Nga Ismet Kallaba
Roli i medias është tejet i rëndësishëm për funksionimin dhe shëndetin e demokracisë së një vendi. Funksioni bazë i gazetarisë është informimi i publikut, por ajo ndikon po ashtu në formësimin e opinionit të publikut për një çështje të caktuar. Nga ana tjetër, nëse nuk e kryen misionin e saj, nëse nuk zbatohen parimet gazetareske dhe nuk respektohen parimet etike, në vend të pasqyrimit të saktë, media mund të shtrembërojë realitetin duke e dezinformuar publikun.
Mediat dhe gazetarët në ish-Jugosllavi, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, janë shembulli më i mirë i keqpërdorimit të rolit dhe misionit të medias, duke u shndërruar në mjet propagandues dhe zëdhënës të ideologjisë sunduese të kohës. Studiuesit dhe kritikët e medias me të drejtë i akuzojnë një pjesë të medias dhe gazetarët e kohës si luftënxitës dhe fajtorë për luftën vëllavrasëse në ish-Jugosllavi. Ky lloj i gazetarisë nuk mbështetet në fakte, por në gazetarinë konstruksioniste, inskenimin e ngjarjeve, përdorimin e gjuhës së urrejtjes etj.
Ndonëse nga kjo periudhë ka kaluar disa kohë, është evidente se ky lloj i raportimit ka lënë gjurmë dhe pasoja në mediat në Mal të Zi, si dhe është përhapur edhe te brezi i gazetarëve të rinj. Kohë pas kohe, në mediat malazeze, kryesisht tek ato me orientim proserb, por edhe në mediat tjera, transmetohen lajme kundër shqiptarëve dhe çdo gjëje që lidhet me shqiptarët. Në shënjestër është në të shumtën e rasteve flamuri shqiptar. Gazetarët dhe mediat e tilla sikur nuk e kuptojnë apo nuk duan ta kuptojnë (nënkupto: e bëjnë me qëllim), se flamuri kuq e zi është flamuri kombëtar i shqiptarëve, domethënë edhe i shqiptarëve në Mal të Zi.
Raportimi i disa mediave me rastin e ngjitjes së bjeshkatarëve në Rumi është shembull konkret i gazetarisë konstruksioniste dhe fabrikimit të së vërtetës nga media, kur një manifestim popullor, i cili ka për qëllim ripërtëritjen e traditës së daljes së bjeshkatarëve në Rumi, shndërrohet në objekt lajmi të kronikës së zezë nga disa media serbe dhe malazeze.
Duke u bazuar në disa fotografi nga rrjetet sociale, gazetarët e këtyre mediave nuk denjojnë të bëjnë lajm, ku flamuri shqiptar dhe bjeshkatarët pjesëmarrës, shumica e të cilëve sivjet ishin të rinj, paraqiten si armiqësorë dhe kërcënim për shtetin e Malit të Zi dhe popujt e tjerë.
Falë kësaj lloj gazetarie, kampingu i bjeshkatarëve paraqitet në sytë e publikut si kamp ushtarak, veshja e disa bjeshkatarëve me rroba të maskuara, karakteristike për bjeshkatarët, si uniforma të UÇK-së, pushka ajrore në duart e kryetarit të Komunës së Ulqinit si pushkë lufte e gatshme për “të goditur armikun” etj.
Si rrjedhim, gazetaria e bazuar në paragjykime etnike dhe fetare, gjuhën e urrejtjes etj. nuk e pasqyron realitetin. Si e tillë është e destinuar të dështojë në aspektin afatgjatë, por ndikimi i saj te masa mund të ketë pasoja, sidomos në vendet shumëetnike, multifetare dhe me demokraci të brishtë, siç është Mali i Zi.