Të përmirësohen kushtet në shkollën e Kshevës

shkolla 4vjecare ne Ksheve 01

Shkruan: Anton Nikaj

Shkollimi i brezave të rinj, gjithnjë është ndër prioritetet e shoqërisë, pasi që vetëm në këtë mënyrë mund të shpresojmë një të ardhme më të sigurt. Mirëpo, për arritjen e këtyre qëllimeve , është e domosdoshme të sigurohen kushtet adekuate, që nxënësit të ndjekin mësimin në kushte normale siç janë kërkesat e sotme në kohën e internetit pa të cilin, pothuajse është e pamundur realizimi me sukses i procesit edukativo-arsimor.

Nëse nuk fillojmë që nga cikli i ulët në përmirësimin e kushteve, është e kot të flasim për jetësimin e reformave në procesin e përgjithshëm arsimor.
Dihet fare mirë se disa nga institucionet edukativo- arsimore, në fshatrat tona, ende punojnë në kushte të papërshtatshme për ecurinë normale të mësimit. Shembull i moskujdesit të duhur të kompetentëve dhe i shoqërisë në përgjithësi, është pa dyshim, shkolla fillore katërvjeçare në fshatin Kshevë, paralele e shpërndarë e shkollës  nëntëvjeçare “ 29 Nëntori”, nga Dinosha.

Edhe pse pothuajse në periferi të kryeqendrës Malësisë, Tuzi, ajo vazhdon të shkatërrohet dhe së shpejti të mos jetë fare për përdorim.   Shkolla është ndërtuar nga vetë fshatarët, në vitin 1960, dhe prej atëherë nuk është investuar në mirëmbajtjen e kësaj godine shkollore. Aq më keq pasi që gjysma e saj është shembur, kurse në gjysmën tjetër, pa kurrfarë kushtesh, ndjekin mësimin nxënësit e saj. Madje, shkolla nuk ka as banjo për nevojat e nxënësve, kurse  rruga ashtu e pa asfaltuar, pothuajse është e pakalueshme për makina. Për rrjetin e internetit dhe mësimin bashkëkohor në kompjuter as të mos flasim.

shkolla 4vjecare ne Ksheve 02

Prandaj, edhe pse shpërngulja e banorëve të këtushëm e zvogëluar shumëfish numrin e nxënësve, është e domosdoshme që urgjentisht të sanohet gjendja në objektin e shkollës ekzistuese, që gjendja aktuale të mos jetë shkak për braktisjen  e këtij fshati edhe të atyre pak banorëve që vazhdojnë të jetojnë këtu.

Dihet fare mirë, se shkolla është njëra prej kushteve kryesore për vazhdimin e jetës në fshatrat tona.
Prandaj, investimet në këtë drejtim janë  po aq të domosdoshëm sa vazhdimi i jetës në fshat.