Në kuadër të programit për mbrojtjen dhe ruajtjen e pasurive kulturore për vitin 2017, një ekip arkeologësh posa përfunduan gërmimet e gërmadhave të kishës së vjetër katolike në Qafë Kishë, në Dubrava, rrugës për në Drume – Hot.
Drejtor i Kërkimeve arkeologjike, Mile Bakoviq, thekson se bëhet fjalë për gërmadha të mureve të kishës nga shekulli i 16-të, e cila është nën mbrojtjen e shtetit si një monument kulturor, që nga viti 1950.
Ai thekson se gjendja dhe pamja e vendit ku ajo ndodhet më së miri flasin se pse Komisioni për rregjistrim të pasurisë kulturore, që nga viti 2006, nuk ishte në gjendje të gjejë këtë objekt, sepse ai ishte i mbuluar nga bimë e barishta të rritura në muret e kishes. Ekipit të arkeologëve, kësaj radhe i janë nevoitur tri ditë për të hequr bimësinë e dendur. Atëherë ata erdhën mbi mbetjet e absidës (shtojca gjysmërrethore), e cila ka dalë nga toka, ndërsa pjesët e tjera të ndërtesës ishin nën tokë. Pas tridhjetë ditëve të punës kanë zbuluar një objekt monumental me gjatësi 18.5 dhe me gjerësi rreth katër metra.
Kreu i kërkimeve arkeologjike tregon se gjetjet paraprake tregojnë se kisha e parë është ndërtuar në mesin e shekullit të 16-të dhe sigurisht ka qenë shumë e rëndësishme për këtë zonë.
Albert Camaj