Në një atmosferë të paparë ndonjëherë, ashtu siç ishte paralajmëruar, mbrëmë në Tuz u përcjell ndeshja e Kombëtares tonë kundër Francës.
Edhe përkundër humbjes së Shqipërisë në minutat shtesë, tifozimi për Kombëtaren tonë i rreth 500 shikuesve nuk pushoi për asnjë moment.
Parku i QKI “Malësia” ku ishte vendosur video-projektori i madh, kishte marrë ngjyrat Kuq e Zi, ndërkaq ndërtesa e Qendrës së Kulturës ishte veshur me Flamurin e madh kombëtarë.
Organizatorët, Tifozat Kuq e Zi (TKZ), grupi nga Tuzi-Malësia, sqaruan se kjo është historike, Shqipëria për të parën herë merr pjesë në fazën finale të Kampionatit Evropian, prandaj dhe vendosen që për herë të parë në Tuz të organizohet ndjekja e ndeshjes në ambient të hapur në mënyrë të organizuar për të gjithë publikun.
Ata sqarojnë se i përcjellin të gjitha ndeshjet e Kombëtares, e nëse nuk kanë mundësi të jenë në stadium, atëherë bashkohen në ndonjë lokal në Tuz, por kësaj radhe menduan të bëjnë diçka të veçantë, ta bëjnë ashtu siç bëhet në Tiranë, Durrës, Elbasan, Prishtinë, Pejë, Shkup, Tetovë e Preshevë.
Tifozat theksojnë moton “Përjetësisht me ty Shqipni”, çka nënkupton se pavarësisht rezultatit, ata gjithmonë në rend të parë kanë përkrahjen për Kombëtaren.
Sa i përket realizimit të përcjellës së ndeshjes së mbrëmshme, ata sqarojnë se realizimi i projektit kërkoi mjaft punë dhe kohë, por siç thonë ata, kur nuk mungon vullneti i mirë dhe vendosmëria, atëherë gjithçka është realizueshme.
TKZ-ja falënderon të gjithë për sjellje të mirë dhe krijimin e atmosferës së mrekullueshme, si dhe të gjithë ata që ndihmuan anën materiale, pa përmendur emra, sepse, siç thonë ata, ata që ndihmuan, e bënë për një qëllim të përbashkët dhe jo për marketing, sqarojnë Tifozat.
Ata falënderojnë Ansamblin Shqiponja të cilët ua mundësuan Flamurin gjigant.
Tifozat Kuq e Zi rikujtojnë se në të njëjtin vend dhe të njëjtën “moto” do të bashkohen të dielën në ora 21:00 në ndeshjen kundër Rumanisë dhe ftojnë të gjithë përkrahësit e Kombëtares të ndjekin ndeshjen së bashku. /MALESIA.ORG/