Martin Berishaj, anëtar i Komisionit Shtetëror për demarkacionin, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës do të votojë të enjten marrëveshjen që Kosovës ia humb 82 kilometra katrorë.
Ai ka deklaruar se raporti i Komisionit Bulliqi është në kundërshtim të madh me vijën kufitare, të shënuar nga ish-komisioni.
Në Interaktiv të KTV-së, Berishaj ka thënë se edhe deklarata e përbashkët mes presidentëve të Kosovës dhe Malit të Zi, nuk prodhon efekt juridik.
Në Kuvend të enjten do të votohet marrëveshja e demarkacionit, ndërsa kryesia ka çuar para deputetëve edhe raportin e Komisionit Bulliqi si dhe deklaratën e dy presidentëve. Sipas Berishajt, këto shtojca janë refleks i punës së dobët të ish-komisionit.
“Këtu ratifikohet marrëveshja e vitit 2015 me disa shtojca, me raportin tonë që e kundërshton fund e krye vijën e shënuar nga komisioni i shkuar. Produkti final është se Malit të Zi i çohet letra se Kuvendi i Kosovës e ka kryer detyrën e vet nga marrëveshja e vjetër, të cilin Mali i Zi e ka ratifikuar”, ka thënë Berishaj.
Berishaj ka thënë se Komisioni Bulliqi ka gjetur më shumë se 25 gabime nga raporti i komisionit të shkuar.
“82 kilometra katrorë janë njësoj si rruga prej Prishtinës në Pejë, në një kilometër gjerësi. Njëjtë sa dy territore të shtetit të Vatikanit”, ka shtuar ai. “Deklaratë e presidentëve kurrë s’kishte ndodhë mos të kishte ndodhë paraprakisht gabime në shënim të kufirit”.