Depolitizimi i KKSH-së do t’i ndihmojë politikës shqiptare

Këto ditë Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve bëri thirrje publike për aplikimin për elektor të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (besoj në Mal të Zi), për pjesëmarrjen në Kuvendin e  elektorëve të Këshillit dhe në bazë të saj, natyrisht, edhe zgjedhjes së anëtarëve të KKSH-së në Mal të Zi. Kjo thirrje, edhe pse pak në afat e vonuar, s’ka asgjë të keqe, është thjesht një obligim ligjor. Por më i rëndësishëm është fakti i veprimit të këtij Këshilli pas dy mandateve zgjedhore, rezultatet e (pa)arritura dhe pritshmëria e shqiptarëve në Mal të Zi nga veprimtaria, puna dhe angazhimi serioz e profesional i anëtarëve të tij.

Analizat a komentet mund të jenë në varësi të shijes, perceptimit ose edhe të përkatësisë politike të cilitdo qoftë, kryesisht për përfitime politike e shumë herë edhe personale. Sidoqoftë, kur flitet për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, për këtë çështje madhore të shqiptarëve, duhet t’u shmangemi shijeve, përkatësisë politike apo cilitdo interes personal, pasi kjo do të ishte e pafalshme.

Këshillat kombëtare të popujve pakicë janë themeluar me qëllim të ruajtjes së identitetit kombëtar dhe avancimit të lirive dhe të drejtave të tyre, të cilat, sipas Ligjit mbi liritë dhe të drejtat e pakicave, me qëllim të sigurimit të realizimit të tyre të vërtetë, nuk mund të jenë më të vogla se ato të arritura më parë. Ndërkaq, ky qëllim i mirë i themeluesit është vështirë të jetësohet pasi forma, struktura dhe kompetencat e tij, që në fillim e pamundësojnë realizimin e qëllimit thelbësor. Një konstatim i tillë, fatkeqësisht, lehtë vërtetohet nga të arriturat ose thënë më mirë nga ndikimi i Këshillit në vendimmarrje të organeve dhe politikës shtetërore në përgjithësi e veçanërisht në lëmin e kulturës, arsimit, përfaqësimit dhe të gjitha atyre të drejtave dhe lirive që kanë të bëjnë me ruajtjen e identitetit kombëtar.

Fillimisht duhet cekur se vetë struktura e Këshillit, paraprakisht e vendos atë në pozitë inferiore e në favor të politikës aktuale shtetërore, me të cilën duhet thënë haptas se shqiptarët në Mal të Zi nuk janë të kënaqur. Vetë fakti se numrin më të madh të anëtarëve të Këshillit e përbëjnë anëtarët sipas funksionit i jep atij karakter politik, ndërsa nga ana tjetër e ngushton pjesëmarrjen e qytetarëve, ekspertëve nga lëmitë e ndryshme të shkencës, kulturës, arsimit etj. dhe kontributin e tyre në propozimin, hartimin dhe ndikimin direkt apo indirekt në organet e qeverisjes dhe politikës.

Partitë politike shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre politikë në organet legjislative apo edhe qeveritare, e kanë hapësirën dhe mundësinë e veprimit brenda në Parlament ose në organet qeveritare, dhe për këtë duhet nxitur dhe përkrahur çdo përpjekje në ngritjen e vlerave të identitetit kombëtar në të gjitha lëmitë e jetës. Anëtarët sipas funksionit, përjashtuar kryetarët e partive politike, në ulëset e Këshillit nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se dublojnë përpjekjet e tyre, pa ndonjë kontribut të veçantë, besoj, të shprehura në organet përfaqësuese ose qeveritare.

Edhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit nëpërmes elektorëve nuk është i përshtatshëm, pasi dihet mirë se zgjedhjet indirekte shpeshherë mund të jenë manipuluese dhe keqpërdoruese, duke lënë jashtë shumë anëtarë të tjerë me meritë dhe të cilët kishin mundur të japin kontributin e tyre profesional. Kjo dukuri është e dukshme dhe e faktuar, sidomos, në përbërjen e dytë të Këshillit, i cili pothuaj politikisht është njëngjyrësh, e që nuk duhet të jetë tendencë e askujt në të ardhmen. Ndaj, duhet bërë përpjekje që të lirohemi nga kjo mënyrë e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit dhe krijimit të shumicës politike në të, pasi siç cekëm më lart, politikanët e kanë vendin e tyre dhe të gjithë fuqinë e tyre për t’i kontribuar çështjes kombëtare duhet ta përdorin në parlament dhe qeveri.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi është dhe duhet të jetë i të gjithëve, prandaj është në interes të të gjithëve që të zgjerohet rrethi i atyre që munden dhe dëshirojnë t’i kontribuojnë zgjidhjes dhe avancimit të të drejtave dhe lirive kombëtare, individuale e kolektive. Kjo do të arrihet me ndryshimin e Ligjit në fjalë dhe aplikimin e zgjedhjes së drejtpërdrejtë të anëtarëve të Këshillit. Besoj se kjo mënyrë do t’i jepte mundësi secilit dhe do të rriste interesimin e qytetarëve shqiptarë për pjesëmarrje në zgjedhje, do të nxiste ekspertë nga lëmitë e ndryshme të shkencës, kulturës, arsimit etj. të garojnë dhe nëpërmes principit “një anëtar, një votë“ do të përmirësohet dukshëm struktura profesionale e anëtarëve. Mekanizmi i këtillë i zgjedhjes së anëtarëve të Këshillave kombëtare nuk është i panjohur, përkundrazi ai funksionon shumë mirë, sidomos në Luginën e Preshevës.

Forma dhe struktura organizative e Këshillit dhe parimet mbi të cilat është themeluar Këshilli, thënë të drejtën, nuk lë shumë hapësirë dhe mundësi për veprim të mirëfilltë kombëtar, për të vepruar në drejtim të përmirësimit cilësor të gjendjes së shqiptarëve në Mal të Zi, konform infrastukturës ligjore ndërkombëtare në aspektin e identitetit kombëtar. Këshilli mund të veprojë vetëm konform politikës shtetërore, natyrisht, pasi nga ajo themelohet, financohet dhe kryesisht udhëhiqet.

Sipas Ligjit përkatës, kompetencat e Këshillit janë kryesisht këshillëdhënëse, pra nuk ka vendimmarrje për çështje të rëndësishme, bile nuk ka as kompetenca të bartura në asnjë lëmi të jetës së përditshme, as në kulturë e aq më pak në arsim.

A janë shqiptarët të kënaqur?

Nuk e di, pasi që secili ka bindjen e vet, ndonëse mendoj se jo!

Cilat janë të arriturat e të paarriturat e Këshillit, duhet vetë ai t’i publikojë, pasi transparenca në punë është parim demokratik dhe i domosdoshëm. Këtu po i përmendi vetëm disa nga ato çështje të cilat Këshilli është dashur, jo vetëm t’i inicojë, por të ngrisë zërin për realizimin e tyre e të cilat në bazë të Kushtetutës së Malit të Zi janë të arritshme.

Përdorimi i simboleve kombëtare, përkundër përmirësimeve në plotësimin e fundit të Ligjit, përderisa mos të lejohet përdorimi edhe në institucionet shtetërore (shkolla, gjykata komunale, njësitë e organeve të punëve të brendshme, njësitë ekonomike themelues i të cilave është shteti -posta, telefoni etj.), së paku në ato mjedise ku populli shqiptar është shumicë, i vendos shqiptarët në pozitë inferiore e jo të barabartë me popullin shumicë dhe përbën një të padrejtë në vijimësi.

Edhe pas afro 30 viteve demokraci, plan-programet shkollore, sidomos të gjuhës, historisë, lëndeve të shkathtësisë nuk i plotësojnë aspiratat e shqiptarëve dhe me keqardhje konstatoj se në disa aspekte ato janë edhe nën nivelin e para demokracisë.

Edhe pse me aktin më të lartë shtetëror, me Kushtetutë , është e paraparë “që në mjediset me pjesëmarrje të konsiderueshme në popullatë, organet e vetëqeverisjes lokale, organet shtetërore dhe gjyqësore të udhëheqin procesin edhe në gjuhën e popujve pakicë“, ky veprim lë për të dëshiruar pasi, sidomos në gjyqësi, është i pamundur, e paarritur e sa më kujtohet edhe e pa inicuar sa duhet. Udhëheqja e procedurës gjyqësore në gjuhën amtare është parim i njohur demokratik, mospërfillja e të cilit vështirëson realizimin e të drejtës në mbrojtje dhe realizimin e të drejtave individuale dhe kështu në vijimësi i vendos shqiptarët në pozitë inferiore dhe të pabarabartë me popullin shumicë.

Edhe pse dispozitat e Ligjit mbi të drejtat dhe liritë e pakicave parashikojnë që të drejtat dhe liritë e pakicave nuk mund të jenë më të vogla se ato të arritura më parë, zgjidhja aktuale ligjore për përfaqësimin e shqiptarëve në Parlamentin e Malit të Zi është në kundërshtim të plotë, jo vetëm me normat e Ligjit në fjalë, por edhe me parimin kushtetues të përfaqësimit autentik, çka pa dyshim paraqet shkelje flagrante të të drejtave të tyre kushtetuese dhe i vendos ata, përsëri, në pozitë inferiore dhe të pabarabartë me popullin shumicë.

Janë këto vetëm disa aspekte, pa prekur e përmendur aspektin ekonomik të vendbanimeve shqiptare, për të cilat shqiptarët në Mal të Zi duhet të ngrejnë zërin për realizimin e tyre.

Edhe pse ndonjëri nga deputetët shqiptarë, bile vite me radhë, i ka ngritur e iniciuar këto kërkesa, ato kanë mbetur në sirtaret e politikës dhe qeverisë malazeze, pra angazhimi i tyre nuk ishte i mjaftueshëm. Prandaj, edhe këto momente shkojnë në favor te depolitizimit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.

Lirimi i vendeve të anëtarëve të përfaqësimit parlamentar dhe qeveritar në favor të anëtarëve nga radhët e strukturave të lartpërmendura si dhe zgjedhja e drejtpërdrejtë e anëtarëve të Këshillit do të kontribuonte shumë në përmirësimin e kërkesave shqiptare për ruajtjen, zhvillimin dhe avancimin e identitetit kombëtar dhe nga ana tjetër, një Këshill i formatit të tillë do të ishte edhe një instancë tjetër e fuqishme e cila në veprim të koordinuar dhe unifikuar, së bashku me përfaqësuesit e politikës shqiptare, do të kontribuonte dukshëm për çështjet e përmendura shqiptare. Depolitizimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve do t’i ndihmojë politikës shqiptare gjithsesi e nuk do të pengojë punën e tyre.

Nëse jemi të kënaqur me rolin dhe veprimtarinë e Këshillit Kombëtar, sa vetëm për të festuar Ditën e Flamurit, e cila thënë të drejtën festohej e manifestohej edhe shumë vite para themelimit të Këshillit, ndoshta në forma edhe më gjithëpërfshirëse, nëse jemi të kënaqur vetëm me shpërndarjen e abetares kombëtare e cila më shumë mbahet si suvenir sesa përdoret në procesin mësimor, nëse jemi të kënaqur me Ligjin zgjedhor, nëse jemi të kënaqur me angazhimin e politikës dhe qeverisë shtetërore me zhvillimin ekonomik të trojeve shqiptare, nëse jemi…, nëse jemi…, atëherë forma dhe struktura e tanishme e Këshillit ndoshta nuk ka nevojë për ndryshime. Në të kundërtën shqiptarët duhen të përdorin të gjitha mekanizmat demokratike për realizimin e të drejtave dhe lirive, ashtu si edhe aktet normative të brendshme dhe ndërkombëtare e rekomandojnë, duke përfshirë edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi.

Mbi të gjitha, duhet theksuar se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, edhe pas dy mandateve të konsumuara, nuk ka arritur të ketë një dokument të rëndësishëm të veprimit – Planin Strategjik të Këshillit, me të cilin do të përcaktonte në mënyrë detale parimet, vizionin, mekanizmat e realizimit dhe planin e veprimit. Ky plan në mënyrë të qartë do të përcaktonte qëllimet e veçanta të cilat duhet të jenë të matshme, reale dhe të realizueshme, e mbi të gjitha do të përcaktonte përgjegjësinë para popullit për mosrealizimin e qëllimeve kryesore, së paku, nga plani strategjik i tij. Pa këtë dokument, Këshilli, vështirë se do të mundet t’i realizojë synimet dhe pritshmëritë e shqiptarëve për përmirësimin e statusit të tyre. (Koha javore)