Maqedoni, përfundon operacioni i policisë në Kumanovë, 22 të vdekur, mes tyre 8 policë

kumanove3

 

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka përmbyllur aksionin policor në lagjen e “Trimave” në Kumanovë me një bilanc tragjik.

Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski tha se në përleshjen e armatosur kanë humbur jetën 8 policë dhe 14 pjesëtarë të grupit të armatosur, të cilët ai i ka quajtur “persona me uniformë”. Ai bëri të ditur se 37 policë janë plagosur, ndërsa 30 persona të armatosur i janë dorëzuar policisë.

Kotesvki tha se organizatorë të sulmit kanë qenë 5 persona, tre prej të cilëve i janë dorëzuar policisë.

Qëllimi i grupit të armatosur, sipas policisë, ka qenë që nga fillimi i majit të nisë me sulme ndaj institucioneve.

Operacioni i policisë maqedonase në lagjen e “Trimave” në Kumanovë, të banuar me shqiptarë, që ndodhet rreth 700 metra nga qendra e qytetit, nisi mëngjesin e ditës së shtunë.

Në këtë lokalitet u stacionuan forca të shumta të policisë, të cilat bllokuan rrugën drejt lagjes ku ka ndodhur përleshja.

Sipas ministres së Brendshme, sulmuesit ishin nga Maqedonia dhe nga një vend fqinj, të cilit nuk ia përmendi emrin. Jankullovska tha se personat e armatosur ishin të pajisur me armë automatike, granata dhe snajper.

Ndërkohë, përfaqësitë e SHBA-ve dhe BE-së në Shkup dënuan dhunën dhe bënë thirrje për të ruajtur qetësinë, e për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Edhe partitë politike shqiptare kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë ftuar qytetarët, që të mos bien pre e provokimeve.

Qeveria e Maqedonisë ka mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar mbi këtë ngjarje të rëndë, për të cilën ka shpallur edhe dy ditë zie, duke nisur nga dita e diel 10 Maj, e deri të hënën më 11 Maj.

———————

Kumanovë: Lufta me policinë, vriten 4 personat e armatosur dhe njëri vetëvritet

Aksioni policor në Kumanovë ka përfunduar. Grupi i të armatosurve është zhbërë krejtësisht.
Në prangat e policisë janë 26 vetë, pasi u dorëzuan me flamur të bardhë.

Policia po përcakton numrin e të vrarëve në radhët e grupit të armatosur, por nga të dhënat jozyrtare mësohet se ai është i madh.

Zhurnal raporton gjithashtu se dorëzimi i të armatosurve të tjerë ka shkuar keq, pasi njëri nga ta ka qëlluar një polic, duke sjellë reagimin e pjesëtarëve të Policisë.

Si pasojë, mësohet se pesë nga të armatosurit kanë mbetur të vrarë dhe një polic gjithashtu.

Gjatë negocimit, ishte rënë dakord që përveç 12 të armatosurve të dorëzohen edhe katër të plagosur nga radhët e tyre.

Ministrja e brendshme e Maqedonisë Gordana Jankullovska në konferencën për media njoftoi për bilancin e përleshjeve të sotme në Kumanovë, me ç’rast theksoi se nga radhët e MPB-së kanë mbetur të vrarë 5 police derisa mbi 30-të kanë mbetur të plagosur.

Jankullovska u shpreh se MPB-ja nuk ka informata për civil të plagosur, ndërsa ka viktima edhe nga ana e grupit te armatosur por nuk e dinë numrin e saktë të tyre.


kumanove2

Ekskluzive / Pamje të orës 20:27 nga Kumanova, krismat vazhdojnë (VIDEO)

Pavarësisht lajmeve për dorëzim të një pjese të personave të armatosur dhe përfundim të aksionit, videot që vijnë ngaKumanova vërtetojë të kundërtën.

Portali Albeu.com ka siguruar një video të regjistruar në orën 20:27, ku dëgjohen krisma armësh të vazhdueshme.

Që krismat vazhdojnë lehtësisht vërtetohet, ndërsa nëse vërtetë ka luftime apo bëhet fjalë për diçka tjetër, është e vështirë të konfirmohet. 

 

kumanove

“Luftë” në Kumanovë, policia përplasje me një grup të armatosur

Forca të mëdha policore mëngjesin e sotëm kanë nisur një aksion në lagjet shqiptare të Kumanovës, ku si pasojë e përleshjes së armatosur raportohet të jenë vrarë pesë civilë shqiptarë dhe janë arrestuar shumë të tjerë. Në këtë konflikt thuhet të jenë vrarë dhe plagosur edhe disa pjesëtarë të policisë maqedonase.

Banorët shqiptarë të Kumanovës kanë rrëfyer për tmerrin që kanë përjetuar në mëngjesin e sotëm, duke konfirmuar vrasjen e një familjeje shqiptare tre anëtarëshe ndër ta edhe të një vajze 8-vjeçare edhe të dy qytetarëve të tjerë.

Nga fotografitë dhe xhirimet e bëra shihen edhe arrestimet e kryera nga policia maqedonase, sikurse edhe autoambulanca që ka transportuar në spitak policët e vrarë dhe të plagosur.

Zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski ka konfirmuar për gazetën “Lajm” përleshjen e armatosur midis policisë dhe një grupi të armatosur.

“Aksioni policor ka filluar herët në mëngjes, pas informacioneve për lëvizje të një grupi të armatosur në atë pjesë të Kumanovës”, theksoi Kotevski. /Telegrafi/MALESIA.ORG/