Shqiptarët befasohen që Djukanovic përshëndeti lirimin e Sheshelit

Milo DjukanovicPërshëndetja që i ka bërë kryeministri malazias lirimit të Vojislav Sheshelit nga akuzat për krime lufte, ka nervozuar politikanët shqiptar nga kjo ish republikë e Jugosllavisë.

Sipas udhëheqësve politikë shqiptar të Malit të Zi, kryeministri Milo Gjukanoviq e përshëndeti lirimin e Sheshelit sepse kështu shpëtoi edhe vetë nga dënimi për organizimin e luftës në Dubrovnik.

Sipas deputetit Nikollë Camaj, edhe Gjukanoviqi e ka po të njëjtën ideologji të qeverisjes, ku bindjet dhe qëndrimet e tij pragmatike e mbajnë në pushtet vite me radhë.

“Duhet pasur parasysh faktin se Gjukanoviqi është i të njëjtës kornizë politike, i të njëjtit shtrat ideologjik, si edhe Shesheli, prandaj ai duke përgëzuar Sheshelin, shpreh qëndrimin e vet real ndaj krimeve që politika serbomadhe ka bërë në regjion”, deklaroi për Telenews.al, deputeti Camaj.

Me 31 mars të këtij viti tribunali i Hagës, liroi nga dënimi liderin e partisë radikale Voisllav Sheshel, i cili ishte gjykuar për krime lufte në Kroaci dhe Bosne Hercegovinë.

Me këtë rast Gjukanoviq kishte thënë se nuk ka pasur pritje tjëra nga Gjyqi i Hagës. Në një prononcim të cilin ishte munduar ta vesh me diplomaci ai kishte thënë se është i kënaqur që çdo njeri është i lirë.

“Më shumë dua të shoh çdo njeri të lirë sesa çdo njeri të burgosur, pa marrë parasysh a pajtohem unë apo jo. Sa më përket mua ia uroj lirinë Sheshelit”, kishte përfunduar Gjukanoviq.

Kryetari i Unionit Demokratik Shqiptar në Mal të Zi, Fadil Kajoshi shprehet i befasuar për këtë gjest të kryeministrit.

Kajoshaj i tha Telenewsit se më shumë se me deklarimin e Gjukanoviqit, ishte befasuar me vendimin e Gjykatës së Hagës.

Dritan Abazaj, kryetari i Veprimit të Bashkuar Reformues e quan urimin e Gjukanoviqit si mbrojtje kundrejt të bëmave të tij.

“Mbase Gjukanoviqi këtë e thotë nga frika e kapluar së fundi për akuza të ndryshme kundër tij, të cilat mund që të ja marrin lirinë, dhe për këtë dëshiron që çdo kush të jetë i lirë duke justifikuar dhe mbrojtur vetveten”, tha Abazaj.

Sipas tij Shesheli pati deklaruar në Gjykatën e Hagës që me Gjukanoviqin ka qenë bashkëluftëtarë në Hercegovinë dhe për këtë ishte krenar.

“Kjo është maska e tij që e vendos para pakicave në Mal të Zi “, tha Abazaj për Telenews.al

Ndërsa gazeta telenews.al i ka dërguar pyetje me shkrim edhe deputetit Genc Nimonbegu nga partia ‘Forca’ por ai deri me tani nuk është përgjigjur. /Telenews/