Ambasadori Ernal Filo: Shqiptarët në MZ do t’i kem gjithnjë në mendje dhe në zemër

Lexoni komunikatën e Ambasadorit të Shqipërisë në Podgoricë Z. Ernal Filo:

Të dashur miq kudo në Mal të Zi,

Të dashur motra dhe vëllezër shqiptarë në Mal të Zi,

Ndërsa çdo fund është përherë një fillim i ri, vitet që qëndrojnë në mes të këtij proçesi, janë të rëndësishme për të kuptuar sa shumë kemi dhënë, sa shumë kemi bërë dhe sa shumë duhet për të arritur etalonin e më të mirës së mundshme.
Me këtë rast, dua t’ju bëjë të ditur se misioni im diplomatik, si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi, mbaron pas afërisht 4 vitesh shërbimi, më 31 korrik 2018.

Gjatë këyre viteve, puna ime u fokusua tek zhvillimi i marrëdhënieve shumë të mira model midis dy vendeve tona, por veçanërisht tek gjendja e shqiptarëve në Mal të Zi. Gjithashtu, pata nderin të kontribuoj dhe të jem dëshmitar i shumë vizitave dypalëshe reciproke në nivelin më të lartë politik, ekonomik, kulturor etj, çka na ka afruar edhe më shumë me njëri tjetrin si dy vende fqinje. Për mua do të mbetet një kujtim i veçantë fakti, se periudha kur unë shërbeva përkoi edhe me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, çka është një sukses në sigurinë tonë rajonale. Në këtë kontekst, dua tju siguroj se, së bashku me stafin tim të përkushtuar, kam patur kënaqësi të jashtëzakonshme t’i shërbej vendit tim dhe bashkëqytetarëve të mi, dhe se këtë punë e kam bërë në rradhë të parë me atdhedashuri dhe përulje, por dhe me përkushtim të plotë njerëzor dhe profesional.

Me shqiptarët e Malit të Zi, të cilët do t’i kem gjithnjë në mendje dhe në zemër, jam munduar të bashkëpunoj dhe komunikoj për të përballuar sfida nga më të ndryshmet. Kemi patur arritje (Komuna e Tuzit, zhvillimi i arsimit në gjuhën shqipe si kardinale për ruajtjen e identitetit etj.), por kemi patur edhe momente të vështira. Por në fund, e rëndësishme është të mësojmë nga njëri tjetri dhe të ecim përpara, për sa më shumë prosperitet, bashkëjetesë në harmoni me njëri-tjetrin dhe, në një të ardhme të afërt, qytetarë të denjë të familjes evropiane. Me këtë rast, dua tju siguroj se mbështetja juaj për mua ka qënë motiv dhe detyrim, por gjithashtu dhe ka shërbyer për të forcuar urat e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjelltë.

I bindur dhe me dashamirësinë më të madhe, do të qëndroj githnjë pas asaj që kam thënë çdo herë, se duhet të jeni sa më të bashkuar në realizimin e të drejtave tuaja, duke u referuar kualitetit dhe jo kuantitetit, dhe përmes veprave dhe përpjekjeve maksimale të jepni kontributin tuaj për një jetë sa më të mirë dhe në harmoni me të gjithë këtu në Mal të Zi.

Ashtu siç e përmenda edhe më lart, qëndrimi im këtu në Mal të Zi mbaron më 31 Korrik 2018, ndaj edhe, ashtu si deri tani, dyert e Ambasadës do t’i gjeni të hapura dhe ju mirëpres për një kafe apo një bashkëbisedim miqësor.

Për të kujtuar edhe një herë momentet e aktivitetit tim këtu në Mal të Zi dhe duke u kërkuar ndjesë me përulësi atyre që për shkak të volumit nuk janë përfaqësuar në fotot e albumit më poshtë, ju falenderoj nga zemra për besimin si dhe shpreh vlerësimet e mia maksimale për secilin nga ju, duke ju uruar shëndet dhe mirësi në familjet tuaja.

Me respekt
Ernal Filo