Lushaj: Alex Selimaj, mjeshtër i fotografisë artistike

 

Nga Ramiz Lushaj

1.Mjeshtri i fotografisë artistike, i nokshiqasi Alex Selimaj, banor i qytetit ilir të Gucisë, njëherash edhe shqiptaro-amerikan njujorkez, i përket të tretës epokë të udhës të fotografisë panshqiptare. Kësaj të pas vitit ’91. Disa nga fotot e tij artistike nga Plavë-Gucia me rrethina, nga Manhatani i Nju Jorkut, etj. më përngjasojnë me piktura të Rembrandit, Da Vinçit, Kolë Idromenos, etj.,

Alex Selimaj, meritor në talent dhe përkushtimor në punë, shenjohet një ndër “100 mjeshtrit e fotografisë shqiptare të shek. XXI”. Ky mjeshtër, ndër vise të Malit të Zi, renditet i pari, në krye të vendit. Në Amerikë, ndër shqiptaro-amerikanët e atyhit, ka mjeshtra të mëdhenj të fotografisë si Gjon Mili (1904-1984) Dhimitër Mborja, K. Sotiri e në dekadat e fundit edhe Fadil Berisha, por edhe Alex Selimaj është i ylltë, hyn në pesëshet medalionale.

Alex Selimaj ka botue gjithato foto në gazeta e revista amerikane si “In Toch Magazine”, “New York Daily News”, “Teen Magazine”, “Sky Magazine”, “Travel Magazine”, etj. si dhe në media e libra në gjuhën shqipe në shtete, treva e diaspora shqiptare. I ka hapur gjashtë ekspozita fotografike në Nju Jork të SHBA, një prej tyre dhe në seli të Ambasadës të Republikës së Kosovës.

Çdo kush mund të kqyrin fototekën e tij të madhe, me galeri të fotove plot art’ e dritë, si në websajtet e tij: alexselimaj.comKosovasovrane.com, etj., në faqen e tij “Plavë Guci” në facebook, në të cilat ka ba publike një pjesë nga thesari i tij vetjak e kombëtar.

Thënia amerikane “Një foto vlen sa një mijë fjalë” në krijimtarinë e mjeshtrit të madh të fotografisë artistike nokshiqasit, Alex Selimaj, merr kuptim plotor e lartnim përditësor, ka vlerë risore e visarore, gjen vertikalitet e horizontalitet, flet për kontributet e atributet e tij (ndër)kombëtare.

2.
I përkushtuari mjeshtër, Alex Selimaj, e kap foton në ecje, në lartësi, në largësi, tue e mat me sy profesionisti e pasion shpirtëror. Në të gjitha format e mënyrat, në çdo stinë të vitit, në çdo orë të ditës e natës kur shkrep aparatin fotografik artno’ foto të mira, të rralla, të pazakonta, të pastra, me dritë. Këndi i shikimit është mjaft i gjetur për syrin e tij e objektin e tij fokusues. Në çdo rast është i ndryshëm si në kohë fizike e në pozicion gjeografik.

Fototekat e ekspozitat të tij na japin një imazh real për të qesh sytë e rrit shpirtin tonë, nji imazh jetësor të realiteteve pamore deri në shfaqje të (pa)dukshme të tyre. Sigurisht, është i Vërteti me fotot e tij.

Alex Selimaj i ka pothuaj të gjitha fotot të ndjeshme. Pikturë e gjallë. Flakadojnë frymëzim edhe për poetët, edhe për çobanin. Japin emocione. Mbartin kënaqësi të shumëfishtë. Sjellin çlodhje të qetë. Krijojnë atmosferë të mirë.

Thellësia e pamjes në fotot e Alex Selimajt është deri në kufij të pazakontë, tue na zdrit përballë edhe psikologjinë e karakterin e personazheve të galerisë së tij fotografike. Fotot e tij kanë temperament, mbajnë temperaturën e autorit, mjedisit, tematikës, kohës.

Artisti talent rrallë i fotografisë Alex Selimaj është një emër që i bën nder kohës, një emër që i nderon rremagenin e Selimajt të Nokshiqit të historisë, krahinën e vet etno-historike-turistike të Plavë-Gucisë, krejt Shqiptarinë kombëtare në Ballkan e kudo në botë.

3.
Alex Selimaj, ky mjeshtër i fotografisë artistike, talent e fenomen artistik i heshtur, ka një ecuri pune disavjeçare për me e botue nji album me pamjet e jashtëzakonshme nga luginat e Gucisë, e Plavës, e Jasenicës, e Gërbajës, e Komoranit, nga Alpet Shqiptare, nga Bjeshkët e Bekuara. Aty, në faqe të tij, do të hyjnë edhe ngjarje e figura historike të Plavë-Gucisë, tue nistue me gjurmë e gjetje arkeologjike të antikitetit ilir e të mesjetës së vonë, me Luftën e Nokshiqit, Masakrën e Previsë, etj.

I veçanti, mjeshtri Alex Selimaj, si rrallëkush, me fotot e tij hyn pastër tek flatrimi i Flamurit Kombëtar Shqiptar në “Logu i Bjeshkëve” në Kelmend; tek guri i kullës malësore të Bruno Selimajt në Guci, etj.; tek gjethja e lisit në degë apo tokramje në lartësi të Ropojanit, tek lulja në ujët e liqenit të Plavës; tek lahuta e Januz Delajt në skenën “Alpet Shqiptare, Vuthaj, 2014, 2016”; tek pe-endja e xhubletës në ritmiken e valltares; tek dritërimi i Plavës natën; tek balluket e kalit të shalës në kullosë; tek damarët e gurtë të Majës së Vajzës, etj.

Veprimtari kombëtar Alex Selimaj ecë me kohën, i prin asaj. Shembulli ma i plotë e krejt i qartë është pasioni e frytet e punës së tij informatike moderne. E ka dixhitalizue prej vitesh veprimtarinë e FPG duke e hap websajtin tematik e funksional. 
Sigurisht, fotot e tij artistike me bukuri të rralla natyrore nga Plavë-Gucia janë një ftesë e hapur për turistë shqiptarë e të huaj për të ardhë në këtë trevë në çdo stinë të vitit. Duket se në këtë shekullin e ri, veçmas kohët e fundit, mjeshtri Alex Selimaj është ndër të parët e nga të paktit që i promovon gjithanshmërisht e gjithkahit bukuritë e magjishme turistike të vendlindjes së tij në sytë e botës.

Alex Selimaj me fotot e tij artistike nga Manhattani – “kryeqëndra e botës”, etj. si ato: Statuja e Lirisë me sfond yjet e natës, vjeshta me mozaikun gjethepërtokë apo dimri me fijatje bore në Central Park të Nju Jorkut, Ura e Brooklynit dhe e Manhatanit, etj. na e paraqet madhështinë e bukurinë e Amerikës, mike e madhe strategjike e jetike e shqiptarëve. Mjeshtri i fotografisë artistike Alex Selimaj e ka stolisë me fotot e tij të formateve të mëdha krejt Manifestimin e madh Shqiptar të vitit 2013, përndryshe: Paradën Shqiptare në Nju Jork, organizatore e së cilës ishte Kisha Zoja e Shkodrës në Hartsdale N.Y. me mbështetjen e shoqërisë civile shqiptare në Amerikë, ndër të cilët edhe Fondacioni Plavë-Guci, etj. Makinat e markave e tonazheve të ndryshme ishin veshur me fotot e Alex Selimaj, në të cilat ekspozoheshin foto nga të gjitha trevat shqiptare, etj. Ishte një ekspozitë e hapur në natyrë, në kryeqëndren e botës, në Nju Jorkun që ka ma shumë shqiptarë se çdo shtet tjetër i Amerikës.

E gjithë krijimtaria e mjeshtrit të fotografisë artistike Alex Selimaj ka një hark triumfal nga Plavë-Gucia në Nju Jork, krejt dritë, plot rrezatim. Edhe vet jeta e Alex Selimaj prej artisti emblematik, veprimtari kombëtar e qytetari dinjitar është e ndame më dysh në segmente kohore motmotesh pothuaj të njëjtë në mes vendlindjes e mërgimit.

4.
Qytetari i Gucisë e i Nju Jorkut, mjeshtri i fotografisë artistike, Alex Selimaj, është një nga gjashtë vllaznit e familjes së madhe të fisme e të ndritshme shqiptaro-amerikane Selimaj. Secili ma i mirë se tjetri, të nderuar nga/për të gjithë si Bruno, Nino, Dino, Bali, Besimi, Alex-i. Të gjithë sëbashku shquhen si veprimtarë kombëtar.

Alex Selimaj është djalosh e personalitet nokshiqas, i visit legjendar ku u zhvillua Lufta historike e Nokshiqit (4 dhjetor 1879-11 janar 1880), e cila ishte ma e famshme se ajo antike e Termopileve, ku u luftue kundër 7 krajlive të kohës të cilat kërkonin t’ia jepnin Plavë-Gucinë principatës së Malit të Zi dhe, njëherash, kjo luftë heroike e paraardhësve të tij ishte Parathania e Pavarësisë së Pambyllun të Vlorës të 1912-tës. 
Alex Selimaj vjen nga visi nokshiqas i personaliteteve të shquarambarëkombëtare shqiptare si: Akademiku Esad Mekuli (1916-1993) ish kryetari i parë i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Fuqi tjetër e madhe intelektuale ishte prof. Hasan Mekuli (1929-2013), ish pedagog i Universitetit të Prishtinës, ish kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, kryeredaktor i revistës “Jeta e Re”, studiues e kritik letrar, etj. i cili në Beograd, në një mbledhje zyrtare, kur ende pati kundërshti për çiljen e Universitetit të Prishtinës u ngrit e bani deklaratën e jehonshme: “Unë dij t’i mbathi opingat kaçake, ende i ruaj ato në tavane kullash…”. Poeti, prozatori, përkthyesi e studiuesi Qerim Ujnaki Selimaj ka hyrë edhe në antalogji të kohës e botës së sotme.

Alex Selimaj ka një pasion të kahershëm: kangën. I bie edhe çiftelisë. I pari antar i Shoqërisë Kulturore “Maja e Karafilit” në Plavë-Guci.

Alex Selimaj është djalosh kombëtar në gene e veprimtari të prejkohshme e të përditshme. Ashtu, disi të pabujshme e fort të dukshme. Ai, në dy mandatore (2011-2013, 2015-2017) ishte kryetar i zgjedhur i Fondacionit Plavë-Guci me seli në Nju Jork, një institucion kombëtar, humanitar, kulturor, një nga ma aktivët e cilësorët në të gjithë historinë e shoqërisë civile mbarëshqiptare. Ai gjatë ushtrimit të kësaj detyre fisnike ishte punëdrejt e bajemirë. Si gjithnjë në hapa të jetës së tij.
Alex Selimaj me vllazën e ka ringritë moderne kullen e të parëve të vet në qytetin e Gucisë. Ka ble truall për gjallnim oxhaku e tradite skej rrugës së madhe të Nokshiqit. E ka pasuruar fototekën e tij me albume të reja nga vise të vendlindjes. Ai gjen kohë për të gjitha këto tue i krye tetana në lartësitë e talentit të vet. Ai, kësisoj, me të tilla përkushtime, përjetime e realitetime ka pse me i prit’ mëngjeset, me iu gëzue diellnimit spektrues të ecunisë e lartësive të tij. Ai është kudo ku e thërret arti i fotografisë, veprimtaritë shoqërore-kulturore-sportive, ndërtimtaria, albumi me fotografi, kanga, interesat e kombit shqiptar. Ky personalitet ngado ecë në udhët e tij e të kohës është një dritë e pastër e kombit.
Alex Selimaj është një emër që po ban historinë e tij në lartësim përditësor në enciklopedinë e fotografisë shqiptare, që po kontribuon pa cak si artist atdhetar në lidhjet kulturore shqiptaro-amerikane në dy anët e Atlantikut, që po ia rrit vlerat visore vendlindjes e kombit shqiptar.