Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë forca më e madhe ushtarake në botë, ndërsa Kroacia më e forta në rajonin e Ballkanit Perëndimor, bëri të ditur portali Global Firepower, që merret me analizimin e të dhënave për fuqinë dhe aftësitë ushtarake të vendeve.
Në analizën e detajuar që përfshinë 126 shtete të botës, konstatohet se SHBA-të janë forca më e madhe ushtarake në botë, ku më pas vijon Rusia. Në vendin e tretë qëndron Kina, ndërsa India e katërta, Britania e Madhe e pesta. Pozita e gjashtë i takon Francës, e shtata Koresë së Jugut, e teta Gjermanisë, e nënta Japonisë, ndërsa lista e TOP 10 vendeve përfundon me Turqinë.
Sipas fuqisë ushtarake, konkretisht pajisjes dhe armatosjes, me përbërje aktive dhe rezerve të forcave të armatosura, Izraeli është në vendin e 11-të në botë.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor më së miri qëndron Kroacia, që Global Firepower e vendosi në vendin e 62-të. Serbia është në pozitën e 70-të, Bosnja e Hercegovina 89, Sllovenia 99 ndërsa Shqipëria rënditet e 100-ta nga 126 shtetet e përfshira në listë. /AA/MALESIA.ORG/