Pllumaj: “Më falni që jam malësor, shqiptar që jetoj në Mal të Zi”

Reagim publik ndaj Ministrisë së Arsimit në Shqipëri

Është hera e parë që shkruaj në mënyrë publike, jo nga gëzimi, por thjesht nga zhgënjimi ndaj padrejtësisë nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve të Shqipërisë, nëse mund ta quaj kështu! Vitin e kaluar diplomova në muajin korrik, dhe duke pritur, pothuajse gati 11 muaj, diplomën prap nga e njëjta Ministri, humba të drejtën për të kryer praktikën, humba të drejtën për të vazhduar masterin, gjoja se nuk kisha diplomë nga vet ai shtet dhe nga vet ajo ministri, dhe në fund, se nuk kisha kuot si shqiptar i Malit të Zi. I njëjti fat më gjeti edhe këtë vit, edhe pse tani e kisha diplomën dhe të gjitha dokumentat të gatshme për t’i paraqitur, prap nuk kishte asnjë kuot në degën pedagogji muzikore. Tani edhe një kërkesë u shtua më shumë, pasi më kërkuan pasaportën e Shqipërisë. Nuk e di përse kam mbaruar një fakultet në Shqipëri? Si ka mundësi që për të vetmin shqiptar në Mal të Zi nuk ka asnjë kuot, duke qenë se isha i vetmi që kisha dëshirë të vazhdoj master për atë degë. Nuk e di përse punova tash më se një dekadë, duke u munduar të ruaj dhe të kultivoj traditën autoktone shqiptare deri në nivelet më të larta botërore! Nuk e di deri kur do të ketë padrejtësi të këtij lloji,o Nënë Shqipëri !?
Tani e tutje unë nuk qenkam shqiptar, por qenkam malazez apo ”Crnogorac””, tani e tutje nuk paskam mbiemer “Pllumaj”, por “Golluboviq”, tani e tutje unë do të filloj të këndoj këngë edhe në gjuhën malazeze dhe do të filloj të luaj instrumentet e tyre, pasi në Shqipëri nuk paskam vend!

Turp!

Një thirrje për Elitën jo “5”, por me një numër ,gjykoj,”1″, politike të Malësisë dhe për Këshillin Nacional Shqiptar të mos flejnë, por të reagojnë paksa për këto raste, (ndoshta gjeneratat e ardhshme, nuk do ta kenë të njëjtin fat të zi siç po e përjetoj unë).
Është për të ardhur keq kur i dëgjon,dhe jo kur edhe i përjeton këto gjëra! Maestro ka një porosi : – Nëna e vërtetë askurrë s’e harron fëminë e vet, po edhe nëse e ka braktisur,ajo do ta kërkojë dhe do ta gjejë, sepse fëmisë i nevojitet ngrohtësia dhe gjiri i saj. Por,për fat të keq sot nuk janë të gjitha nënat,”Nëna”. Në këtë rast,ndoshta një ditë atë fëmijë do ta kërkojë kjo Nënë, por për fat të keq, kam frikë se nuk do ta gjejë.
Deri sot kam kënduar, “Jam krenar që jam shqiptar, tani e tutje s’e di si do të këndoj!
Dhe në fund të më falni që jam “malësor-shqiptar që jetoj në Mal të Zi”.

Me respekt, Agron Pllumaj!