Alternativa Shqiptare, ashtu siç edhe e kishte parlajmëruar, dorëzoi listën për zgjedhjet lokale në Podgoricë.
“Si një subjekt politik përgjegjës dhe, bindshëm partia më e fortë shqiptare në Podgoricë, sigurisht ne do të kemi përfaqësuesin në Kuvendin Komunal të Podgoricës dhe pas gati 20 vitesh, partitë shqiptare do të përfaqësohen në Kryeqytet, kumtuan nga ASH-ja e raporton Antena M.
Ata presin që do të mbështeten nga votuesit dhe partitë e tjera nacionale , por “kemi të paralajmëruar se do të kemi mbështetjen e partive nacionale serioze dhe relevante në nivel shtetëror”, deklaraojnë nga ASH-ja.
Bartësi i listës së ASH-së për zgjedhjet në Podgoricë do të jetë Nik Gjeloshaj.
“Si parti nacionale, ne jemi të qartë se ne duam të jemi pjesë e qeverisë në të gjitha nivelet, ne kemi dëshmuar në Tuz se nuk do të jemi në pushtet me çdo kusht, por gjithashtu do të dërgojmë mesazh se nuk largohemi nga përgjegjësia kur biseduam dy muaj më parë, por as që nesër nuk do të ikim nga përgjegjësia. Partnerët tanë në këtë do të jenë të gjithë ata që ia duan të mirën Kryeqytetit Podgoricës, Malësisë dhe të respektojnë specifikat e shqiptarëve dhe vendosmërinë tonë për integrim dhe faktorizim”, pohojnë nga ASH-ja, raporton Antena M.
Për zgjedhjet lokale në Podgoricë, Lidhja Demokratike Shqiptare ditë më parë bëri thirrje që subjektet politike shqiptare të caktojnë një kandidat të pavarur, të përbashkët.
Siç duket, kjo iniciativë e LDSH-së nuk gjeti përkrahje nga partitë shqiptare.
Në anën tjetër, as thirrja e ASH-së që iu drejtua partive shqiptare për përkrahje të kandidatit të tyre, nuk do të ketë përkrahjen e LDSH-së.
Siç kanë deklaruar nga LDSH-ja, ata nuk do të përkrahin kandidatin e ASH-së, i cili, sipas tyre, vetëm do të i siguronte DPS-së edhe një mandat.
Ndërkaq, sipas gazetës “Dan”, ka paralajmërime që LDSH-ja në zgjedhjet lokale në Podgoricë mund të dalin me Partinë Social-Demokratike të Ranko Krivokapic dhe DEMOS të Miodrag Lekic.
Kryetari i LDSH-së Nikollë Camaj këtë informacion nuk e ka konfirmuar por as nuk e ka demantuar.
Zgjedhjet lokale në Podgoricë do të zhvillohen më 27 maj. /MALESIA.ORG/