“Dasma e Malësisë”, një film i shkurt i cili do të pasqyrojë dasmën tradicionale shqiptare në Malësinë e Madhe, është projekti i radhës i Shoqatës Dedë Gjon Luli nga Hoti, dhe ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e zakoneve dhe traditave të trashëguara ndër shekuj.
Nga kjo shoqatë sqarojnë se shfaqja e tyre me këtë program është vlerësuar në pjesëmarrjet e tyre në festivale të ndryshme, duke theksuar festivalin mbarëkombëtarë në Klinë “T’i Këndojmë Lirisë”, e vitit 2014, ku ata morën vendin e parë, andaj, siç sqarojnë nga kjo shoqatë, “kësaj radhe vendosem që këtë program ta inçizojmë”.
“Përmes këtij projekti kemi për qellim që në një mënyrë të ruajmë dhe të trashëgojmë disa nga zakonet dhe traditat tona.
Mikpritja dhe bujaria malësore, sofra, veset sikurse sjellja e nuses rreth gjarmit, hedhja e mollës, fëmija i prëhnit, këngë të vjetra dasme, janë nder arsyet kryesore që ne vendosem t’i regjistrojmë, me qellim që në një mënyrë më të lehtë t’i ruajmë dhe t’i kujtojmë ato, duke qene se me realizimin e këtij projekti çdokush i interesuar do të kenë mundësi t’a kenë në shtëpinë e vet këtë program në dvd”, sqarojnë nga kjo shoqatë.
Ata gjetën përkrahje të bashkëvendësve në përdorimin dhe përgatitjen e shtëpive të vjetra, veshmbathjeve dhe kuajve.
“Një projekt i tillë kërkon kohë, përkushtim, punë dhe shpenzime. Ne si shoqëri kulturo-artistike amatore jemi duke u përpjekur që në mënyrë sa më të mirë të mundshme t’a përgatisim, për çka u deshtë angazhim i një numri të konsiderueshëm anëtaresh për realizimin e inçizimit, ku gjetëm mbështetjen edhe të shumë bashkëvendësve të cilët na ndihmuan në përgatitjen e shtëpive të vjetra dhe ambienteve. Na mundësuan përdorimin e shtëpive, kuajve dhe të veshmbathjeve të vjetra të tyre”, sqarojnë ata.
Realizimi i projektit në fjalë kërkon mjaftë punë por dhe mjete financiare të cilat falë mërgimtarëve nuk kanë munguar asnjëherë.
“Për sa i përket shpenzimeve, duke qene se ato janë të mëdha, fal kontribuuesve tonë të rregullt kryesisht nga diaspora, shpresojmë se do të arrijmë t’i mbulojmë me kohë”, tregojnë nga kjo shoqatë.
Inçizimi dhe produksioni i këtij filmi të shkurt i është besuar “Studio Boin”, dhe siç shprehën nga Shoqata Dedë Gjon Luli, “shpresojmë se pjesën e tyre do ta realizojnë në mënyrë profesionale”. /MALESIA.ORG/