Rëndësia e Historisë Kombëtare në përmbajtjen e teksteve mësimore të lëndës së Historisë për klasat ﴾VI-IX﴿ të shkollave shqipe në Mal të Zi

Zef Ujkaj 2Historia, si një shkencë humane, është thelbësore në zhvillimin e shoqërisë, pasi përqendrohet kryesisht në aktivitetin njerëzor. Duke u bazuar në studimin dhe shpjegimin sistematik të së kaluarës jemi në gjendje të interpretojmë me objektivitet zhvillimet aktuale dhe të parashikojmë zhvillimet e së ardhmes. Parë në këndvështrimin e zhvillimit të saj si lëndë mësimore studimi i historisë ka një rëndësi të veçantë në formimin e personalitetit të nxënësit në një sërë aspektesh, si ai human, shoqëror, kulturor dhe politik. Ajo zhvillon mendimin kritik, qëndrimin e nxënësve në lidhje me studimin e saj, nxit aftësinë për të vlerësuar shoqërinë ku ata bëjnë pjesë, i ndihmon për t’u informuar, për të diferencuar supozimin prej faktit, për të respektuar përpikërinë e burimeve historike me shmangien e analogjisë false e për të studiuar trashëgiminë e tyre historike. Realizimi i procesit mësimor të lëndës së Historisë synon një prezantim korrekt, të vërtetë dhe të larmishëm të saj.

Për të njohur dhe studiuar historinë botërore, kulturën dhe qytetërimin e popujve të tjerë, së pari duhet të njohësh dhe të vlerësosh historinë e popullit tënd. Por për nxënësit tanë është vërtet e vështirë të marrin informacionin e duhur mësimor në lidhje me historinë e popullit të tyre, pasi tekstet mësimore të hartuara nga Enti i Teksteve dhe Mjeteve Mësimore – Podgoricë nuk ua mundësojnë këtë.

Tekstet mësimore të përgatitura nga ky institucion dhe të miratuara nga Ministria e Arsimit të Malit të Zi përmbajnë informacion historik mjaft të kufizuar dhe të paqartë të historisë kombëtare shqiptare.

Më poshtë kam renditur tri prej problematikave kryesore që meritojnë vëmendje, prej të cilave do të shqyrtoj në mënyrë analitike çështjen e fundit.

  1. Pikësëpari Ministria e Arsimit të Malit të Zi premtoi se librat e historisë për shkollat ku mësimi bëhet në gjuhen shqipe duhet të përmbanin 20% të lëndës Histori Kombëtare, premtim i cili jo vetëm që nuk u mbajt, por dhe vështirësoi procesin pasi nuk u dha asnjë informacion i detajuar sesi ky 20% duhet të plotësohet apo realizohet me tema të veçanta.
  2. Së dyti asnjë nga hartuesit e teksteve mësimore të lëndës së historisë nuk është i kombësisë shqiptare. Autorët e këtyre teksteve nuk janë mbartës të historisë dhe kulturës, gjuhës dhe traditave tona dhe me sa duket ata jo vetëm që cungojnë informacionin, por dhe përpiqen për të sjellë të dhëna të pasakta duke synuar asimilimin dhe tjetërsimin e popullsisë shqiptare në Mal të Zi. Mangësitë e paraqitura në tekstet shkollore aktuale për lëndën e historisë dhe mungesa e njohurive mbi të kaluarën rrezikojnë të çojnë në harresë dhe humbje të identitetit.
  3. Së treti, duke studiuar me kujdes këto tekste ajo çka përbën shqetësim është zhvillimi i temave të caktuara ﴾marrim si shembull “Ilirët dhe kultura e tyre”﴿ të cilat nuk përbëjnë një kapitull të veçantë, por trajtohen si nënçështje duke mos iu dhënë rëndësia e merituar ﴾si për shembull në rastin e mësipërm ku tema zhvillohet si nënçështje në kapitullin e “Parahistorisë” dhe nuk trajtohet më gjerë﴿.

Përmbajtja e teksteve aktuale për Historinë Kombëtare në librat e Historisë të klasave

(VI-IX﴿ të shkollave shqipe në Mal të Zi

Librat aktualë të lëndës së Historisë, pjesë e programit mësimor për shkollën fillore dhe nëntëvjeçare shqipe në Mal të Zi nuk kanë të përfshirë në përmbajtjen e tyre një pjesë të konsiderueshme të ngjarjeve historike kombëtare dhe për rrjedhojë do të jenë pika ime e referimit për t’u analizuar dhe për të sugjeruar plotësimin dhe përmirësimin e tyre.

  1. Libri “Historia” për klasën e 6-të të shkollës fillore-nëntëvjeçare, hartuar prej Millada Kasumoviq – Goran Markoviq, Podgoricë 2002, nuk përmban asnjë kapitull të veçantë për historinë shqiptare midis 5 kapitujve të tij.
  • Sipas gjykimit tim personal mendoj se është e udhës t’i shtohet këtij libri një kapitull i veçantë me temë “Ilirët dhe kultura e tyre”, temë e prekur përciptazi në një prej kapitujve të këtij teksti, fq. 17-19 si një çështje e dorës së dytë, e shpjeguar jo me më tepër se 29-30 rreshta për t’u lexuar nga nxënësi. Vlen të përmendet se materiali i përgatitur nga hartuesit nuk është i plotë dhe i saktë.

Pra një tekst i paktë dhe disinformues jo vetëm që nuk përcjell te nxënësi informacionin e dëshiruar, por ngre dhe pikëpyetje për vërtetësinë dhe rëndësinë e temës në fjalë. Dhe pse pikërisht Ilirët si të ishte një informacion i parëndësishëm, trajtohet kaq pak ndërkohë që përshkruhet në mënyrë analitike historia greke e romake si dhe historia e Lindjes së Lashtë?

Ilirët përmenden në tekst si banorë të ardhur nga Evropa e mesme dhe të vendosur në këto troje në mijëvjeçarin e II- të para erës së re. Por burimet historike tregojnë që Ilirët janë popullsi autoktone. Nuk përmendet asgjë në lidhje me shtrirjen e tokave ilire, origjinën, fiset, mbretërit ilirë, luftërat ilire apo pushtimet e tokave të tyre, kryengritjet e tyre kundër pushtuesve, zakonet, mënyrën e jetesës, vendbanimet, jetën ekonomike dhe shoqërore të tyre.

Të gjitha këto mangësi të vërejtura në tekstin mësimor të historisë do të shërbejnë si një sugjerim për zhvillimin dhe trajtimin e temës “Ilirët dhe kultura e tyre” në një kapitull të veçantë të këtij libri midis 5 kapitujve të tjerë dhe e gjitha kjo nuk do të përbënte më shumë se 20% të lëndës. Pra do të ishte e një interesi parësor për nxënësit shqiptarë trajtimi i detajuar i temës së mësipërme në lidhje me paraardhësit e tyre që përbëjnë gurin e themelit për vazhdimësinë e historisë dhe qytetërimit në këto troje.

  1. Libri “Historia” për klasën e 7-të të shkollës fillore-nëntëvjeçare, hartuar prej Radovan Popoviq – Dragan Miranoviq, Podgoricë 2007, po ashtu nuk përmban asnjë kapitull të veçantë për Mesjetën shqiptare, përpos zhvillimit të nënçështjes “Shqiptarët në Mesjetë”e përmbledhur në dy faqe libri 69-70 si pjesë e kapitullit “Gadishulli ballkanik në kohën e pushtuesve osmane”.
  • Ajo që të bie në sy sapo lexon përmbajtjen e këtyre faqeve është fjalia “Shqiptarët nuk e kishin shtetin e vet në Mesjetë”, gjë që bie në kundërshtim me faktet historike, pasi Principata e Arbrit u themelua që në fillim të shek. të

12- të. Ndërsa në një nënçështje tjetër “Shqiptarët në Mesjetë” shkruhet se shqiptarët e kanë origjinën nga vendasit e vjetër pa sqaruar se cilët janë këta vendas, e gjitha kjo për të mohuar origjinën ilire të shqipetarëve.

  • Gjithashtu materiali i hartuar për periudhën e Skënderbeut është i pamjaftueshëm, i përmbledhur në 10 rreshta ku përfshihet arratisja nga oborri i sulltanit, sundimi i tij në Krujë dhe qëndresa kundër osmanëve. Thuhet se pas vdekjes së tij osmanët pushtuan territoret shqiptare, por e vërteta qëndron ndryshe, pasi Kruja ra në vitin 1478, Shkodra në 1479 dhe Durrësi në vitin 1501. Do të ishte me vend që një kapitull i veçantë i librit të klasës së shtatë të fliste për Mesjetën shqiptare dhe më kryesorja t’i jepej rëndësia që i takon figurës së heroit tonë kombëtar, personalitetit më të lavdishëm historik të kombit shqiptar dhe më gjerë që qëndroi si një mburojë e pathyeshme për 25 vjet duke mos lejuar perandorinë osmane të shtrihet në tokat shqiptare dhe parandaloi dyndjen e saj në Evropë.
  • Nga faqja 71 deri në faqen 73 përshkruhet shteti i Zetës në kohën e Ballshiqeve, emërtim i përdorur në formë të gabuar pasi do të duhet të ishte në kohën e Balshajve. E gjithë kjo i jep ngjyrime shoviniste dhe grabitqare historisë dhe në fakt përçon tek nxënësi një informacion të pavërtetë duke shtrembëruar faktet historike dhe duke dashur të përvetësojë një histori që nuk i takon. Nuk tregon prejardhjen e Balshajve dhe shtrembëron emërtimet e prijësve Balshaj.
  • Në faqen 74 -77 “Zeta në kohën e Cërnojviqëve” nuk flitet për lidhjet e Stefan Cërnojviqit me Kastriotët dhe as të të birit të tij, Ivanit me Arianitët, dhe as të birit të Ivanit, Gjuragjit (Gjergjit) me Muzakajt. E gjithë kjo për të fshehur origjinën shqiptare të Cërnojviqëve ﴾Gjuragji﴿.
  • Po ashtu ekzistojnë gabime të toponimeve, si për shembull Zhablaku, Bari apo Krajina në vend të Zhabjaku, Tivari, Kraja etj.
  1. Libri “Historia” për klasën e 8-të të shkollës fillore-nëntëvjeçare,

hartuar prej Zhivko M. Andrijashaviq – Sait Shabotiq – Dragutin Papoviq –Sllobodan Drobnjak, Podgoricë 2008, paraqit të njëjtin problem, pra nuk përfshihet asnjë kapitull i veçantë për historinë shqiptare brenda 9 kapitujve të tij.

  • Një vend të rëndësishëm do të duhej të zinte këtu Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe Pavarësia e Shtetit Shqiptar, ngjarje me përmasa madhore për historinë kombëtare si dhe çështje të tjera që do t’i paraqes më poshtë.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte lëvizja e parë e madhe e organizuar politikisht, adminstrativisht dhe ushtarakisht për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga periudha e Skënderbeut në Mesjetë. Ajo u pasua nga qëndresa heroike e popullsisë shqiptare në mbrojtje të Plavë-Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit dhe gjithë territoreve shqiptare që përfshinin katër vilajetet.

Ndërsa Shpallja e Pavarësisë dhe lufta e vazhdueshme e patriotëve shqiptarë në mbrojtje të atdheut nga shtetet fqinje shënon shkëputjen nga Perandoria Osmane dhe fillesat e shtetit të mirëfilltë shqiptar. Pra rëndësia e këtyre ngjarjeve dhe e figurave historike që ishin pjesë e tyre do të duhet të përbëjë domosdoshmërisht një prej kapitujve të librit “Historia” për klasën e 8-të.

Pra tema si:

  1. “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”
  2. “Kryengritjet shqiptare kundër sundimit osman 1908-1912”
  3. “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë”
  4. “Qeveria e Ismail Qemalit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër”
  5. “Lufta e shqiptarëve për çlirim dhe bashkim kombëtar”

Shtjellimi i këtyre temave do t’i ndihmonte nxënësit të çmonin dhe vlerësonin ngjarje historike të një karakteri madhor duke studiuar zhvillimin e tyre, sikurse dhe do t’u jepte mundësinë të analizonin rezultatet e kryengritjeve shqiptare për çlirim kombëtar si dhe shkaqet e pasojat e Luftërave ballkanike dhe të Konferencës së Londrës për çështjen shqiptare duke nxjerrë përfundime për periudhat historike.

  • Në faqen 85 të po këtij libri, Rilindja Kombëtare Shqiptare përmblidhet me 9 fjali të vetme, ndërkohë që përbën një nga periudhat më të lavdishme të historisë së popullit shqiptar. Në këto pak rreshta shkruan se “Shqiptarët identifikoheshin me osmanët prandaj mësonin në shkollat osmane dhe përdornin gjuhën e perandorisë”. Kjo mënyrë të shprehuri e identifikon dashur pa dashur popullin tonë me pushtuesin, duke rënë ndesh me faktin që shqiptarët jo vetëm që nuk u identifikuan me osmanët, por dhe luftuan në mënyrë të vazhdueshme kundër tyre për mbrojtjen e identitetit kombëtar. Nxënësit duhet të kenë mundësinë të vlerësojnë rolin e personaliteteve më të shquara të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
  • Nuk përmenden dëmet që iu solli Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit territoreve shqiptare. Tregon vetëm përfitimet e shteteve sllave në dëm të perandorisë osmane, që do të thotë në mënyrë indirekte në dëm të tokave shqiptare, të përfshira në atë periudhë brenda perandorisë osmane, por gjithnjë si triumf i shteteve sllave mbi popullsinë shqiptare.
  • Në faqen 105 thuhet se në Mal të Zi pas vitit 1878 jetojnë tri komunitete fetare, ortodoksët, myslimanët dhe katolikët, por nuk tregon se nga cila kombësi u shtuan myslimanët dhe katolikët, kjo politikë mohon ekzistencën e popullsisë shqiptare brenda Malit të Zi.
  • Në kapitujt që përshkruhen Luftërat Ballkanike paraqiten disa devijime të historisë së vërtetë. Aleanca Ballkanike u drejtua nga qarqe shoviniste të vendeve të Ballkanit dhe lufta e saj u kthye në një luftë grabitqare, pushtuese, sidomos ndaj Shqipërisë e Maqedonisë. Pikërisht ky fakt nuk paraqitet në këtë libër dhe sigurisht që nuk përcaktohen territoret që synonin të pushtonin duke fshehur këto qëllime shoviniste ndaj këtyre dy shteteve, me pretekstin e dëbimit të perandorisë osmane nga Ballkani dhe çlirimin e popujve ballkanike.
  • Në faqen 130 përshkruhet pjesëmarrja e Malit të Zi në Luftërat Ballkanike dhe përmendet fakti që Malit të Zi i takon e drejta historike për qytetin e Shkodrës pasi Shkodra ishte qendra dinastike e Zetës mesjetare në kohën e Ballshiqëve, pra ky pretendim armiqësor dhe shovinist ndaj territoreve shqiptare shfaqet mjaft qartë. Në rrethimin e Shkodrës nuk përmendet komandanti ushtarak Hasan Riza Pasha dhe as vrasja e tij nga Esat Pashë Toptani. Po ashtu thuhet që malazezët e morën Shkodrën me luftë heroike, ndërsa e vërteta qëndron ndryshe pasi ajo iu dorëzua atyre nga Esat Pashë Toptani.
  1. Libri “Historia” për klasën e 9-të të shkollës fillore-nëntëvjeçare, hartuar prej Sllavko Burzanoviq – Jasmina Gjorgjeviq, Podgoricë 2002, përmban 26 kapituj dhe përfshin periudhën nga Lufta e I-rë Botërore deri në ditët e sotme dhe vetëm në kapitullin “Bota e demokracisë qytetare”, fq. 36-41 të kapitullit të 7-të trajtohet çështja “Shqipëria dhe shqiptarët midis dy Luftërave Botërore”.

Po ashtu në kapitullin 24 “Mali i Zi në RFSJ” trajtohet çështja “Rrethanat kulturore të Shqiptarëve në Mal të Zi”. Bie në sy që në të gjitha ngjarjet historike, të përfshira në këtë libër nuk ka asnjë kapitull të veçantë për shqiptarët e Jugosllavisë të pas viteve 1912-1913 dhe as për Shqipërinë.

Propozoj që çështje si:

  1. “Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore”,
  2. “Kongresi i Lushnjës”,
  3. “Revolucioni i Nolit”,
  4. “Republika dhe Mbretëria e Zogut”,
  5. “Shqipëria gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore “

të jenë tema të një kapitulli të veçantë, në mënyrë që nxënësit të njohin pozitën dhe rolin

e shqiptarëve gjatë kësaj periudhe.

  • Gjithashtu do të duhej të shtohej një kapitull për shqiptarët e Jugosllavisë me çështjet:
  1. “Shqiptarët e Republikës së Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë pas vitit 1912”,
  2. “Shqiptarët nën mbretërinë SKS- së”,
  3. “Shqiptarët nën mbretërinë e Jugosllavisë”
  4. “Shqiptarët e Jugosllavisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore”
  5. po ashtu dhe një çështje e veçantë për Kosovën deri tek realizimi i pavarësisë së saj.

Resume

Përmirësimi dhe përshtatja e teksteve mësimore të lëndës së Historisë për shkollat me mesimë shqip të Malit të Zi do të mundësonte zhvillimin produktiv dhe efektiv të orëve mësimore dhe do të nxiste aftësitë e nxënësve për të njohur dhe kuptuar qartësisht ngjarjet, mënyrat e jetesës, personalitetet historike, kthesat historike, zhvillimin ekonomik, arsimor, shkencor dhe kulturor të kombit të tyre. Kështu ata do të mund të pasurojnë thellësisht atë çka të parët e tyre u përpoqën t’u lënë trashëgimi historinë, kulturën, gjuhën, traditat, doket dhe zakonet.

Njohja e thellë dhe e gjerë e historisë kombëtare pasuron përvojën personale të nxënësit duke e mësuar atë të luajë rolin e duhur në jetë dhe shoqëri, si ruajtës i parimeve të një shoqërie demokratike dhe sigurisht e bën atë një njeri më të mirë, një qytetar të denjë dhe një mbartës të idealeve të larta të kombit të tij.

Për realizimin e këtij qëllimi do të duhej angazhimi i të gjithë personaliteteve shqiptare në Mal të Zi, i atyre të fushës së historisë, gjuhës, letërsisë, artit dhe muzikës. Ky qëllim duhet të jetë gjithashtu obligim i veçantë për këshillin kombëtar të shqiptarëve, që të bashkuar të kemi mundësinë e hartimit të 20%-it të historisë kombëtare në tekstet mësimore dhe përmes tyre t’i drejtohemi me një kërkesë të përbashkët Ministrisë së Arsimit të Malit të Zi për të reformuar edhe njëherë tekstet e Historisë për shkollat fillore-nëntëvjeçare në gjuhën shqipe duke u dhënë mundësinë dhe hartuesve me kombësi shqiptare për të qenë pjesë e përpilimit të këtyre teksteve mësimore.

Zef Ujkaj