Të nderuar qytetarë,
LDSH ishte në pritje të reflektimit dhe pergjigjes së subjekteve tjera politike shqiptare, lidhur me kërkesën tonë, që të rreshtohemi pas një kandidati të pavarur, si opsioni më i përshtatshëm për të bashkëpunuar dhe për të siguruar përfaqësim autentik të shqiptarëve, në Podgoricë dhe Plavë.
Mirëpo, në vend të saj, ne fituam kërkesë për të përkrahur subjektin, i cili, në shkresën e vet, deklaron se është i vetmi që „mund të ruaj statusin parlamentar në Komunën e Plavës si edhe të arris statusin parlamentar në komunën e Podgoricës“. Kërkesë pak e pakuptimtë, nëse këtë mund ta bëjnë si „të vetmit“, e në anën tjetër ftojnë që „me mbështetjen tonë publike, t’i ndihmojmë“. Se a është e nxitur nga injoranca, qëllimet dinake egoiste, apo nga shkrime portalesh, na mbetet të hamendësojmë, por shkresa i mbyll pothuaj të gjitha mundësitë e një bashkëveprimi të sinqertë. Absurditetin e „ftesës për bashkëpunim“ e shton edhe fakti se zotërinjtë veç paskan caktuar edhe bartësit e listave.
Duke e vlerësuar rreshtimin mbas ideologjisë që në vendin e parë ka qytetarin/votuesin, si të vetmen mundësi të bashkëpunimit, e jo partinë, mbetemi në pritje të reflektimit, konform kërkesës sonë. Njëkohësisht lajmërojmë ASH-në dhe opinionin e gjerë, se LDSH-së, nuk i shkon ndërmend të përkrah subjekte të cilat janë të rreshtuara te pushteti qendror, dhe as kandidatë të cilët në zgjedhjet e kaluara, votat i kanë fituar në retorikën kundër politikës, të cilën, në zgjedhjet presidenciale, dhe jo vetëm, e përkrahen pa-rezervë.
Ne, megjithatë, do të provojmë që, me të gjithë instrumentet politike, të sigurojmë përfaqësim të denjë të shqiptarëve në këto dy komuna, duke u mbështetur tek votuesit dhe interesat e tyre.
Juaja LDSH