Në zgjedhjet për këshilltar në Kuvendin e Komunës urbane të Tuzit, të drejtë vote kanë 11 mijë e 599 qytetarë, ka kumtuar Ministria për punë të brendshme (MPB). Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, i ka shpallur zgjedhjet lokale në Tuz, Komunë në kuadër të kryeqytetit për me 26 nëntor të këtij viti. Nga Ministria për Punë të Brendshme kanë kumtuar se në zgjedhjet parlamentare me 16 tetor të vitit të kaluar të drejtë vote në Tuz kanë pasur 11 mijë e 381 qytetarë, kurse për zgjedhjet e ardhshme lokale në regjistra janë shënuar 11 mijë e 599. Është kumtuar po ashtu se verifikimin e regjistrit zgjedhor votuesi mund ta realizojë çdo ditë pune prej orës 10 deri në ora 16.
“Verifikimi në regjistrin zgjedhor bëhet personalisht në sportelet e filialës në Tuz, paralelja e ndarë në Podgoricë, përmes letërnjoftimit të vlefshëm, ose pasaportës. Me rastin e verifikimit të drejtë për drejtë, zgjedhësi mund të kërkojë ndryshimin e të dhënave të regjistruara në regjistrin zgjedhor”, kanë theksuar në MPB. Po ashtu verifikimi në regjistrin zgjedhorë mund të kryhet edhe drejtpërdrejtë përmes portalit të internetit, biraci.me. Në këtë portal, qytetarët, pas futjes së numrit amë, të letërnjoftimit ose numrit të pasaportës, mund të vërtetojnë nëse gjenden në regjistrin zgjedhor dhe në cilin vendvotim do të votojnë.