Izmir Smajlaj shpallet kampion Evrope në Beograd (Video)

Atleti shqiptar Izmir Smajli ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët duke u shpallur kampion Evrope në Beograd në kërcim së gjati.

Në Europianin e sallave që po zhvillohet në Beograd, atleti shqiptar ka mundur të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit duke mbajtur premtimin dhe duke i dhënë shansin për herë të parë në histori vendit tonë që të ketë një kampion Europe në mbretëreshën e sporteve, atletikë.

Nga 6 tentativat që kishte në dispozicion, Smajlaj nuk plotësoi vetëm dy dhe me avantazhin e më shumë provave të sakta arriti të lë pas suedezin Mishel Torneus që gjithashtu kërceu 8.08 dhe ukrainasin Serhi Nikiforov, i cili kërceu 8.07.

Ky është suksesi i dytë brenda pak ditëve për Smajlajn pikërisht në Beograd, ku përpara Europianit u zhvillua edhe Ballkaniada.

Menjëherë pas këtij suksesi historik për vendin tonë, Izmir Smajlaj tregon emocionet e para në një intervistë për Top Channel.

“Gara ishte e fortë. Objektivi im ishte medalja. Në kërcimin e fundit mora më shumë korajë, pasi kisha siguruar edhe një vend në podium. Këtë arritje dua t’ja dedikoj familjes dhe në veçanti babait tim. Prej tij e kam vazhduar sportin”, tha Smajlaj për Top Channel.

Ndërkohë, atletja tjetër shqiptare Luiza Gega u rendit në vendin e pestë në garën e saj të 1500 metrave, një pozicion të cilin deri diku e kishte paralajmëruar me pritshmëritë e saj të ulëta në këtë disiplinë që nuk është më e saja, duke qenë se gjithë përgatitjet i ka bërë për garën e 3000 metrave me pengesa. Në këtë disiplinë do të marrë pjesë në Botërorin e këtij viti që do të zhvillohet në Mujin gusht në Londër.

Ndërkohë, ceremonia e medaljeve për Izmir Smajlaj do të zhvillohet ditën e diel, në ditën e mbylljes së këtij Europiani.