Gazeta e vetme në gjuhën shqipë në Mal të Zi, “Koha Javore” festoi 15 vjetorin e vet

 Më 8 prill 2017, Gazeta e parë dhe e vetme në gjuhën shqipe, në Mal të Zi, “Koha Javore”, shënoi 15 vjetorin e themelimit të vet në solemnitetin e rastit të organizuar në Hotelin “Mediteran”, në Ulqin.

Të pranishëm ishin përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Mal të Zi, Ambasadori i Shqipërisë në Mal të Zi, Ernal Filo, Ambasadori i Kosovës në MZ, Skender Durmishi, përfaqësuesi i Ambasadës së Amerikës, Bernard Çobaj, Anëtarët e Kryesisë së Lëvizjes Vetvendosje nga Kosova, Boiken Abazi dhe Xhelal Sveçla, si dhe figura të tjera të njohura nga jeta shoqërore e kulturore e shqiptarëve në MZ.

Në koktein e rastit, fillimisht të pranishëmve u drejtua Kryetari i Këshilli Kombëtar të shqiptarëve në MZ, Genci Nimanbegu, në kuader të cilës edhe vepron gazeta “Koha Javore”.

Për historikun e gazetës foli redaktori përgjegjës i gazetës, Ali Salaj.

Kurse pë rëndësinë e kësaj gazete foli edhe Kryetari i Këshillit Programor Gjekë Gjonaj.

Shpresojmë se gazeta ” Koha Javore”, do të vazhdojë për të mirën e informimit të popullatës shqiptarë në MZ.

/Albert  Camaj/

Fjala e plotë e Genci Nimanbegu :

Të nderuara zonja dhe zotërinj!

Anëtarë dhe anëtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar

Mirëmbrëma, ju falenderoj që na nderuat me praninë tuaj në shënimin e 15 vjertorit të botimit të gazetës së përjavshme në gjuhën shqipe “Kohës Javore”.

“Koha Javore” është themeluar nga Kuvendi i Malit të Zi në dhjetor të vitit 1999, kurse numri i parë ka dalë në shkurt të vitit 2002. Shënimi i 15 vjetorit është shansi që të diskutojmë për rolin e kësaj gazete javore në këto 15 vite, por edhe të reflekotohet për të ardhmen.

Koha javore ka patur dy periudha, nga 2002 deri më 2015, kur ishte në përbërjen e të përditshmes “POBJEDA”, dhe nga 2015 e deri më tani kur ajo botohet në kuader të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Gjatë këtyre 15 viteve janë botuar gjithsejt 751 numra, duke luajtur një rol të rëndësishëm për lexuesit shqiptarë jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë.

Për të, kohën e Pobjedës më mirë mund të flasin vetë të punësuarit e Kohës Javore. Por, duhet vlerësuar se dalja e kësaj Javore është prodhimi i demokratizimit dhe proceseve politike të asaj kohe.

Vetë Parlamenti i Malit të Zi e ka miratuar vendimin dhe ka themeluar këtë medie, cila ka qenë shënues i mirëfillt i ndodhive në skenen shoqërore, kulturore, politike të shqiptarëve në Malin e Zi.

Me vendosjen e Kohës Javore në ndërmarrjen shtetërore, Pobjeda këtë medie e ka përcjellë e gjitha problematike e kësaj ndërmarrje, duke qenë e udhëhequr nga struktura partiake dhe jo mjaft të ndjeshme për problematikat tona ndërshqiptare. Edhe, kushtet e punës kanë variuar nga viti ne vit.

Por, le të fokusohemi në gjendjen e sotshme:

Grupi i punës i Kuvendit të MZ, i themeluar në kolegijum të Kryetarit të Kuvendit ishte në përbërjen e Genci Nimanbegut (kyetar), Predrag Sekuliqit (anëtar nga pozita) dhe Dritan Abazoviqit (nga opozita). Gjatë vjeshtës së vitit 2014 kemi punuar në zgjidhjen e problemeve të Kohës Javore dhe sigurimin e egzistencës së mëtejshme të kësaj medie.

Janë bërë një seri takimesh dhe propozimi është dorëzuar Parlamentit duke percjellur ekjsperiencën e finansimeve të shtypit për popuj pakice në rajonin tonë. Duhet cekur qe finansimi vjen nga Parlamenti i MZ dhe gazeta botohet në kuadër të KKSH, ku edhe janë transferuar të gjithë punonjësit e Kohës Javore, të cilët me 8 dhjetor të vitit 2014 mbesin pa punë për shkak të falimentimit të ndërmarrjes së privatizuar.

Arritja më e rëndësishme është stabilizimi pas shumë viteve të gjendjes dhe statusit të kësaj gazete.

Koha Javore sot ka 5 të punësuar të cilet janë te pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për punë: kompjuter, kamera, printer të ri dhe modern sipas specifikimit më të avancuar.

Redaktori përgjegjës, dy gazetarë, redaktori Teknik dhe Sekretarja Teknike Vijoleta Berishaj, Toni Ujkaj, Fahrudin Gjokaj, Ismet Kallaba dhe Ali Salaj, janë ato që janë përgjegjës për daljen dhe punën e kësaj gazete.

Pjesën programore të Kohës Javore e mbikqyr këshilli programor formuar në dhjetor të vitit 2015, e përbëjnë Gjek Gjonaj (kryetar), Ilirijana Resulbegu, Ismet Gjonbalaj, Albert Camaj dhe Bekim Çobaj.

Synimi për të ardhmen:

Ngritja profesionale e të punësuarve

Ngritja materijale e Kohes Javore me blerjen e automjetit për redaksi.

Nje ngjarje nga e kaluara / ankimi në shkrimin e gazetës, i berë nga një lider shqiptarë në vitin 2010

Tani Pa ndikim te politikës dhe nga politikanët përgjegjësia për Kohën Javore është mbi të gjithë ne. Ajo menaxhohet nga vetë shqiptarët!

Fjala e plotë e Ali Salaj :

15 vjetori i gazetës “Koha javore” është një jubile i rëndësishëm për gazetarinë e shkruar në gjuhën shqipe në Mal të Zi, i cili në vetvete përmban një mision të vështirë gati-gati në kufijtë e pamundësisë. Misioni i parë i kësaj gazete ishte angazhimi në mbrojtjen e sistemit të vlerave, një mision që nisi me një staf të pakontaminuar nga politika dhe të paprekur nga klanet e interesit. Kjo frymë u krijua dhe u ruajt me përkushtim nga të gjithë ata që morën pjesë në thurjen e saj posaçërisht nga bashkëpunëtorët e çmuar që i dhanë dhe vazhdojnë ti japin një frymë të veçantë kësaj gazete.

Si çdo fillim edhe ai i gazetës “Koha javore” ishte më tepër se sfidues për shkak të mungesës së një tradite të mirëfilltë në gazetarinë e shkruar, por edhe nga synimi që të krijohet një gazetë me format dhe dizejn për ti dhënë shpirt dhe frymë kombëtare, fjalës së lirë.

Gjatë këtij harku kohor u lindën dhe u rritën profesionalisht gazetarë, analistë, publicistë, studiues, të cilët i dhanë imazhin përbajtësor “Kohës javore”.

Kësisoj “Koha javore” gjatë këtij 15 vjetshi ka lenë pas me qindra e mijëra artikuj kulturorë, arsimor e sportiv, intervista, opinione, polemika dhe vështrime që do të mbeten një material i çmuar arkivor dhe pikë referimi për brezat e ardhshëm.

“Koha javore” shërbeu në komunikimin e përgjegjshëm, larg senzacioneve dhe thashethemeve duke e ruajtur etikën dhe lirinë e shprehjes. Në çdo mënyrë u përpoq të mos kishte ngjyrime politike apo të vihet nën ndikimin e politikës së ditës. Përkundrazi, ajo ishte e balansuar dhe e hapur për çdo pikëpamje që paraqet interes publik. Për këtë arsye, shpeshherë nuk u respektua rregulla dhe tradita e lashtë shqiptare i njohur në Kanun si “lajmësi nuk preket”. Përkundrazi, “kohës javore” iu vunë disa herë ndërkëmbëzat me qëllim të frikësimit dhe eliminimit të saj nga skena mediatike në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

E gjithë kjo sinjalizon se për mediat në gjuhën shqipe ende mbetet aktuale profetizimi i njohur i babait të gazetarisë shqiptare Faik Konica: “ Në folsh mirë për shqiptarët krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë, në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët, në folsh mirë për krishterët dhe

muhamedanët që janë shqiptarë të mirë e ligsht për të ligjtë, aherë do të hidhërohen të gjithë”.

Megjithatë, mbrojtja dhe zhvillimi i mediave në gjuhën shqipe duhet të mbetet detyrim dhe objektiv i shqiptarëve në Mal të Zi. Sepse reduktimi dhe shuarja e mediave në gjuhën shqipe do të rrezikonte qenien kombëtare, pasi është e ditur se komuniteti pa media është i paracaktuar të humbasë identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kulturor.

Fjala e plotë e Gjekë Gjonaj

Me emërimin e Këshillit Programor të Kohës Javore, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve para një viti, gjendja në gazetën “ Koha Javore” ndryshoi për mirë. Ajo tashmë, siç jeni në dijeni, është shndërruar në një revistë moderne, e cila për nga cilësia është konkuruese e denjë e revistave me emër të mirë jo vetëm në Mal të Zi , por edhe në rajon dhe në hapësirën mbarëshqiptare. Përveç botimit të saj me formatë të ri, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, arritëm të shtojmë edhe katër faqe më shumë seç kishte më parë dhe të mundësojmë daljen e saj edhe në versionin elektronik. Revista u freskua dhe u pasurua edhe me shkrime të reja, në tri zhanre: zhanrin informativ, zhanrin analitik dhe zhanrin publicistik (letrar).

Këshilli Programor dhe redaktori përgjegjës i Kohës javore u kanë dhënë mundësinë e shprehjes së lirë, pa censurë, të gjthëve, gazetarëve, shkrimtarëve, poetëve, profesorëve, studentëve e të tjerëve, me dëshirën që ata pa asnjë frikë të shprehin kreativitetin e tyre nëpërmjet trajtimit të temave kulturore, arsimore, artistike, politike, shoqërore, ekonomike e tjerë.

Koha Javore ka qenë dhe do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit e lapsit . Ajo mirëpret dhe publikon artikuj të ndryshëm informues, kritik, frymëzues, udhërrëfyes, poetik, artistik, kulturor, shkencor, atdhetar e sportiv. Si e tillë është bërë sofër e shtruar e shprehjes së lirë të shqiptarëvetë të gjitha profileve që duan të thonë e të bëjnë publike mendimin e tyre për problemet dhe të arriturat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në të gjitha trojet tjera ku jetojnë ata. Prandaj, ju inkurajojmë të gjithëve dhe keni përkrahjen tonë morale që me po të njëjtin përkushtim të vazhdoni të kryeni këtë profesion të shenjtë të informimit qytetar, gjithnjë duke pasur përcaktim në radhë të parë qëndrim human ndaj çdo situate dhe dëshirën e përbashkët për ngadhënjim të vlerave shoqërore.

Koha Javore gjatë gjithë këtyre pesëmbëdhjetë viteve ka qenë, dhe në mandatin tonë do të jetë, e depolitizuar dhe një tribunë e hapur për të gjithë shkrimtarët, pavarësisht bindjeve politike, në kushtet e demokracisë dhe pluralizmit.

Kjo qasje dhe arritje modeste ndjeshëm ka shtuar numrin e lexuesve, që është parametri kryesor i suksesit të secilës medie, por jo aq sa do të dëshironim. Andaj ju lus që ta blejmë më shumë se deri më tani Kohën Javore, pavarësisht se ajo është e përjavshme dhe ndoshta nuk i përmbushë shijet e të gjithëve, sepse është e jona, dhe s’kemi medie tjetër të printuar në gjuhën shqipe. Nëse veprojmë në këtë mënyrë do të arrijmë tri gjëra, për mua të rëndësishme.

E para do të shmangim një traditë jo të mirë që më shumë jemi të prirur të lexojmë shtypin e huaj se atë shqiptar, për fat të keq.

E dyta do të krijojmë një kulturë të re të leximit shqip.

E treta do të përmbushim një detyrim kombëtar, i cili na nderon të gjithëve.

Jemi të mendimit se është nevojë e kohës që Koha Javore mos të mbetet e përjavshme, por të gjthë së bashku, përfshirë këtu edhe klasën politike shqiptare, të veprojmë guximshëm dhe me këmbëngulje ndaj pushtetit malazez që ajo në një ditë jo të largët të dalë tri herë në javë me po atë numër të faqeve që ka sot. Të shtohet numri i punëtorëve e gazetarëve, dhe më pas, edhe të shndërrohet në gazetë ditore. Kjo, e them me bindje, është edhe dëshirë e shqiptarëve në Malin e Zi. Jetësimi i këtij synimi të lartë patjetër do t’i gëzojë të gjithë shqiptarët.

Uroj që Koha Javore në rrugëtmin e saj të vazhdojë të përsoset dhe të kryejë siç duhet misionin e saj informativ, në mënyrë profesionale , në pajtim me standartet e gazetarisë, duke u bazuar gjithnjë në të vertetat që i duhen opinionit publik.