderi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën dhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin. Ceremonisë i parapriu një takim katërpalësh në mes të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, kryetarit të komunës së Ulqinit Fatmir Gjekës dhe presidentit malazias Filip Vujanovic.
Nikoqiri i kësaj ceremonie, Fatmir Gjeka, tha se prania e dy personaliteteve të shquar të Shqipërisë dhe Kosovës po e bën edhe më të madhërishme festën e Ulqinit.
Këtë çmim Ramës dhe Thaçit ia dorëzoi kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka, i cili solli atë vendim. Në arsyetim ai tha se kryeministri i Shqipërisë dhe ministri i Kosovës kanë kontribuar në marrëdhëniet e gjithanshme të Malit të Zi me shtetet e tyre, bashkëpunimit regjional dhe përmirësimit të pozitës së Shqiptarëve në Mal të Zi.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Ballkani po hedh hapa të vendosur në kohën e re të paqes dhe se na takon të gjithëve së bashku, në këtë kohë të re të paqes, të jemi sa protagonistë aq edhe nxitës të forcimit të lidhjeve të paqes mes njëri-tjetrit.
“Prej një viti ne kemi rritur bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, me të cilën kemi hedhur hapa të vendosur dhe të konsiderueshëm drejt bashkimit të forcave të ideve dhe të programeve në shumë fusha. Kjo mbështetet në ëndrrën tonë të re që të gjithë shqiptarët të jenë të bashkuar, por edhe në modelin e ri të bashkimit që është ai në Bashkimin Evropian. Pa asnjë dyshim, ne do të ecim përpara drejt bashkimit kombëtar, por pa harruar asnjëherë se ideja e bashkimit kombëtar sot, në shekullin XXI, është ide e bashkimit të gjithë shqiptarëve në familjen e madhe të BE-së”, tha Rama.
Ndërsa, zëvendëskryeministri Thaçi, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha se Kosova e njeh Malin e zi dhe Mali e Zi e njeh Kosovën përmes Ulqinit. Ai theksoi se me hapjen e Universitetit të Prishtinës ishte hapur edhe një dritare për ulqinakët, derisa për fëmijët e Kosovës tha se janë rritur me vargjet e Hajro Ulqinakut në shkollat fillore. /MALESIA.ORG/