Gjonaj: Duhet vlerësuar kontributin e Tomë Bojajt në fushën e infromimit shqip

 

Nga Gjekë Gjonaj

Jeta dhe vepra e kolegut tonë të ndjerë e të respektuar nga shqiptarët e kudo ndodhur që e njohën , i cili lindi në një fshat të vogël Bojaj të malit të Grudës , pranë brigjeve të lumit Cem ,pak kilometera larg nga Tuzi , dëshmon se shkollimi i lartë nuk është gjithmonë kusht themeltar për të arritur domosdo një sukses të veçantë në fusha të ndryshme të jetës.

Tomë Bojaj , edhe pse nuk e kishte profesion gazetarinë, median shqipe e kishte në mendje , në zemër dhe në shpirt. Falë kësaj dashurie të zjarrtë për informimin shqip në trevën e Malësisë me mund, pasion e përkushtim , që i ka kultivuar ndër vite , themeloi dhe hapi Televizionin e parë në gjuhën shqipe në Mal të Zi me emrin “ Boin” në vitin 2001. Më duhet të pranoj se ishte akt i guximshëm, pasi rrethanat shoqërore-politike në ato vite të tranzicionit nuk ishin në favor të tij. Megjithatë i etur për të hapur edhe një dritare mediatike në shtëpitë e shqiptarëve në Mal të Zi pranoi të jetë në krye të detyrës, siç i ka hije një gazetari profesional. Në këtë profesion të ri, i cili për të ishte sfidë, u tregua i mirë. I aftë. I guximmshëm. Drejtues vizionar . Njeri i qeshur dhe komunikues, që i deshti njerëzit, kolegët e bashkëpunëtorët. Pozitiv. Modest. I dashur. Shpirtmirë. I gatshëm për këshilla. Korrekt. I drejtë. Parimor. I përkushtuar për punën në televizion. Për informimin e drejtë, të paanshëm dhe të balancuar të shqiptarëve.Njeri që bëri shumë për informimin shqip në Mal të Zi . Dhe jo vetëm kaq. Por edhe për kauzën shqiptare. Si i tillë hyri në zemrat e shqiptarëve brenda dhe jashtë shtetit, i cili televizionin e tij fillimisht nuk e ka parë me sy të mirë, për çka edhe asokohe e ka ndëshkuar financiarisht, në vend se ta mbështetesë. Mungesën e përkrahjes së shtetit të Televizionit “ Boin” e mbuloi mërgata shqiptare kryesisht në Amerikë, e cila vazhdimisht e ka mbështetur me donacione , të cilat nuk mungojnë as sot. Shpresoj as nesër, sepse shqiptarëve në Mal të Zi u duhet TV “ Boin”. Pa të ata do të kishin një dritare informative më pak në gjuhën e tyre të ëmbël shqipe.

Në mbyllje të këtij shkrimi përkujtimor për kolegun, shokun dhe të afërmin tim të gjakut po shtoj se meriton të nderohet dhe vlerësohet kontributi i tij në gazetarinë shqiptare. Me punën e tij fisnike nëntëvjeçare, nëpërmjet valëve të Televizionit “ Boin” , përcolli gjithmonë porosi atdhedashurie, duke reflektuar energji pozitive në mbarë spektrin shqiptar. Dha kontribut goxha të rëndësishëm në drejtimin dhe zhvillimin e tij në vite, në informimin e drejtë, në mendimin e lirë si dhe në zhvillimet politike e demokratike. Promovoi dhe lëvroi një gazetari në shërbim të së vërtetës dhe interesit publik shqiptar deri në momentin e ndarjes së tij të parakohshme nga jeta, në moshën 42 vjeçare , më 1 maj 2010. Në Televizionin e tij ka lëvruar pothuaj të gjitha gjinitë e gazetarisë e publicistikës televizive, si lajmi, kronika, telereportazhi, intervista dhe dokumentari.

Për mua ishte dhe mbeti njeri model i informimit shqip. Një atdhetar dhe dashamirës i kulturës dhe traditave shqiptare. Karakteri i tij njerëzor dhe ndershmëria e tij janë një shëmbëlltyrë frymëzuese dhe sfiduese për të gjithë ata që e duan median shqipe. E për këto virtyte të larta njerëzore ky misionar i informimit shqip duhet të vlerësohet dhe të nderohet.