Nga Gjekë Gjonaj
Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, në vazhdim të seancës e cila ka filluar punën më 29 maj, miratuan përfundimet me gjashtë pika për rastin K1. Rikujtojmë se me vendimin e Gjykatës së Apelit dhe më pas të Gjykatës Supreme, Komuna është e detyruar që firmës “Rekretaurs” nga Budva t’i paguajë gjashtë milionë euro, për shkak të shembjes së Pushimores së Kosovës në kompleksin turistik në Plazhin e Madh në vitin 1983. Klubet e këshilltarëve kanë rënë dakord që:
1. Me këtë vendim , pa fajin e saj, Komuna është dëmtuar dhe me të edhe qytetarët e saj të cilëve mund t’u privohet e drejta e realizimit të të drejtës së qeverisjes lokale të garantuar me Kushtetutën e Malit të Zi.
2. Kuvendi i Komunës së Ulqinit fton Qeverinë e Malit të Zi që të ndërmarrë masa për tejkalimin e kësaj situate në mënyrë që Komuna të funksionojë ligjërisht dhe pa pengesa ashtu që t’ia mundësojë qytetarëve të saj të gjitha të drejtat dhe obligimet që burojnë nga Kushtetuta e Malit të Zi të cilat mund të cenohen me vendimin e plotfuqishëm aktual.
3. Të formohet Komisioni parlamentar i Kuvendit Komunal i cili ka për detyrë të analizojë rrjedhat e proceseve gjyqësore në mbrojtjen e lëndës K\1. Materialet t’i përgatisë dhe prezantojë Komisionit Sekretariati për Mbrojtjen e Pasurisë deri më datën 21.06.2019.
4. Obligohet kryetari i Komunës Loro Nrekiq të formojë grupin për takim me ministrin e Financave të malit të Zi dhe kryetari e Qeverisë së Malit të Zi në lidhje me gjetjen e mundësisë për tejkalimin e vështirësive që do të rezultojnë pas kalimit të 60 ditëve te debllokimit të llogarisë bankare.
5. Mbledhja e Kuvendit Komunal, në të cilën do të shqyrtohet raportet nga përfundimet 4 dhe 5, të mbahet deri më 30.07.2019
6. Obligohet Sekretariati për Mbrojtjen e ePasurisë që Kuvendit t’ia dorëzojë draftet e mjeteve juridike që do të ndërmarrë. formohet një komision i Kuvendit Komunal, i cili ka për detyrë të analizojë rrjedhat e proceseve gjyqësore në mbrojtën e lëndës K1 dhe të propozojë masat të cilat ndoshta do të ndikojë që e gjithë ky proces të rishqyrtohet.
Sekretari për financa në Komunën e Ulqinit Sead Osmanoviq vlerësoi se situata financiare për momentin është e mirë, pçor gjithçka mundtë vështirësohet nëse aktivizohet bllokimi i llogarisë bankare për shkak të rastit K1.
Në seancën e djeshme këshilltarët miratuan edhe vendimet mbi pajimin e tokës ndërtimore për objektet legale dhe ilegale, sikurse edhe vendimin mbi rendin komunal dhe rregullimin e komunikacionit.
Kuvendi unanimisht miratoi edh tri vendime lidhur me funksionimin e Parging Servisit. Me këto vendime i mundësohet kësaj ndërmarrje të sapoformuar që të shfrytëzojë hapësirat publike për parking, duke menduar se në këtë mënyrë përfundimisht do të zgjidhet kaosi shumëvjeçar në komunikacion në këtë qytet. Në rend të ditës , të seancës e cila siç u paralajmërua do të vazhdojë ditën e enjte, kanë mbetur edhe disa pika.