Alternativa Shqiptare i bashkëngjitet koalicionit Forca-UDSH

ash-forca-udshAlternativa Shqiptare (ASH) i bashkëngjitet koalicionit me Forcën dhe Unionin Demokratik të Shqiptarëve.

Krerët e ASH-së, Forcës dhe UDSH-së sonte në Ulqin kanë nënshkruar marrëveshjen për dalje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Sipas informatave ende të pakonfirmuara, Nik Gjeloshaj (ASH) dhe Genci Nimnabegu (Forca) në rast të fitores, do ta ndajnë mandatin, ndërsa për kreun e UDSH-së, Mehmet Zenka është dakorduar vendi i ministrit, me çka jepet “sinjal” se ky koalicion veç ka paralajmëruar futjen në Qeveri. /MALESIA.ORG/

Kumtesa e Forcës së Re Demokratike:

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicionin parazgjedhor mes Forcës së Re Demokratike dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve, sot këtij koalicioni i është bashkuar edhe subjekti i tretë më i madh politik shqiptar në vend, Alternativa Shqiptare.

Nëpërmjet këtij koalicioni, që përfshin tre partitë kryesore shqiptare të Malit të Zi, garantohet fuqizimi i faktorit politik shqiptar në vend duke mundësuar më shumë ndikimin në vendimmarrje dhe në jetën politike të Malit të Zi.Koalicioni i përbërë nga tre forcat më të mëdha politike, në përbërje të së cilës bashkohen dy deputetë shqiptar, kryetari i Kuvendit të Komunës së Tuzit dhe Kryetari i Komunës së Ulqinit, synon një strategji afatgjate e cila ka për qëllim vendosjen e interesave kombëtare mbi ato personal.

Për shumë vite përçarjet politike dhe ndasitë personale kanë bërë që fragmentizimi i votës së shqiptarëve në Malin e Zi të dëmtojë vetë faktorin shqiptar në vend, duke e dobësuar atë ndjeshëm e mandej shkaktuar humbjen e mandateve politike çka ka sjellur pasoja të rënda për komunitetin shqiptar. Ndaj, bashkimi i votave të shqiptarëve sot, është më i mundur se kurrë si një parakusht për sigurimin e më shumë ndikimi në interes të të drejtave shqiptare dhe kauzave të tyre.

Përfaqësuesit e Forcës, UDSh-së dhe ASh-së përsërisin thirrjen e tyre drejtuar aktorëve dhe faktorëve të tjerë politik shqiptar brenda dhe jashtë vendit që për hir të interesit kombëtar, të bashkojnë forcat, dhe të bëhen pjesë e këtij koalicioni të madh të shqiptarëve të Malit të Zi.