Roli i Gjergj Kalajt në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Nju-Jork dhe SHBA ishte i shumë i madh . Të gjithë janë të një mendjeje se Gjergj Kalaj ishte shumë mikpritës.
Shkruan Gjekë Gjonaj
Kur vdiq Gjergj Kalaj , në mars të vitit 2016 , komuniteti shqiptar humbi një ndër veprimtarët e saj më të angazhuar dhe më të guximshëm për çështjen shqiptare, veprimtaria e të cilit i tejkalonte kufijt e fshatit të lindjes së tij Pikalë ( Grudë) dhe të Malësisë . Për familjen e tij , kjo humbje ishte dhe vazhdon të jetë e rëndë dhe e dhimbshme. Në mërgatën shqiptare në Shtete të Bashkuara të Amerikës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar dhe në këtë fillim shekull do të radhitet ndër emrat e paharrueshëm të mërgatës shqiptare, si mikpritës, bujar, atdhetar , organizues dhe përbashkues në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve në Nju-Jork.
Jam njëri nga ata bashkëkombësit e tij që nuk e kam njohur personalisht, por që e kam respektuar aktivizimin e tij në manifestime , aksione politike dhe protesta që zhvilloheshin në Nju-Jork e Uashington, kundër politikës serbe , në mbështetje të luftës çlirimtare që zhvillohej në Kosovë.
Në ceremoninë e varrimit të tij në Tuz isha i pranishëm. Sikur të gjithë miqtë e dashamirët e tij atë ditë u përkula para turpit të tij të pajetë në nderim të veprës së tij. Ndërsa tani, pas dy vitesh e e gjysmë, falë dhuratës së çmuar të shokut tim nga Nju-Jorku Ejll Berishajt, kam në dorë librin “ Gjergj Kalaj homazh për njeriun dhe patriotin e shquar” të autorëve Nasho Jorgaqi dhe Kristina Jorgaqi .
Ky libër , botimin e të cilit e mundësoi bashkëshortja e të ndjerit Gjergj Kalaj, Gjyste Kalaj, e ka prejardhjen në traditën e vëllimeve përkujtimore. Qëllimi i këtij vëllimi është modest: synon që të ndriçojë edhe të vlerësojë në disa aspekte veprimtarinë dhe punën e Gjergj Kalajt. Brenda kësaj kornize janë botuar artikujt në prozë e poezi ( kujtimet) e njëzet e tëtë miqve e dashamirëve me profesione të ndryshme të ndryshme të Gjergj Kalajt ( nga hapësira mbarë shqiptare, si: Akademik Rexhep Qosja, dr. Bardhyl Reso, Ramiz Llapashtica, Luan Pobrati, Gjergj Uli, Nasho Jorgaqi, Pal Neçaj, Skënder Duka, Sadije Agolli, Naim Balidemaj, Rexhep Vuçetaj, Indrit Reso, Ndue Sinishtaj, Bruno Selimaj, , Dedë Kolë Miri Dedvukaj, Jorgo Melica, Shpend Haxhaj, Qazim Dodaj, Stephen Kauifman, Gjeto Sinishtaj, Dilaver Avdiu, Dedë Camaj , Ndue Kalaj,Gjyste Kalaj, Nosh Rrok Camaj, Dedë Dushaj, Luigj Gjokaj dhe Isa Breçani.
Në librin me kujtime për Gjergj Kalajn, me dëshirën ( amanetin) e tij , është përfshirë edhe monografia kushtuar Norës së Hotit , kësaj figure herioike dhe një fotoalbum . Po ashtu në faqet e këtij libri është botuar edhe Fjala e mbajtur me rastin e dhënies së Çmimit të Mirënjohjes së Gjergj Kalajt ( pas vdekjes) si “ Veprimtar i çështjes kombëtare”, ku ndër të tjera thuhet “ … Në diasporën shqiptare të SHBA nuk ka demonstratë apo manifestim me motive kombëtare, që të mos lidhet në një formë a në një tjetër me angazhimin e Gjergj Kalajt, e ku të mos ishte i pranishëm…”
Është me rëndësi të thuhet se të gjithë autorët në kujtimet e veta e vlerësojnë lartë , veprimtarinë, kontributin dhe atdhedashurinë e madhe në shërbim të çështjes kombëtare. Ata thonë se roli i Gjergj Kalajt në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare në Nju-Jork dhe SHBA ishte i shumë i madh . Të gjithë janë të një mendjeje se Gjergj Kalaj ishte shumë mikpritës. Se dyert e shtëpisë së tij ishin gjithmonë të hapura. Se ishte burrëror e i buzëqeshur. Fisnik e trim i provuar. Bujar i papërsëritshëm. Burrë i fjalës dhe i besës. Shqiptar i pashëm i kulluar i cili ndodhej përherë aty ku ndodhej interesi i atdheut dhe i kombit. Aktivist i zjarrtë dhe njeri i papërtuar për të përmbushur çdo nevojë të komunitetit shqiptar në Nju-Jork e më gjerë. Njeri me aftësi të veçanta për të hyrë në shpirtin e njerëzve. Ishte , siç më tha një bashkatdhetar nga Nju-Jorku, njëri ndër bijtë më fisnik e besnik të Malësisë, një atdhetar i vërtetë.