Qendra Shëndetësore në Tuz me mungesa të shumta dhe papërgjegjësia e stafit

Gjendja e përgjithshme në Qendrën Shëndetësore në Tuz është në nivel të mjerueshëm, ndërsa është shqetësuese se situata në krahasim me vite më parë nuk është në përmirësim, por në fakt është në përkeqësim.

Problemet janë të natyrave të ndryshme, duke ja nisur nga shërbimet e kufizuara të cilat u ofrohen pacientëve e deri tek stafi mjekësor i papërgjegjshëm dhe higjiena brenda objektit.

Me këtë rast do të cekim vetëm disa nga çështjet, ndërsa për më shumë shikoni më poshtë video reportazhin e përgatitur nga TV Boin.

Qendra ka orar të limituar pune, ndërsa nuk ka fare Urgjencë. Prandaj, në raste emergjente personi me nevojë të ndihmës së shpejtë është i detyruar të presë urgjencën nga Podgorica, për të cilën ardhje dhe vajtje për tek qendra urgjente në Podgoricë merr rreth një orë, që në raste emergjente është tepër e vonuar. Qendra nuk ka as transport i cili do të transportonte personin në urgjencën në Podgoricë, gjë e cila do të përgjysmonte pritjen.

Kjo qendër posedon vetëm një mjek pediatër i cili punon vetëm në një turn, atë të mëngjesit. Ndërsa turni i parë është i ngarkuar dhe nuk ka vend për të gjithë ata që drejtohen për ndihmë, prindit janë të detyruar që fëmijët ti dërgojnë në Podgoricë. Ndërsa zyra e marrjes së gjakut për analizë për fëmijë është e mbyllur dhe duhet gjithashtu drejtuar në Podgoricë.

Në anën tjetër vërehet se nuk ka numër të mjaftuar të mjekëve por aq më shumë mungesa e mjekëve në orar të punës. Kemi mjekë të cilët përpos rregulloreve tjera, nuk respektojnë as orarin e punës. Kryejnë punë dhe janë në pozita të larta siç është Kryetar të Komunës urbane apo funksionin e Deputetit, andaj shpesh nuk janë në vend të punës dhe as nuk kanë zëvendësues.

Aty ka edhe mjekë të cilët nuk janë të aftë të praktikojnë detyrën e mjekut, por që nxë vendin e një mjeku.

Higjiena gjithashtu është në gjendje mjaft të dobët. Një shembull i cili flet shumë është ai që në tualetin në pjesën ku jepen shembuj të urinës dhe gjakut për analizë, ndodhë qe nuk ka as ujë për të larë duart.

Problematik tjetër është edhe komunikimi. Të gjithë e dimë se trajtimi apo mirësjellja nuk është diçka në të cilën jemi mësuar, por përpos asaj, në Qendrën Shëndetësore në Tuz, si kryeqendër e një zone shqiptare, pjesa më e madhe e stafit nuk e flet gjuhën shqipe fare, ose refuzon ta flasë edhe aq sa e njeh. /MALESIA.ORG/