Të dielën e shkuar përfunduan edhe një palë zgjedhje lakale në Malësi – Tuz. Me votën e qytetarëve të atjeshëm me shumicë shqiptare partitë shqiptare, sipas konfirmimit të rezultateve paraprake, pësuan humbje të thellë. Në Kuvendin e ardhshëm të Komunës Urbane të Tuzit tri partitë shqiptare konkurruese, Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve, do të kenë vetëm 12 nga gjithsej 32 ulëse. Zgjedhjet i fitoi bindshëm partia në pushtet. Të kota ishin përpjekjet zyrtare të Tiranës dhe Prishtinës për bashkimin e subjekteve shqiptare në prag të këtyre zgjedhjeve, sikurse edhe thirrjet e diapsorës shqiptare që qytetarët e Malësisë të votojnë shqip. Për njohësit e mirë të rrethanave të këtushme politike asgjë e re dhe e befasueshme. Befasi do të ishte sikur të kishte ndodhur e kundërta, na mëson e kaluara.
Fenomeni i derdhjes së votave shqiptare në kutitë e partive malazeze është një fenomen i vjetër, i cili po shtohet prej zgjedhjeve në zgjedhjeve në Malësi, por edhe në treva tjera të banuara me shqiptarë në Malin e Zi. Leksioni i radhës i Partisë Demokratike të Socialistëve do të duhej të jetë një fakt tepër shqetësues për subjektet politike shqiptare, nëse vërtetë nuk duan të lejojnë që shqiptarët me votat e tyre të rrezikojnë shuarjen e tyre si etnitet. Kjo çfarë ndodhi të dielën me elektoratin shqiptar në Malësi forcon partitë malazeze ( qytetare) dhe rrezikon shuarjen e shqiptarisë në trojet etnike të shqiptarëve në këtë republikë. Humbja e partive shqiptare në Tuz peshon për mënyrën sesi erdhi, e më tepër për mënyren sesi e gjeti faktorin shqiptar të përçarë, të ndarë në një garë jo me të tjerët, por ballë vetes, shqiptarë ndaj shqiptarësh të coptuar e kundra njëri-tjetrit.
Ky dështim i rezultatit zgjedhor, apo malazezim i votave shqiptare, mud të pritet edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale në Komunën e Ulqinit. Veç sot dëgjohen komente nëpër Ulqin nga aktivistë të partive të ndryshme shqiptare se PDS-ja do të na fshijë edhe ne sikur ata në Tuz. Andaj spektri politik shqiptar duhet urgjentisht të ndryshojë strategjnë e vet të deritashme. Duhet të reflektojë pozitivsht. Dhe për këtë ka vetëm një zgjdhje. Të rikthejë besimin e humbur të zgjedhësve shqiptarë. E kjo është e mundur vetëm nëse lidershiqpi shqiptar i kupton arsyet që e shtynë votuesin shqiptar në Malësi të veprojë në këtë mënyrë dhe cila është porosia e verdiktit të tij që e dha më 26 nëntor 2017.
Lidershiqpi shqiptar duhet të mbajë përgjegjësi. Të mos i interesoj më shumë pushteti se sa halli i shqiptarëve të ngratë. Të kutpojë se mbi të gjitha është në shërbim të interesave të qytetarëve më parë, e vetes pastaj. Nga ana tjetër shqiptarët duhet të jenë vigjilent e mos të mashtrohen nga ofertat e tyre që fshehin diçka shumë të madhe, që na çon shumë shpejt kah asimilimi.
Ashtu sikurse vota e malazezëve është e malazezëve dhe u mbetet atyre, ashtu edhe vota e shqiptarëve është e shqiptarëve dhe duhet të mbesë e shqiptarëve. Nëse ndodh e kundërta në Mal të Zi nuk do të ketë përmirësim të statutit qytetar të shqiptarëve.