Abetarja mbarëkombëtare edhe nga Kosova

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi ka pranuar sot donacion Abetaren mbarëkombëtare nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë së Republikës së Kosovës.

Donacionin kryetarit të KKSH-së, z. Genci Nimanbegu, ia ka dorëzuar në emër të MASHT-it, drejtori i Departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar pranë kësaj ministrie, z. Agim Bërdyna.

Kryetari Nimanbegu e ka falënderuar MASHT-in për dhuratën, për nxënësit shqiptarë në Mal të Zi, në mënyrë që tani e tutje secili fëmijë shqiptar të mësojë nga një abetare e vetme, e unifikuar.

KKSH-ja, në bashkëpunim me institucionet kompetente të arsimit në Mal të Zi, do të bëjë së shpejti shpërndarjen e abetareve për nxënësit e klasës së parë në shkollat me mësim në gjuhën shqipe.