Më se e treta e këshilltarëve të Kuvendit të Ulqinit heshtin për 150 euro në muaj

Çapuni këshilltari më aktiv, 13 këshilltarë asnjëherë nuk e kanë marrë fjalën

 Nga Gjekë Gjonaj

Nga 33 këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, gjatë periudhës kohore 11 korrik – 29 dhjetor 2018, 13 prej tyre  asnjëherë nuk kanë kërkuar fjalën as nuk kanë marrë pjesë  në diskutime për temat që kanë të bëjnë me problemet e qytetarëve të cilët i kanë zgjedhur.

Evidenca  mbi pjesëmarrjen dhe punën e këshilltarëve  në gjashtë seancat e   parlamentit  vendor të Ulqinit,   duke filluar nga data 11  korrik e deri më  29 dhjetor të vitit të kaluar tregon se  këshilltari   bindshëm më aktiv ka qenë kryetari aktual i parlamentit të Ulqinit  Ilir Çapuni, nga radhët e Forcës së Re Demokratike, i cili ka diskutuar 3 orë e 41 minutë.  I dyti në këtë listë renditet  këshilltari  Haxhi Sulejmani, nga radhët e Partisë Demokratike, i cili ka diskutuar  1 orë e 44 minuta, ndërsa i treti është  Borisllav Bashoviq,nga radhët e Partisë Demokratike të Socialistëve, i cili ka diskutuar 1 orë e 11 minuta. Pasojnë  këshilltarët: Sabri Salaj ( Forca)- 1h, 3 minuta, Florim Pali ( PD)- 1h,1 minutë, Agron Mehmedi ( PD)- 45 minuta, Luigj Shkrela  ( PDS)-40 minuta, Bojan Gjakonoviq ( PDS)- 35 minuta, Dhavid Hoxhiq ( SD)-27 minuta, Naser Resulbegoviq(PSD) – 24 minuta, Nazif Cungu ( Forca) -23 minuta, Artia Murati ( Forca)- 13 minuta. Nga shtatë minuta kanë diskutuar tre këshilltarë: Jasmina Hasa ( UDSH), Ardian Mavriq ( Forca) dhe Arjan Lamoviq (PDS). Këshilltari Marko Shkrela (PDS) ka diskutuar 6 minuta, kurse kolegia e tij e partisë Majlinda Kurt ka diskutuar 3 minuta.

Sipas kësaj evidence zyrtare të Kuvendit  rezulton se  më shumë se e treta e këshilltarëve  janë pasiv në ushtrimin e  funksionit  të tyre si këshilltarë  në fjalimet e tyre në Kuvend. Nga 33 këshilltarë në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, gjatë periudhës së përmendur kohore , 13 prej tyre  asnjëherë nuk kanë kërkuar fjalën, as nuk kanë marrë pjesë  në diskutime për temat që kanë të bëjnë me problemet e qytetarëve të cilët i kanë zgjedhur.

Këshilltarët   “ memecë” , respektivisht që e kanë humbur motivin  për të bërë pyetje dhe për të qenë aktiv,  referuar listës së përmendur zyrtare të Shërbimit të Kuvendit, janë  Mella Milloviq (SD), Arsim Cuca (SD),Gazmond Kaleziq (UDSH), Dritan Alaj (UDSH), Muamer Rashçiq (PB), Gjylie Pelinku ( Forca ), Xhevdet Seferi ( Forca), Flutura Husiq ( Forca), Eleonora Shata (PD), Aida Lleshi ( PD),Xhelal Dervishi ( PD), Majlinda Duraku ( PDS) dhe Haki Mavriq ( PDS).

Kur është fjala për  partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës së Ulqinit , partia më aktive  ka qenë  Forca – 8 këshilltarë ( 5h e  27 minuta, pastaj  Partia Demokratike e Socialistëve – 8 këshilltarë (3h e 55 minuta), Partia Demokratike-7 këshilltarë ( 3h e 37 minuta), Pqartia Socialdemokrate -3 këshilltarë ( 27 minuta), URA- -2 këshilltarë ( 26 minuta), Unioni Demokratik i Shqiptarëve – 3 këshilltarë ( 7 minuta). Partia  më pasive pas UDSH-së  në Kuvendin e Komunës së Ulqinit, është Partia Boshnjake e cila është e përfaqësuar me një këshilltar, i cili asnjëherë nuk e ka marrë fjalën në  kuvend.

Edhe përkundër përpjekjes sonë që të mësojmë se cilat  janë  arsyet kryesore të pasivitetit ë këshilltareve nuk arritëm të marrim përgjigje.  Por, dihet se sigurimi i votave nga partia po ua mundëson  disa këshilltarëve për të qenë pasiv.

Vlenë të përmendim se këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit  vitin e kaluar kanë pasur  të ardhura neto në shumë prej 150 euro në muaj , ndërsa nga fillimi i këtij viti me vendim të Kuvendit pagat u janë ngritur në 220 euro në muaj, të cilat  rriten varësisht nga pjesëmarrja në këshillat ( trupat) e Kuvendit..