U promovua në Prishtinë dokumentari “Dasma malësore”

dasma-malesoreDokumentari “Dasma malësore” në realizimin e SHKA “Dedë Gjon Luli” u promovua në Prishtinë, në Institutin Albanologjik, më 22 tetor 2016.

zymer-neziriProf. Dr. Zymer Ujkan Neziri
Fjalë rasti në përurimin e filmit dokumentar, Prishtinë, më 22 tetor 2016, në sallën e IAP-it

Të nderuar të pranishëm, zonja e zotërinj,
të nderuar profesorë e studentë dhe mysafirë nga Malësia e Madhe,
ju përshëndes të gjithëve në këtë përurim të filmit dokumentar “Dasma malësore”, regjia dhe skenari: Nikollë Gojçaj dhe Gjon Dushaj, xhirimi dhe montimi: TV Boin, Tuz, si dhe realizimi: shoqata “Dedë Gjon Luli”, Hot, Malësi e Madhe.
Dokumentari “Dasma malësore” është film për dasmën tradicionale në Malësinë e Madhe, të asaj ane me qendër në Tuz, Mal i Zi, ku bëjnë pjesë Koja e Kuçit, Trieshi, Gruda e gjysma e Hotit, kurse, siç dihet, gjysma tjetër e Hotit me Kelmendin e Kastratin kanë mbetur në Shqipëri, pas pushtimeve nga Mali i Zi dhe me vendim të Fuqive të Mëdha. Do shtuar se Malësia e Madhe kishte nëntë fise shqiptare, e aty bënin pjesë edhe i tërë Kuçi, Pipri e Vasoviqi, tri fise shumë vonë të sllavizuara.
 
Të nderuar të pranishëm,
Malësia e Madhe, sado e ndarë në dy shtete, vazhdon jetën e vet si tërësi unike etnokulturore shqiptare edhe në fillim të këtij mijëvjeçari, ku janë ruajtur njësitë kryesore të trashëgimisë sonë, me vlerë evropiane dhe botërore, që është synimi kryesor i paraqitjes së tyre në këtë dokumentar.
Malësia e Madhe ende ruhet veshja malësore e burrave dhe e grave, me çakshirë ose me tirqi, si dhe me xhubleta, që të dyja veshje shumë të moçme. Madje, xhubleta vlerësohet se është veshja më e vjetër në Mesdhe, ku bëhen bashkë etnokulturat e tri kontinenteve – Evropë, Azi e Afrikë. Aty ende jeton folklori shumë i pasur, në prozë e në poezi, kurse Eposi i Kreshnikëve, kryevlerë gojore kombëtare, vazhdon jetën e vet.
Malësia e Madhe ende ka në përdorim veglat e tradicionale muzikore, po edhe lahutën, e njohur me emrin lavda, veglën kordofone me një tel, ndër më të lashtat në Evropë. Aty ruhen vallet shumë të bukura lirike dhe vallet mbresëlënëse epike, krahas riteve e miteve, dokeve e zakoneve, kurse dasma, njëra nga tri pikat kulmore të jetës së njeriut, në këtë dokumentar paraqet jo vetëm dasmorët dhe nisjen e tyre për në bajrakun tjetër, ku do të marrin nusen, por aty janë spikatur edhe ritet dhe doket e njohura, si qitja e mollës, sjellja e nuses rreth zjarrit, djali i prehrit etj. që janë dëshmi për trashëgiminë tonë etno-kulturore, disa nga të cilat, krahas xhubletës dhe Eposit, e kanë vendin edhe në UNESCO, ku janë renditur vlerat kulmore etnokulturore të njerëzimit.
 
Në fund, të nderuar të pranishëm,
i përgëzoj për regji e skenar – Nikollë Gojçajn e Gjon Dushajn, për xhirim e montim – TV Boinin e Tuzit, si dhe për realizim – shoqatën “Dedë Gjon Luli” të Hotit, kurse juve, pjesëmarrës të nderuar, ju dëshiroj shikim të këndshëm të dokumentarit “Dasma malësore”.