Kallaba: Millo Gjukanoviq i bashkon disa parti shqiptare

Nga Ismet Kallaba

Zgjedhjet  që do të mbahen të dielën, më 15 prill, në Mal të Zi, janë edhe një sprovë për politikën e partive shqiptare dhe (jo)konsistencën e qëndrimeve të tyre, në raport me votuesit e vet dhe pushtetin në Mal të Zi.

Në këto zgjedhje do të garojnë shtatë kandidatë, prej të cilëve asnjë shqiptar. Kjo edhe nuk është për t’u çuditur sepse në asnjë nga shtatë palë zgjedhjet e deritashme për president të Malit të Zi, gjatë periudhës së pluralizmit, nuk ka garuar ndonjë kandidat shqiptar nisur edhe nga fakti se shanset për të fituar janë pothuajse të barabarta me zero.

Por ajo që të befason është “uniteti” i partive shqiptare, të përçara jo vetëm politikisht, por në shumë aspekte, në mbështetjen e kandidatit për president. Tashmë partitë kryesore shqiptare dhe ndonjë parti minore janë rreshtuar hapur në favor të kandidatit të partisë në pushtet, Partisë Demokratike të Socialistëve, Millo Gjukanoviq, si kandidati më i pranueshëm për shqiptarët dhe Malin e Zi. Arsyetimi i pothuajse të gjitha partive shqiptare është i njëjtë: Millo Gjukanoviqi është garant i stabilitetit dhe i proceseve integruese euro-atlantike të Malit të Zi.
Problemi i vetëm ishte, si duket, se cila parti shqiptare do të jetë e para që do të çajë ujin, domethënë do të mbështesë Gjukanoviqin. Më pas, si në kor, njëra pas tjetrës, jo me shumë bujë, deklaruan se e mbështesin Gjukanoviqin. Pra, atë që nuk kanë arritur ta bëjnë as Sali Berisha, as Edi Rama, as Hashim Thaçi, as Albin Kurti apo ndonjë tjetër, që t’i bashkojnë shqiptarët më herët në zgjedhjet parlamentare apo së fundmi në zgjedhjet lokale në Tuz dhe Ulqin, ka arritur ta bëjë Millo Gjukanoviqi, duke i bashkuar partitë shqiptare, jo për interesat e shqiptarëve, por për interesin e vet dhe të politikës që ai përfaqëson.

Me pafytyrësinë dhe paturpësinë më të madhe partitë politike shqiptare i kanë ftuar simpatizantët e vet të votojnë për Gjukanoviqin, pa çka se vetëm para dy muajsh, në zgjedhjet lokale në Ulqin, deklaronin se duhet t’i votojnë ata (partitë nacionale) sepse PDS-ja përbën rrezik për Ulqinin!
Arsyetimi se përkrahja për Gjukanoviqin mbështetet në bashkëpunimin dhe partneritetin e deritashëm nuk qëndron pasi që ky lloj bashkëpunimi është karakterizuar nga hegjemonizmi i PDS-së dhe servilizmi i partive shqiptare, të cilat jo rrallë nga populli dhe votuesit akuzohen si parti satelite të PDS-së dhe të kapura nga pushteti. Edhe arsyetimi se Millo Gjukanoviqi është garanci për komunën e plotë të Tuzit (Malësisë) nuk duket bindës kur dihet mirë se pikërisht Gjukanoviqi dhe politika që ai personifikon është shkaktar se pse Malësia nuk e ka fituar deri tani komunën e pavarur.

Nëse i referohemi së kaluarës, politikat konfliktuale dhe mbajtja e vazhdueshme e situatës në tension, që në fillim të viteve ’90 e deri tani, ka bërë që shqiptarët të gjenden gati çdo herë në pozitën “të jesh apo të mos jesh”, ndërmjet dy të këqijave, duke zgjedhur shpesh të keqen më të vogël. Nga ata është kërkuar, rrjedhimisht është dashur të luajnë shpesh, gjoja, rolin e shpëtimtarit të Malit të Zi. Kujtojmë zgjedhjet për president të Malit të Zi në vitin 1992, kur në rrethin e dytë zgjedhor, ndërmjet dy kandidatëve, Momir Bullatoviq nga PDS dhe Branko Kostiq, kandidat i Shoqatës së Luftëtarëve 1991-1992, shqiptarët u përcaktuan për Bullatoviqin. Apo në zgjedhjet e vitit 1997, në kohën e ndarjes së PDS-së, ndërmjet dy kandidatëve të kësaj partie për president, Momir Bullatoviq dhe Millo Gjukanoviq, shqiptarët me shumicë u përcaktuan për këtë të dytin. Rasti tjetër, në referendumin e vitit 2006, kur votat e shqiptarëve ishin përcaktuese për fitimin e Pavarësisë së Malit të Zi, por ky kontribut deri tani nuk është shpërblyer.

Gjatë periudhës së pluralizmit, domethënë sundimit të PDS-së dhe Millo Gjukanoviqit, shqiptarët në Malin e Zi kanë pësuar tkurrjen dhe asimilimin më të madh për një kohë të shkurtër, pak më shumë se një çerek shekulli. Shifrat flasin qartë në favor të këtij konstatimi. Nëse në vitin 1991, sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë, në Mal të Zi jetonin 40 415 apo 6.57 për qind shqiptarë, në vitin 2011 kanë jetuar pak më shumë se 30 mijë apo 4.91 shqiptarë. Procesi i emigrimit të shqiptarëve për shkak të situatës së përgjithshme politiko-ekonomike, por edhe asimilimi i tyre nën pretekstin e gjoja integrimit në shoqërinë shumënacionale dhe shumëfetare në Malin e Zi, janë ndër faktorët kyçë të kësaj dukurie.

Trupin votues të përçarë shqiptar në Mal të Zi nuk mund ta unifikojë Gjukanoviqi, por vetëm një kandidat shqiptar me dinjitet dhe i papërlyer në lojërat politike të deritashme. Është më se e kuptueshme që kandidati shqiptar nuk ka gjasa të fitojë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Ai do të fitonte votat e votuesve shqiptarë me bindje të vërteta nacionale, kurse nga ana tjetër do t’i vinte në sprovë partitë shqiptare të cilat në këtë rast do të tregonin fytyrën e vet të vërtetë. Kjo po ashtu do të forconte edhe pozitat e shqiptarëve në rast të rrethit të dytë të zgjedhjeve për president.
Duke i ftuar votuesit e vet që të votojnë për kandidatin e PDS-së, me arsyetimin se nuk ka kandidat tjetër më të mirë dhe se të tjerët paraqesin rrezik për shqiptarët dhe Malin e Zi, siç kanë bërë edhe në të kaluarën, partitë shqiptare bëjnë autogol politik. Në këtë mënyrë i hapin rrugë dhe i edukojnë votuesit që deri tani kanë votuar për ta, të cilët në të ardhmen nuk do ta kenë më problem që të votojnë për PDS-së apo ndonjë parti tjetër të ashtuquajtur qytetare. Për më tepër, çfarë do t’i thonë partitë shqiptare votuesit të zhgënjyer, besnik dhe të sinqertë, në zgjedhjet e ardhshme?! (Koha javore)