“Pobjeda”: E pasigurt lista e përbashkët e partive shqiptare (e plotësuar)

Platforma-shqiptaret

Partitë shqiptare në Mal të Zi me kërkesë të diasporës filluan bisedimet për platformën e përbashkët dhe formimin e listës së unifikuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por, akoma nuk është e sigurt se a do të arrijnë të tejkalojnë mosmarrëveshjet e veta dhe të arrijnë marrëveshje përfundimtare, shkruan „Pobjeda“.

Deputeti i Alternativës Shqiptare Nik Gjeloshaj tha se problemi kyç për momentin është Forca, e cila, siç pohon ai, është në marrëdhënie të këqija me të gjitha partitë shqiptare në Mal të Zi. Ai megjithatë thekson se është më rëndësi marrëveshja në mes partive kyçe. Këtu, para së gjithash mendoj në Alternativën Shqiptare, Partinë Demokratike, Forcën dhe Unionin Demokratik të Shqiptarëve. Alternativa Shqiptare dhe Partia Demokratike kanë partneritet afatgjatë dhe mendoj se nuk do të ketë pengesa që edhe në zgjedhjet e ardhshme të dalim së bashku, që do të thotë se kemi një grupim politik i cili do të ketë kalim të sigurt në parlament. Shpresoj se do të na bashkohet edhe UDSH. Për Forcën situata është pa-definuar, sepse është në marrëdhënie të këqija me të gjitha partitë shqiptare. Si zgjedhje mund të kenë degët apo nëndegët e partisë së parë shqiptare Lidhjes Demokratike, e cila është në shpërbërje. Të gjitha grupimet tjera qytetare të cilat veprojnë politikisht, besoj se do të bashkohen me koalicionin që përbëhet nga Alternativa Shqiptare dhe Partia Demokratike”, tha Gjeloshaj.

Deputeti i Forcës Genci Nimanbegu thekson se partia e tij është e gatshme për negociata konstruktive rreth listës së përbashkët, megjithatë, ai vë në dukje se është vështirë të pritet marrëveshje me ata të cilët nuk ishin në gjendje të bien dakord më herët.  “Nik Gjeloshaj para një viti ishte në grindje me Fatmir Gjekën nga Partia Demokratike. Sot, partneri i tij i koalicionit thotë se i kanë përmirësuar marrëdhëniet për shkak se ai i paguan borxhin, por edhe zoti Gjeloshaj vjen nga një parti që është ndarë dyshë me zotin Sinishtaj. Partitë me 300,400 vota me siguri nuk mund të vlerësojnë si është partia jonë me 5000 vota shqiptare”, tha Nimanbegu.

Një nga drejtuesit e Iniciativës qytetare Vasel Sinishtaj thotë se nuk duhet hequr dorë nga opsioni i pjesëmarrjes së përbashkët, por se kjo është vështirë të pritet nëse kemi parasysh mosrespektimin e rotacionit të dakordësuar të deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi.  Por nuk heqim dorë nga ky opsion. Kjo është edhe aspiratë e diasporës tonë dhe është mirë që edhe ata së bashku me ne, insistojnë në këtë drejtim. Këtë e kemi pritur gjatë, sepse pa të, është e qartë se nuk ka përparim. Kemi filluar punën në platformë dhe dua të besoj që partitë shqiptare do të arrijnë marrëveshjen”, tha Sinishtaj.

Edhe lideri i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Mehmet Bardhi, është shprehur se lista e përbashkët e partive shqiptare është e nevojshme, duke theksuar se gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi është më e keqe sot se në vitet e para të pluralizmit politik.

Është pothuajse e pabesueshme që partitë shqiptare të bashkohen në një listë të vetme, dhe as ato vetë nuk besojnë në një gjë të tillë. Ato kanë humbur besimin tek njëra-tjetra, dhe kjo më së miri është dëshmuar gjatë rotacionit të mandatit. Partitë shqiptare kanë dëshmuar se interesin primarë kanë mandatin, ndërsa një listë e përbashkët do të kërkonte ndarjen e tij në shumë pjesë. Skenari më i pritshëm do të jetë që partitë të cilat do ta vlerësojnë se mund të fitojnë një mandat, do të dalin të vetme në zgjedhje, ndërsa partitë tjera do të jenë të detyruara të formojnë grupacione që eventualisht të sigurojnë një përqindje të mandatit/buxhetit parlamentarë. /MALESIA.ORG/