Institucion i rëndësishëm kulturor me përmasa rajonale
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“ organizoi më 2-4 gusht, në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, edicionin e 25-të të manifestimit „Kalimera Poetike“, ku të ftuar ishin shkrimtarët Bashkim Shehu nga Shqipëria, Jusuf Buxhovi nga Kosova, akademiku Zuvdija Hoxhiq nga Mali i Zi, si dhe piktorja Majlinda Kelmendi.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i SHAI „Art Club“, Ismet Kallaba, ka përkujtuar se „Kalimera Poetike“ nisi në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, në kohën e filleve të pluralizmit që përfshinë edhe kulturën, për të krijuar diçka ndryshe si rezultat i fitimit të lirisë krijuese. Por për dallim prej shumë nismave tjera kulturore, që nuk kanë arritur të mbijetojnë ose janë zvetënuar dhe deformuar, duke u shndërruar në veprimtari rutinë, “Kalimera Poetike” ka ardhur duke u rritur në aspektin cilësor, nga njëri edicion në tjetrin.
“Gjatë viteve ajo e ka ndryshuar konceptin dhe profilin e saj, me synimin jo për ta masivizuar, por duke përzgjedhur ajkën e letërsisë shqipe dhe të vendeve të rajonit. Në këtë mënyrë, me shkrimtarët, studiuesit dhe piktorët e ftuar, ‘Kalimera Poetike’ ka arritur të ruajë jo vetëm traditën, por edhe cilësinë, duke qenë një manifestim elitar”, ka thënë ai, duke shtuar se “me traditën e saj prej një çerek shekulli, ‘Kalimera Poetike’ është shndërruar tashmë në një institucion të rëndësishëm kulturor me përmasa rajonale”.
Në natën e parë të manifestimit, publiku ndoqi filmin e shkurtër dokumentar, të titulluar “25 vjet të Kalimerës Poetike”, me autor Ali Salaj, në të cilin disa prej protagonistëve kryesorë të këtij manifestimi flasin mbi rrugëtimin e tij ndër vite, peripecitë, synimet dhe sfidat, duke kujtuar njëherit edhe shkrimtarët e artistët e tjerë që ndër vite kanë shkelur gurin e shenjtë të kësaj skene.
Shehu, zë shumë origjinal në letërsinë shqipe
Mbrëmja e parë autoriale i është kushtuar shkrimtarit Bashkim Shehu, njërit prej shkrimtarëve shqiptarë më produktivë të ditëve tona, i cili vlerësohet nga kritika si njëri prej përfaqësuesve më të shquar të letërsisë së sotme shqipe, disa prej librave të të cilit janë përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës.
Në bashkëbisedim me poetin dhe studiuesin e letërsisë prof. dr. Basri Çapriqi, më së shumti vëmendje iu kushtua temës së diktaturës, që është goxha e theksuar në krijimtarinë artistike të Shehut, duke ditur se ai përbën një autor të rëndësishëm të asaj që sot studiuesit e quajnë letërsi të kujtesës. Shehu ka rrëfyer filozofinë e tij krijuese, duke bërë edhe krahasimin në procesin e të krijuarit letrar gjatë tri periudhave të jetës së tij – si bir i një kryeministri, më pas si i dënuar nga regjimi komunist dhe nga viti 1991 e këndej, në kohën e demokracisë, pjesën më të madhe të të cilës e ka kaluar jashtë Shqipërisë pasi që prej vitit 1997 jeton në Barcelonë të Spanjës.
Një vështrim mbi veprimtarinë letrare të shkrimtarit Bashkim Shehu ka paraqitur publicisti, përkthyesi dhe kritiku letrar Ben Andoni.
Ai ka thënë se Shehu “pati fatin e keq sepse u privua për një periudhë të gjatë kohore nga arti, por kjo nga ana tjetër e orientoi në dimensionin e ri të jetës së vet në shkrimtari, tashmë në një kohë të re dhe të maturuar e për të përsiatur në një gjendje gati metafizike.”
Andoni ka theksuar se romanet e tij “sjellin një zë shumë origjinal për letërsinë shqipe, ku fati i njeriut të sotëm; e shkuara si një botë që ngërthen vazhdimisht fatin e tij; marrëzia e sistemit të shkuar, ku ai pati një prekje shumë të çuditshme; dhe kthjellimi për konfrontimin me kulturën evropiane moderne, përzihen bashkë e ku Bashkimi nuk mbetet soditës, por mundohet t’i zbardhë në projeksionin me kanalet e errëta të sistemit shqiptar të zhvillimit social-psikologjik dhe rrjedhën historike të vendit”.
Publicisti është shprehur ndër të tjera se “në vitet e fundit Shehu punon gati me një ritëm teutonik, duke përcjellë letërsi krijuese, letërsi dokumentare dhe shumë përkthime, disa prej të cilave të vështirësisë së lartë”.
Hoxhiqi, shkrimtari i vendlindjes
Mbrëmja e dytë autoriale i është kushtuar shkrimtarit Zuvdija Hoxhiq, për krijimtarinë e të cilit ka folur studiuesi i letërsisë Dimitrov Popoviq. Në bashkëbisedim me shkrimtarin Muzafer Çaushi, Hoxhiq ka zbuluar botën e tij krijuese dhe filozofinë e jetës.
Ai ka folur sidomos për lidhjen e tij me vendlindjen, e cila ka një ndikim të madh dhe shfaqet kudo në krijimtarinë e tij, duke thënë se Gucia i ka dhënë më shumë atij sesa ai asaj.
“Një shkrimtar thotë se shkrimtari nuk bën gjë, vetëm i kthehet vendlindjes. Edhe unë i kthehem vendlindjes. Në fakt, unë nuk jam larguar asnjëherë nga Gucia”, ka thënë Hoxhiq.
Akademiku ka thënë se ka pasur fatin që fëmijërinë dhe rininë e hershme ta kalojë në Guci, në këtë qytet dhe vend, që për hir të rrethanave, historike, sociale etj., ka qenë gjithmonë në kufi dhe gjithmonë me rëndësi ngaqë aty gjithmonë ka ndodhur diçka.
Ai ka thënë se karvanet dhe njerëzit që kanë kaluar nëpër këtë vend “nuk kanë sjellë vetëm mall, por edhe ide”, të cilat u kanë shërbyer më pas njerëzve dhe atij vetë për të kuptuar më mirë botën dhe jetën.
Hoxhiq ka thënë se letërsia e tij nuk i takon asnjë populli të veçantë, por i përket vetëm lexuesit.
Studiuesi i letërsisë, Dimitrov Popoviq, ka thënë se krahas tregimeve, bisedave, kurreshtive, që Hoxhiqi i kishte dëgjuar e që do t’i artikulonte më vonë në veprat e veta, me kalimin e kohës, atë do ta shqetësojnë problemet tjera edhe më të mëdha, të cilat do të bëhen tharmi dhe brumi i tregimeve të mëvonshme dhe të romaneve të fuqishme.
Ai ka thënë se librat e Hoxhiqit i bëjnë që t’i duam shumë gjëra.
“Së pari, dëshira për të nënvizuar se në këtë jetë të trazuar nuk ka vetëm gjëra të këqija, ka edhe shumë gjëra të bukura për të cilat krenohesh se ekzistojnë, janë të pranueshme”, është shprehur Popoviq.
Duke nënvizuar se me romanin “Të gjithë të mitë”, Hoxhiqi do të krijojë një trilogji, Popoviq ka thënë se mendon që Zuvdija i tejkalon kufijtë e fisit të vet.
“Të tijtë janë të gjithë: edhe shqiptari, edhe malazezi, edhe boshnjaku; çdo njeri me zemër e vepra të mëdha, asish që malësia ka me shumicë. Për Zuvdiun ata janë engjëjt e tij”, ka theksuar ai.
Buxhovi, shkrimtari i angazhuar
Natën e tretë të manifestimit është mbajtur mbrëmja autoriale me shkrimtarin Jusuf Buxhovi, e cila ka përkuar me ditëlindjen e 71-të të autorit.
Buxhovi, i cili njihet si ithtar i letërsisë së angazhuar, në bashkëbisedim me moderatorin e mbrëmjes, studiuesin e letërsisë dr. Anton Berishaj, ka folur për konceptin dhe linjën që ka mbajtur në veprat e tij letrare.
Ai ka thënë se është pragmatik në letërsi dhe se në përgjithësi krijimtarinë e konsideron si një mjet i cili duhet t’u paraprijë disa proceseve.
Buxhovi ka sqaruar se pse të gjithë personazhet e veprave të tij janë intelektualë.
“Popujt nuk mund të kenë fuqi shpirtërore jashtë intelektualëve dhe jashtë idealistëve. Ata e krijojnë kurrizin e zhvillimit të mëtutjeshëm. Intelektualët janë ata që e mbajnë barrën kryesore në rrethana të caktuara historike”, ka thënë shkrimtari.
Sipas tij, veprat e tij përçojnë një mesazh – që “intelektuali, mendësia, koka duhet ta përcaktojtë zhvillimin e trupit e jo e kundërta”.
Për krijimtarinë e Buxhovit ka folur kritiku letrar Ramadan Musliu.
Ai ka thënë mes tjerash se në vazhdimësinë narrative buxhoviane ndeshet një proces i përhershëm i evoluimit të formave të trajtimit të historisë.
“Evoluimi ka të bëjë me modifikimin e brendshëm të percepcionit historik, por edhe të procedimeve artistike dhe të teknikave të trajtimit të fabulës historike”, është shprehur Musliu.
Sipas tij, nëse vështrohet e gjithë krijimtaria e Buxhovit vërehet se “kemi të bëjmë me një korpus romanor që lidhen mes veti në mënyrë ciklike, që domethanë se janë shfaqje e një vizioni autorial me një spektër të gjerë të vështrimit të problematikave”.
“I gjithë ky opus ndërtohet nga një autor i një profili origjinal, i një intelektuali aktiv, një sfiduesi i të së kaluarës dhe të tashmes dhe anticipuesi i të ardhmes dhe perspektivës historike të etnisë, që janë të rrallë sot edhe në letërsitë e mëdha”, është shprehur Musliu.
Përpos mbrëmjeve letrare, në natën e dytë të manifestimit “Kalimera Poetike”, në Galerinë “Kulla e Balshajve” është hapur ekspozita e piktores Majlinda Kelmendi.
Gjatë tri netëve, publikun e kanë argëtuar instrumentistët nga Shkodra, pedagogët Anton Kaftalli në violinë dhe Ares Fani në kitarë.
Manifestimi “Kalimera Poetike”, që u mbajt në kuadër të Festivalit “Skena Verore – Ulqini 2017”, është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Organizata Turistike Ulqin dhe Komisioni për ndarjen e fitimit të mjeteve nga Lojërat e fatit, si dhe disa donatorë privatë.
“Kalimera Poetike”, e cila mbahet rregullisht që nga viti 1993, vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë.
(Koha javore)