Nga Gjekë Gjonaj
Familja pesëanëtarëshe e Nikollë Hasanaj nga Treshi, e cila me vite ka jetuar në lagjen Mali i Kakarriqit në Podgoricë në gjendje jo të mirë të banimit, nga tani e tutje do të bëjë një jetë shumë më të mirë jetese nga që kësaj familje i është rindërtuar shtëpia e re funksionale. Ky rindërtim është bërë i mundur falë kontributit të konsiderueshëm dhe solidaritetit të madh të njerëzve vullnetmirë e bamirës trieshjanë të tubuar në Fondin Humanitar “ Trieshi” në Nju-Jork, të cilin e kryeson me shumë sukses Marash Lucaj. Kjo vepër njerëzore e radhës e vëllezërve trieshjanë në Nju-Jork e gëzoi shumë familjen Hasanaj, së cilës përherë i bënë të mundur sigurimin e një jete më me dinjitet, duke e nxjerrë nga gjendja e pa lakmueshme e banimit.
Ky kontribut për familjen e Nikollë Hasanajt u dha edhe në nderim të axhës së tij, Gjergj Hasanaj, njërit ndër themeluesit dhe ish-drejtor i Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” të Trieshit, njëherazi edhe autor i librit “ Malësori këndon”.
Kryefamiljari Nikolla tash njëzet vjet është krejtësisht i verbër. Është invalid. Jeton me bashkëshorten Kristinën nga Kosova, djemtë Robertin ( 10 vjeç) e Rigonin ( 3 vjeç) dhe vajzën Renatën ( 6 vjeç). Ata jetojnë vetëm nga pensioni i vogël invalidor prej 108 euro dhe nga asistenca sociale në shumë prej 64 euro. Të gjithë pjesëtarëve të kësaj familje tashmë iu është rikthyer buzëqeshja. Ata të përlotur nga gëzimi nuk kursejnë fjalët më të mira falënderuese për donatorët e Fondit Humanitar “ Trieshi”.
“Ende e kam të pabesueshme që kjo është shtëpia ime. Falënderoj shumë donatorët e Fondit Humanitar “ Trieshi”. Ju falënderoj me gjithë shpirt, që m’i ndihmuat këta fëmijë të rriten në shtëpinë e tyre, si të gjithë fëmijët e tjerë. Ju falënderoj sinqerisht nga zemra. Gjithçka është falë jush, nuk ka lidhje me shtëpinë që ka qenë. Jeni ju ata që e bëtë këtë shtëpi kështu siç shihet sot. Unë, derisa të jetoj, do t’ju kujtoj dhe s’do t’ju harroj kurrë. Vetëm ditën që të mbyllen sytë e mi, atëherë do t’ju harroj”, deklaron Nikollë Hasanaj.
Edhe gruas së shtëpisë dhe nënës së fëmijëve i shumëfishohet lumturia kur i sheh fëmijët e vet të rehatuar me një shtëpi funksionale. Kristina thotë se kjo është hera e parë prej se është martuar që derdh lot gëzimi.
“Nga zemra falënderoj Fondin Humanitar “ Trieshi “që arriti deri këtu, që ne të kemi këto të mira, se unë nuk e kam parë ndonjëherë shtëpinë time kaq të bukur. Ka ndryshuar tërësisht dhe dua të falënderoj trieshjanëtbujarë që kanë bërë shumë për ne, që na mundësuan të kemi një shtëpi kaq të mrekullueshme sa s’më besohet. Ju arritët të plotësoni dëshirën time, që unë të jetoj e kënaqur me burrin dhe fëmijët e mi.Tani jam e lumtur”, rrëfen Kristinë Hasanaj.
Kështu, pra, bamirësit trieshjanë të tubuar në fondin e përmendur humanitar dëgjuan fjalët e baballarëve të vet : “ Bir, kur sheh keq , zgjate dorën dhe ndihmoi” . Edhe pse ata jetojnë dhe punojnë në Amerikë, në çdo bisedë, në çdo vend ku shkojnë mundohen ta promovojnë vendin e tyre dhe të kontribuojnë për të. Ata vazhdimisht apelojnë tek njëri-tjetri në diasporë që t’i ndihmojnë vëllezërit dhe motrat e tyre që kanë nevojë, sepse, siç shprehen ata, ia kemi borxh vendlindjes tonë.
Fondi Humanitar “ Trieshi”, edhe pse i ri për nga formimi, vitin e kaluar pati sukses jashtëzakonisht të madh në grumbullimin e pothuaj 1 milion dollarëve për meremetimin e rrugës ekzistuese automobilistike të Trieshit deri në Koritë në gjatësi prej 24 kilometrash.
Përveç kësaj ky fond, siç u njoftuam nga burime të sigurta, vitin e kaluar ka dhënë 13.700 dollarë për pajisjen me kompjuterë të Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” të Trieshit, ndonëse ky donacion i çmuar itrieshjanëve larg vendlindjes ende nuk dimë se është publikuar në media nga autoritetet e shkollës.
Me kompjuterizimin e shkollës fillore të Trieshit dhe qasjen në internet, nga ana e trieshjanëve bamirës në Amerikë, shkollarëve të rinj nga kjo trevë ( djem e vajza) do t’u bëhej i mundur zhvillimi i mësimit në mënyrëbashkëkohore dhe të suksesshme, të cilën gjë mund t’ua kenë lakmi moshatarët e tyre në shumë shkolla me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi, dhe jo vetëm.
Fondi Humanitar” Trieshi” poashtu është i gatshëm të financojë edhe ndërtimin e bustit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut para shkollës fillore te Trieshit me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së tij dhe 50 vjetorit të emërtimit te kësaj shkollë me emrin e heroit tonë kombëtar.
Me këto, e vepra tjera madhështore e fisnike, trieshjanët bamirës në Amerikë po përparojnë vendlindjen dhe po përmirësojnë kushtet për jetesë dhe për shkollim bashkëvendësve të vet në vatrat e tyre stërgjyshore.