Kurtezi: Ta gëzoni përmendoren e Heroit tonë Kombëtar! I

Të dashur nxënës dhe mësues të Shkollës Gjergj Kastriot Skënderbeu në Triesh!

Sot u mblodhëm sëbashku në shkollën tuaj për të shënuar një ngjarje të rëndësishme dhe me simbolikë të veçantë, atë të vendosjes së përmendores së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Gjergj Kastriot Skënderbeu është figura më përbashkuese e shqiptarëve, ai është simboli i unitetit dhe qëndresës, ndaj dhe prania e tij në shkollën tuaj do të shërbejë si shembull dhe motiv për mësuesit dhe nxënësit për më shumë përkushtim, më shumë dedikim dhe më shumë dije.

Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ishte vetëm një luftëtar i pamposhtur, por ai ishte edhe një politikan dhe diplomat i spikatur i kohës, i cili me trimëri e mençuri mbrojti në mënyrë shembullore interesat e vendit dhe shqiptarëve ndaj dhe prania e tij në shkollën tuaj do të shërbejë si shembulli më i mirë për të mësuar edhe më mirë, për të ruajtur gjuhën, traditat dhe kulturën, si dhe për të kultivuar dashurinë dhe respektin për kombin dhe për popullin.

Në këtë ditë të shënuar, jo vetëm ndihem i nderuar dhe krenar, por jam edhe i inkurajuar për të zhvilluar dhe forcuar më tej urat e fqinjësisë së mirë midis Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Ta gëzoni përmendoren e Heroit tonë Kombëtar!

I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e tij!

Ridi Kurtezi
Ambasador i Shqipërisë